Ndërlidhjet

PAGE: ÇDO SHTYRJE E ZGJIDHJES SË STATUSIT SHTON MUNDËSITË E DHUNËS


Albana Isufi

Ekonomia e dobët, papunësia, statusi i padefinuar, sipas Sektorit për Rishikimin e Sigurisë së Brendshme kanë bërë që kosovarët të jenë të frustruar dhe të prirur të reagojnë në mënyrë më euforike.
Eksperti i sigurisë Michael Page, tre muaj pas publikimit të raportit për sigurinë në Kosovë, thotë se situata e sigurisë është e brishtë dhe ka rrezik që të eskalojë në dhunë. “Kemi parë frustrime të vazhdueshme në mesin të gjithë popullatës, që po bëhet gjithnjë e më shumë e frustruar rreth se ardhmes së Kosovës. E dimë se kur kemi popullatë me një frustrim të tillë, herët a vonë diçka që në një situatë normale nuk do të shkaktonte telashe, shumë lehtë do të eskalonte dhe po ashtu shumë shpejt do të shndërrohet në krizë. Mendoj se rreziku i daljes nga kontrolli i gjërave është relativisht i lartë dhe çdo shtyrje e mëtejme e zgjidhjes së statusit do të rrisë stresin, brengat tek të gjithë njerëzit në Kosovë dhe mundësitë për të pasur dhunë apo ndonjë lloj konfrontimi”, thotë Michael Page, i cili tërheq vërrejtjen se veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe vazhdon të mbetet një pikë e ndjeshme për sigurinë e Kosovës.
“Ne kemi një situatë vërtet tensionuese këtu. Këto tensione do të ngriten, pëderisa njerëzit nuk janë të sigurtë për të ardhmen, prandaj unë jam i brengosur se mund të shohim ndonjë formë te dhunës në disa faza nëse shpejt nuk kemi qartësi në mënyrë, që të fillohet me adresimin e çështjeve,” thotë Michael Page.
Përfaqësues të ISSR-së kanë qenë ndër të parët që kanë
rekomanduar krijimin e një arkitekture te tërë të sigurisë së Kosovës, përfshirë këtu krijimin e forcave mbrojtëse, ministrinë e mbrojtjes, shërbimin sekret dhe institucione tjera. Page thotë se edhe pse janë bërë ndaras, rekomandimet e ISSR-së dhe të UNOSEK-ut kanë ngjashmëri.“Nëse dy institucione vijnë me të njëjtat rekomandime, kjo tregon se Kosova ka nevojë për këto institucione”, thotë Page, i cili thotë se aktualisht nuk mund të bëhet asgjë për ngritjen e kësaj arkitekture për shkak se nuk lejon rezoluta 12 44.
”Kjo arkitekture është tërësisht e pavarur nga rezoluta 12 44 dhe duhet një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit. Tash kemi propozimin e Ahtisaarit, por kjo nuk do të thotë se Këshilli i Sigurimit domosdoshmërisht do ta miratojë atë propozim, kështu që ne duhet pritur se çka thuhet ne rezolutën e Këshillit të Sigurimit,” thotë Page.
Michael Page është i bindur se problemet dhe tensionet etnike në Kosovë zhduken me zhvillimin e ekonomisë dhe hapjen e vendeve te reja të punës.
XS
SM
MD
LG