Ndërlidhjet

RUECKER: RAPORTI PËR VLERËSIMIN E STANDARDEVE ËSHTË POZITIV


Albana Isufi

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, udhëtuan sot drejt New York-ut, për të marrë pjesë në takimin e rregullt tremujor të Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Kryeadministratori Joachim Ruecker i tha radios Evropa e Lirë, se raporti i cili mund të jetë i fundit i paraqitur nga ana e shefit të UNMIK-ut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, do të ketë tone pozitive. "Ne do të raportojmë se ka pasur progres në këta tre muaj, por natyrisht ende ka probleme dhe duhet vazhduar punën. Institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të fokusohen në zbatimin e standardeve. Për shembull, ka ende probleme me kthimin, me sundimin e ligjit, ka ende gjëra për t‘u bërë, por parimisht ky do të jetë raport pozitiv", tha Ruecker. Ndërkaq, presidenti Sejdiu tha se në takimet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, me zëvendëssekretarin e OKB-së, Jean Mari Guehenno, si dhe me anëtarët e Këshillit të Sigurimit, do të argumentojë synimin e Kosovës për pavarësi. "Misioni është shumë i qartë, që në këtë kohë, kur është përcjellë propozimi i presidentit Ahtisaari bashkë me propozimet në OKB, t’i japim edhe njëherë argumentet tona para Këshillit të Sigurimit, ku edhe do t’i drejtohem në një seancë të veçantë, ku do të shpjegojmë ecjen tonë të deritanishme dhe do të shpjegojmë në mënyrë të qartë, përcaktimin tonë për Kosovën demokratike dhe shtet të pavarur e sovran", theksoi Sejdiu. Raportin tremujor mbi përmbushjen e standardeve, Ruecker e paraqet në Këshillin e Sigurimit dy javë para se një gjë të njëjtë ta bëjë kryenegociatori i Kosovës, Martti Ahtisaari, i cili pritet që më 3 prill, të paraqesë propozimin e tij për statusin para organit më të lartë të Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, Ruecker nuk mendon se raportimi i tij do të shënojë fundin e raporteve të Kosovës para mekanizmave të lartë ndërkombëtarë, natyrisht nëse brenda tre muajve të ardhshëm zgjidhet statusi. "Mendoj se zbatimi i standardeve do të vazhdojë si pjesë e agjendës së Bashkimit Evropian. Plani për veprim i BE-së i ka përfshirë të gjitha standardet dhe nënstandardet, kështu që s’ka rëndësi se si do të shkohet në Këshillin e Sigurimit. Ne, Kosova sigurisht se do të raportojë për standardet në procesin e përafrimit me BE-në", u shpreh Ruecker. Ai beson se zëvendësimi i Rezolutës 1244 me një të re, në bazë të së cilës do të zgjidhet statusi i ardhshëm i Kosovës, nuk do të vonojë. "Plani i Ahtisaarit ka një bazë shumë të mirë dhe ia shtron rrugën rezolutës. Por, duhet të shohim, pasi kjo është çështje e Këshillit të Sigurimit dhe ai do të merret me këtë në fillim të prillit", theksoi Joachim Ruecker. Në takimin e rregullt të Këshillit të Sigurimit së bashku me shefin e UNMIK-ut, më herët qe thënë se do të shkonte kryeministri i Kosovës, Agim Çeku. Presidenti Sejdiu sot i hodhi poshtë këto pohime. "Ka qenë një aranzhim shumë më i hershëm. Kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me kryeministrin Çeku. Nuk ka qenë nevoja, që të jemi dy persona në të njëjtën kohë në Këshillin e Sigurimit. Për mua është e rëndësishme, që të mbajmë këtë orar të rëndësishëm të zhvillimeve dhe të japim mendimin për Kosovën. Unë mendoj se kryeministri Çeku në rrugëtim e sipër që ka pasur, ka bërë dhe do të bëjë punë të madhe për Kosovën, sikurse edhe gjithë të tjerët", tha Sejdiu. Ruecker dhe Sejdiu pritet, që përveç pjesëmarrjes në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, të kenë edhe takime të tjera me zyrtarë të lartë të OKB-së.
XS
SM
MD
LG