Ndërlidhjet

JESSEN PETERSEN: PLANI I AHTISARIT ÇON DREJT PAVARËSISË


Soren Jessen Petersen, ish shef i UNMIK-ut

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Jessen Petersen, para pak kohësh keni marrë pjesë në një seancë dëgjimore për Kosovën në Kongresin amerikan. Cili është qëndrimi i administratës amerikane dhe sipas jush kur mund ta dëgjojmë të formuluar publikisht qëndrimin zyrtar amerikan për statusin?

SOREN JESSEN PETERSEN
Është e vështirë për mua të flas në emër të qeverisë amerikane. Por sipas kontakteve që kam ata duan një vendim të shpejtë, pa shtyrje të mëtejshme, mbështesin plotësisht planin e Ahtisaarit dhe padyshim do përpiqen në Këshillin e Sigurimit dhe Grupin e Kontaktit të marrin rolin prijës.
Zoti Ahtisari paraqiti propozimin, i cili çon drejt pavarësisë. Derisa Shtetet e Bashkuara e mbështesin planin e Ahtisarit do të thotë se mbështesin planin që e çon Kosovën drejt pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë gjasat që plani i Ahtisarit të pranohet e cilat jo në Këshillin e Sigurimit, kur dihet kundërshtimi i ndonjë vendi me të drejtë vetoje, siç është Rusia?

SOREN JESSEN PETERSEN
Pritet që gjatë prillit, muaj kur kryesinë e Këshillit të Sigurimit e ka Britania, do kemi diskutimin e parë të planit. Të gjithë e dimë se nuk do jetë e lehtë, kemi parë deklaratat e Rusisë, ku ata këmbëngulin për një plan që pranohet nga Prishtina dhe Beogradi. Por ne e dimë se kjo është jorealiste, pasi Serbia asnjëherë nuk do pranojë pavarësinë e Kosovës, ashtu si Kosova asnjëherë nuk do pranojë të kthehet nën sundimin e Beogradit. Në këto kushte të këmbëngulësh për një plan të pranuar nga të dyja palët do të thotë të diskutojmë përgjithmonë.
Kjo është ide e gabuar, pasi çon në vonesa që janë shumë të këqija. Vonesat janë armiqtë e Kosovës dhe rajonit. Prandaj shpresoj që Këshilli i Sigurimit nuk do lejojë shtyrje të reja duke bërë që kjo çështje të mos mbetet pezull.

RADIO EVROPA E LIRË
Kemi dëgjuar së fundi shqetësime se edhe brenda BE-së ka ndarje rreth statusit të Kosovës. Si e shihni pozicionin e BE-së?

SOREN JESSEN PETERSEN
Ashtu siç është ende herët të parashikojmë qëndrimin e Rusisë, deri në momentin kur plani do jetë mbi tryezat e Këshillit të Sigurimit, ashtu është ende herët të flasim dhe për Bashkimin Evropian. E dimë se disa vende të BE-së janë të shqetësuara për shkaqet e tyre të brendshme, siç është Spanja, Qiproja apo disa vende të afërta me Serbinë. Megjithatë deri tani BE-ja ka qenë e bashkuar në mbështetjen për Ahtisarin e besoj dhe për planin e tij. Nga ajo se si do zhvillohen ngjarjet në Këshillin e Sigurimit na mbetet të shohim dhe si do veprojë Bashkimi Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Në vitin 1999 patëm fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Millosheviçit dhe prej atëherë Kosova administrohet nga Kombet e Bashkuara. Përse hezitohet dhe po i duhen kaq vite bashkësisë ndërkombëtare për të pranuar vullnetin e shumicës së popullsisë?

SOREN JESSEN PETERSEN
Para së gjithash më duhet të them se ndaj të njëjtin mendim. Është e çuditshme që Bashkësia ndërkombëtare gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka ecur me vendosmëri përpara drejt qartësimit të situatës. Kur NATO-ja shkoi në luftë për t'i dhënë fund shtypjes brutale që Millosheviçi i bënte shqiptarëve të Kosovës qysh atëherë Serbia e humbi të drejtën të qeverisë Kosovën.
Këshilli i Sigurimit në atë kohë nuk qe i gatshëm të merrte një vendim dhe ajo që bëri ishte pezullimi i autoritetit serb mbi Kosovën. Me pezullimin e pushtetit të Serbisë në '99 KS-ja besoj se e bëri të qartë se Serbia e humbi të drejtën për të qeverisur Kosovën.
Tani 8 vjetë më pas është një kohë e gjatë dhe sipas meje KS-ja duhet të veprojë sipas një nga parimeve të Grupit të Kontaktit që thotë se duhet të gjendet zgjidhje e pranushme për shumicën. Ne e dimë se cili është qëndrimi i shumicës në Kosovë, ashtu si dua të kujtoj se këtë parim e ka pranuar dhe Rusia si anëtare e Grupit të Kontaktit.
Plani i Ahtisarit është një mundësi që njeh vullnetin e shumicës dhe mbron të drejtat e pakicave. Propozimi i Ahtisarit në këtë kuptim paraqet një kompromis shumë të mirë dhe KS-ja duhet ta miratojë në mënyrë që Kosova të fillojë të stabilizohet. Kjo vlen dhe për Serbinë që të shohë prespektivën e vetë evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa të gatshëm janë serbët e Kosovës të jetojnë në një Kosovë me një status të ndryshëm nga ai që ata janë mësuar të shohin?

SOREN JESSEN PETERSEN
Së pari serbët e Kosovës kanë pasur tetë vjetë kohë që të mësohen. Natyrisht nuk ka qenë e lehtë për ta, por siç thonë dhe shumica e atyre më të cilët kam folur, ata duan të jetojnë në Kosovë pavarësisht nga statusi, përfshi dhe në një Kosovë të pavarur. Ata duan të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë dhe me garancat e forta të planit të Ahtisarti nuk kanë përse të tremben. Ndaj dhe duhet ta marrim vendimin e statusit sa më shpejt. Sa më shumë të shtyhet statusi aq më të pasigurt do ndihen serbët e Kosovës po aq të drojtur do jenë dhe shqiptarët se mos kthehen pas, çfarë i mban të dyja palët të tërhequra në të shkuarën.
Nëse situata është e qartë do shohim se të dyja palët do fillojnë të jetojnë sërish bri njëra-tjetrës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa të sinqerta janë shqetësimet e Beogradit për serbët e Kosovës?

SOREN JESSEN PETERSEN
Kur flitet për Beogradin gjërat nuk duhen përgjithësuar, pasi varet me kë bisedon. Ka një shumicë serbe për të cilët Kosova nuk është përparësi. Por në mesin e udhëheqësve ka nga ata që i ka mbytur Kosova duke harruar dhe vetë Serbinë. Por ka dhe të tjerë, si presidenti Tasdiç, që ndonëse mendon se Kosova është shumë e rëndësishme, është i fokusur në çuarjen e Serbisë drejt BE-së dhe NATO-s. Tadiç përfaqëson Serbinë që sheh përpara, kurse grupi tjetër janë ata që shohin pas. Këta nuk e ndihmojnë Serbinë, e cila edhe vetë ka vuajtur nga keqësia e liderëve të saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni situatën në veri të Kosovës?

SOREN JESSEN PETERSEN
Sërish ajo që është e rëndësishme është qartësia për të ardhmen. Jam takuar shumë shpesh me bashkiakët e tre komunave në veri. Bisedimet me ta kanë qenë tepër prgamatike dhe shqetësimet e tyre lidhen me përditshmërinë dhe sigurinë. Ata e kanë bërë të qartë se duan vetëm të jetojnë normalisht e të kenë vende pune. Përshtypja ime është se me garancat e planit të Ahtisarit dhe qartësimin e statusit këta do shohin përpara.
Por ka dhe një grup tjetër liderësh në veri të Kosovës që janë të lidhur me nacionalistët ekstremistë në Beograd. Këta nuk do pranojnë asgjë që e shkëput Kosovën nga Serbia. Ajo që dua të theksoj është se njerëzit e thjeshtë duan të jetojnë normalisht si gjithë qytetarët e tjerë në Evropë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por cili është rreziku i manipulimit të qytetarëve nga liderët nacionalistë?

SOREN JESSEN PETERSEN
Shpresoj që ky rrezik të jetë më i vogël sot, pasi këta njerëz e kanë parë se ku të çon manipulimi nga udhëheqës si Millosheviçi. Udhëheqës manipulues ka dhe sot. Ata nuk shqetësohen për njerëzit, por për mitet e historisë. Shpresoj që ta kuptojnë se kur populli voton për ta, i voton për të zgjidhur problemet e jo për t'u manipuluar për ambiciet e çmendura të këtij grupi liderësh.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur tek veriu i Kosovës, ekspertët thonë se UNMIK-u asnjëherë nuk ka qenë në gjendje të vërë kontrollin e tij të plotë në këtë pjesë. Përse?

SOREN JESSEN PETERSEN
Mendoj se ka një morri arsyesh. Para së gjithash gjërat shkuan gabim që nga fillimi, menjëherë pas luftës. Dhe siç ka dhe shembuj të tjerë në rajon nëse nuk e nis mbarë është tejet e vështirë ta rregullosh gjendjen më vonë. Kështu ka ndodhur dhe me veriun.
Së dyti për t'i sjellë palët së bashku është e nevojshme një ekonomi e fortë, vende të reja pune, mirëqënie ekonomike. Ka pasur gjithmonë mungesë fondesh për të nxitur këtë mënyrë bashkejetese. Këtu duhet shtuar dhe fakti se Beogradi nuk ka ndihmuar, përkundrazi. Beogradi ka financuar strukturat paralele përfshi dhe forca të sigurisë në veri, ekzistencën e të cilave asnjëherë nuk e ka pranuar publikisht.
Gjendja është e vështirë, e keqe do thosha, por prapë është e mundur të menaxhohet në mënyrë që të dyja palët të pranojnë të jetojnë bri njëra-tjetrës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këto momente cilat janë sipas jush dobësitë dhe avantazhet e udhëheqjes së Kosovës?

SOREN JESSEN PETERSEN
Udhëheqësit e Kosovës së pari në bisedimet e Vjenës kanë pasur qasje shumë të mirë, duke qenë të bashkuar dhe të përgatitur. Ata kanë parë përpara dhe në këtë mënyrë kanë vepruar dhe për çështjet e pakicave ç'ka u theksua dhe nga zoti Ahtisaari. Për këtë duhen vlerësuar.
Pikë e dobët është se ata nuk janë fokusuar në atë se çfarë do bëjnë me pavarësinë. Me fjalë të tjera se çfarë do bëjnë një ditë pas vendimit. Kosova përballet me vështirësi shumë serioze, disa prej të cilave burojnë edhe nga mungesa e statusit.
Në mesin e vështirësive do përmendja ekonominë e dobët e për pasojë papunësinë e lartë, sundimi i rendit dhe ligjit ka nevojë për përmirësime të mëdha.
Ne si UNMIK për shumë vite dështuam të vinim respektimin e rendit dhe ligjit në themel të shoqërisë. Udhëheqësit kosovarë duhet të vendosin se çfarë shoqërie duan për Kosovën e pavarur. Para së gjithash ajo duhet të jetë një shoqëri ku sundon ligji dhe që punon shumë për përparimin ekonomik. Me qartësimin e statusit shpresoj që Kosova të tërheqë investuesit privatë për të cilët ka nevojë.
Por në ditët, javët dhe muajt e parë pas euforisë nga vendimi për pavarësinë, padyshim që do ketë momente shumë të vështira.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke parë nga distanca kohore cilat janë vendimet apo momentet për të cilat ju vjen keq e për të cilat ndiheni krenar, nga koha kur keni qenë shef i UNMIK-ut?

SOREN JESSEN PETERSEN
Ajo për të cilën më vjen keq, në vija të përgjithshme është se nuk bëra më shumë për forcimin e rendit dhe ligjit. Natyrisht u shënuan suksese, ku kam parasysh Shërbimin Policor të Kosovës, por do doja të shihja më shumë.
Së dyti do doja të shihja kthimin e të zhvendosurve dhe refugjatëve. Por më vonë e kuptova se pa qartësimin e statusit numri i të kthyerve do ishte i vogël.
Jam shumë krenar se Kosova gjatë kohës që isha atje tejkaloi disa sfida jashtëzakonisht të mëdha. Ishte moment shumë i vështirë dorëzimi i ish kryeministrit Ramush Haradinaj pas ngritjes së aktakuzës nga Haga. Më duhet te them se Haradinaj bëri një punë shumë të mirë si kryeministër. Ka qenë një moment që mund të shoqërohej me dhunë dhe kthim pas. Por përveç humbjes së një kryeministri tepër efikas shoqëria mbeti e bashkuar duke vazhduar përparimin në zbatimin e standardeve.
Një tjetër moment ka qenë dhe vdekja e ish presidentit Rugova. Ekzistonte rreziku i vakumit duke lënë mundësinë e destabilizimit. Por sërish shoqëria e bashkuar mbajti zi për udhëheqësin që nuk ishte më, por shkoi përpara duke kaluar në një tranzicion udhëheqje tepër të qetë e demokratik.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO

XS
SM
MD
LG