Ndërlidhjet

KUSARI-LILA: PAS STATUSIT, EKONOMIA VARET NGA KOSOVARËT


Mimoza KUSARI-LILA, drejtoreshë ekzekutive e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kusari-Lila, si e vlerësoni kapitullin për çështje ekonomike në pakon për statusin e Kosovës. Në këtë kapitull, një vëmendje e veçantë i është kushtuar borxhit ndërkombëtar, por jo edhe dëmeve të luftës, ashtu siç kanë kërkuar institucionet në Kosovë. Si e shihni ju këtë çështje?

MIMOZA KUSARI-LILA
Është një kapitull, i cili në përgjithësi është munduar të paraqesë zhvillimet e ardhshme ekonomike në raport më atë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Natyrisht si kosovare, edhe nga aspekti i ekonomisë, është brengosës fakti se nuk merren parasyshë dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë kosovare në periudhën e regjimit të Millosheviqit, prej viteve të 90-ta deri në kohën e fillimit të bombardimeve apo luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999. Kosova ka pësuar dëme serioze në periudhën kur 70 përqind e popullatës kosovare kanë qenë e përjashtuar për një ditë greve. Jo vetëm që ka qenë humbje vendi i punës, por është dëmi i humbjes së tregut, si atij rajonal dhe atij evropian të shumë kompanive kosovare që kanë mbuluar tregun në atë kohë. Është humbja e kohës dhe e teknologjisë, është amortizimi i të gjithë atyre ndërmarrjeve të cilat nuk kanë punuar në atë periudhë. Do të thotë e kemi një dekadë të tërë të humbjeve serioze të cilat nuk merren parasysh në pakon e Ahtisaarit. Një gjë brengosëse është edhe fakti i autonomisë së autoritetit shumë të madh të kishave mbi territorin e tyre. Këtu janë marrë parasyshë edhe ndërtimet apo aktivitetet e ndryshme që mund të merren - që gjithsesi duhet të sigurohet një menaxhim i veçantë nga kishat ortodokse - por jo edhe lëvizjet e ndryshme ekonomike dhe të tregut që mund të bëhen. Natyrisht nuk jemi aspak kundër që ato të ruhen si monumente kulturo-historike, por jo edhe të bllokojnë ose paralizojnë jetën apo zhvillimet që mund të bëhen në rrethinë. Ndoshta edhe brenda për brenda monumenteve, në kuptimin që mund të hapen si monumente turistike, në të ardhmen e afërt, në kohën ndoshta kur edhe do të kemi një fluks të turistëve në Kosovë. Është një pako, ose e marrim që është një segment i njëanshëm dhe favorizon palën serbe në këtë rast, edhe pse është në kundërthënie më atë se edhe vetë presidenti Ahtisaari përmend se për të ardhmen e Kosovës, është sfidë zhvillimi ekonomik. Prandaj duhet të ketë më tepër stimulim ekonomik nga ana e tij, një mirëqenie e përgjithshme e Kosovës mund të sigurojë një stabilitet në Kosovë, e jo një ndarje strikte në baza etnike ashtu siç është paraparë në aspektin ekonomik. Brengosës është edhe fakti se diskutohet vetëm për borxhin dhe nuk diskutohet edhe për dëmet e luftës. Natyrisht se Kosova duhet të mbajë mbi veti borxhin, por vetëm borxhin i cili ka të bëjë më investimet në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Të flasim për periudhën e pas statusit. Sa mendoni se ka terren të përgatitur në Kosovë për përmirësimin e gjendjes aktuale ekonomike, pas zgjidhjes së statusit?

MIMOZA KUSARI-LILA
Vetë zgjidhja e statusit do të hap dyert për investime dhe për një zhvillim më të mirë ekonomik. Deri më tani e kemi vlerësuar disa herë dhe kemi thënë publikisht se është një pengesë. Ka qenë pengesë dhe shpresojmë se një zgjidhje efikase dhe një zgjidhje e cila do të funksionojë mirë e statusit të Kosovës, paraqitet vetë një shtyrje të mirë dhe do të jetë një hap fillestar edhe për tërheqjen e investimeve, por edhe zhvillimin ekonomik. Në anën tjetër do të varet shumë edhe nga lidershipi kosovar. Këtë e them me përgjegjësi të plotë, se do të varet tërësisht nga politikat të cilat do t’i sajojnë dhe zbatojnë kosovarët, se sa do të mund të kemi përmirësim të gjendjes aktuale ekonomike. Deri më tani kemi pasur dhe kemi kompetenca të përziera në krijimin e politikave fiskale, pastaj në raportet me jashtë. Por, pas zgjidhjes së statusit këto do të mbesin kryesisht tek kosovarët, me një mbikqyrje të zyrës ndërkombëtare civile në Kosovë, sidomos në politikat fiskale monetare. Por kjo nuk do të jetë pengesë që kosovarët të marrin një qëndrim shumë proaktiv dhe të jenë tepër dinamik se sa vendet tjera të rajonit, që të mund të tërheqin investime dhe Kosova të tregojë stabilitet politik, në rend të parë dhe qëndrueshmëri ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej sfidave përballë procesit për zhvillim ekonomik, mbetet privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Cilat janë vlerësimet tuaja mbi rrjedhën e deritashme të këtij procesi?

MIMOZA KUSARI-LILA
Ka pasur pakënaqësi dhe janë evidente edhe tash. Ajo që ka ndodhur deri më tash nuk i takon pritjeve nga procesi. Një gjë është qartë edhe është ditur në fillim që privatizimi nuk është shkop magjik për zgjidhjen e krizës ekonomike në Kosovë. Është evident fakti se ndërmarrjet e privatizuara janë ato që nuk kanë punuar më vite të tëra. Ka një teknologji të amortizuar dhe kushdo që i ka privatizuar është dashur të ketë një shumë të caktuar të investimeve në këto ndërmarrje para se ato të fillojnë të tregojnë profit. Është edhe me ligjet ekonomike, që një ndërmarrje e re apo një ndërmarrje që nuk ka punuar për një kohë, duhet deri në pesë vite të sigurojë profitin. Në Kosovë ndoshta janë politikat shtesë përcjellëse ato të cilat nuk kanë qenë aq favorizuese për të gjitha ndërmarrjet - në këtë rast për ndërmarrjet e privatizuara – e që kanë dekurajuar apo kanë shkaktuar mosarritjen e rezultateve të pritura. Në këtë rast do të përmendi interesin bankar dhe kamatat që janë konsiderueshëm më të larta se në vendet tjera të rajonit. Kemi pasur edhe mungesën e investimeve të jashtme, më tepër kemi pasur investime kosovare të këtyre ndërmarrjeve të privatizuara të cilat kanë shkaktuar që mjetet e investuara të merren nga ndërmarrjet ekzistuese dhe të shëndosha, të futen në ndërmarrjet e privatizuara, ndoshta vetëm për blerje dhe pastaj ka qenë mungesë e fondeve dhe mjeteve për investime. Është dashur të mendohet për një politikë inventive më të qëndrueshme dhe me kushte më të favorshme. Gjithashtu e kemi edhe faktorin njerëzor, njerëzit të cilët nuk kanë punuar më vite të tëra dhe janë kthyer në procesin e punës, pa ndonjë trajnim apo përgatitje paraprake. Do të thosha se si teknologjia që amortizohet, edhe njerëzit nëqoftë se nuk kanë përgatitje të vazhdueshme apo përgatitje profesionale, edhe ata do të jenë jashtë rrjedhave. Kështu që ka një mori faktorësh, ndërkaq si problem kyç që është përmend nga ndërmarrjet e reja, ka qenë edhe energjia elektrike, kanë pasur humbje të konsiderueshme.

INTERVISTOI: NADIE AHMETI
XS
SM
MD
LG