Ndërlidhjet

logo-print

KËRKESA E RUSISË PËR RIFILLIM NEGOCIATASH - E PAPRANUESHME PËR PRISHTINËN


Zijadin Gashi

Kërkesa e Rusisë për një proces të ri negociator dhe me një ndërmjetës të ri për statusin e Kosovës, në Prishtinë cilësohet si e papranueshme. Qeveria, partitë politike si edhe analistët besojnë se negociatat kanë përfunduar dhe se Prishtina e Beogradi nuk mund t’i përafrojnë më shumë qëndrimet e tyre se që janë paraqitur me marrëveshjen e Ahtisaarit, që njihet dhe si pakoja e Ahtisaarit për statusin. Zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Ulpiana Lama thotë se procesi ka filluar dhe është përmbyllur me bekimin e bashkësisë ndërkombëtare, të Grupit të Kontaktit dhe Kombeve të Bashkuara të cilat patën emëruar Martti Ahtisaarin si emisar të posaçëm për statusin. Në këtë drejtim Lama thotë se Ahtisaari ka kryer një punë shumë të mirë dhe në fund e ka përmbyllur procesin me propozimin e tij i cili ka marrë mbështetjen e Grupit të Kontaktit, BE-së dhe fuqive tjera botërore dhe si i tillë, ky proces ka përfunduar edhe për Prishtinën.
“Zgjidhja e statusit të Kosovës është nj zgjidhje që siguron më të mirën për rajonin, siguron stabilitet afatgjatë në Ballkan dhe të gjithë faktorët politik do at vlerësojnë, të gjitha shtet do ta vlerësojnë një gjë të tillë dhe do të kenë kurajën dhe vizionin që ta pranojnë nevojën e përmbylljes sa më parë të procesit të statusit të Kosovës dhe kjo duhet të bëhet në fatet sa më të shpejta dhe të arsyeshme”, tha zëdhënësja Lama.
Ulpiana Lama tha po ashtu, se qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë paralajmërim zyrtar se do të mund të pritej një proces i ri apo një zvarritje e procesit aktual të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ndërkohë, Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës, subjekti ky më i madh opozitar, thotë se qëndrimi më i ri i Rusisë është një lloj sulmi ndaj procesit të deritashëm, në të cilin janë të përfshira fuqitë e mëdha. Sipas Enver Hoxhajt, pozicionimi më i ri rus paraqet një paralajmërim për sjelljet e Moskës në Këshillin e Sigurimit kur të vijë në rend dite miratimi i Rezolutës së re për Kosovën. Në këtë aspekt, Hoxhaj thotë se pozicioni i Prishtinës do të mbetet i pandryshueshëm, duke mos përkrahur asnjë formë të vazhdimit të negociatave dhe duke mirëpritur rezolutën e re e cila, sipas tij, do ta shpinte Kosovën kah pavarësia e saj.
“Ideja kryesore e Moskës zyrtare është që ta krijoj një ambient të tillë politik ku ndoshta qëndrimi rus do të jetë shumë më i fuqishëm në rezolutën e ardhshme të Këshillit të Sigurimit. Ajo çka për ne është më se e rëndësishme është që rezoluta e re e Këshillit të Sigurimit definitivisht ta përfundojë rezolutën aktuale, ta heqë çdo gjë që do ta lidhte Kosovën me çdo krijesë që ka ekzistuar në të kaluarën dhe mbi të gjitha të mundësojë që prania e ardhshme ndërkombëtare të vendoset në Kosovë. Çdo paqartësi e mundshme politike e legale do ta dëmtonte vendosjen e pranisë së ardhshme ndërkombëtare në Kosovë dhe mbi të gjithat do ta rrezikonte stabilitetin në rajon”, tha Hoxhaj.
Në anën tjetër, profesori i shkencave politike, Ibrahim Gashi thotë se Rusia në vazhdimësi ka qenë e pozicionuar në mbrojtje të interesave të Serbisë. Por, kërkesa e Moskës për një proces të ri negociues, sipas tij, nuk do të mund të realizohej sepse kjo do të shënonte dështimin jo vetëm të procesit të deritashëm negociues, por edhe dështim të bashkësisë ndërkombëtare e përfshirë në zgjidhjen e statusit të Kosovës.
“Kërkesa për të rifilluar edhe një herë nga zeroja procesi negociator është e papranueshme dhe definitivisht nuk mendoj se do të gjejë mbështetjen as të anëtarëve tjerë të Këshillit të Sigurimit, por as brenda komunitetit ndërkombëtar që është i përfaqësuar në OKB, dhe aq më tepër as brenda Bashkimit Evropian, sepse po thuaj të gjitha këto instanca njëzëri e kanë mbështet pakon e Ahtisaarit”, tha Ibrahim Gashi. Sipas tij, krejt çka mund të prodhoj ky pozicionim rus është një shtyrje jo afatgjatë e procesit të vendimmarrjes lidhur me statusin e Kosovës, por jo edhe rifillimin e tij. Pas diç më gjatë se një viti të procesit negociues për statusin e Kosovës, ndërmjet Prishtinës e Beogradit nën ndërmjetësimin e emisarit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, ky i fundit u ka dorëzuar palëve dokumentin e tij final të cilin më pas i ka proceduar dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Në bazë të këtij dokumenti, Prishtina pret që Këshilli i Sigurimit, para qershorit të nxjerr rezolutën e re për Kosovën e cila besohet se i hapë të gjitha mundësitë që Kosova të bëhet një vend i pavarur, duke vënë dhe një mision civil mbikëqyrës ndërkombëtar dhe vazhdimin e pranisë ushtarake të NATO-s për të garantuar sigurinë e saj.
XS
SM
MD
LG