Ndërlidhjet

IVANKO: SHTYRJA E STATUSIT MUND TA BËJË SITUATËN TË PAMENAXHUESHME


Aleksandër Ivanko, zëdhënës i UNMIK-ut

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë thekset e takimit të sotëm dhe përsë u bë me dyer të mbyllura, kur rëndom ky është një debat i hapur?

ALEKSANDËR IVANKO
Vendimi për takim të mbyllur apo jo merret nga Këshilli i Sigurimit.
Mund të them se zoti Ryker foli për situatën në Kosovë, duke u përqëndruar dhe në pakon e Ahtisarit dhe zhvillimet në terren. Ryker theksoi faktin se negociatorët kosovarë kanë mirëpritur propozimin e zotit Ahtisari, derisa serbët e Kosovës përgjithësisht kanë reaguar negativisht ndaj propozimit.
Debate u zhvilluan si në takimin e mbyllur dhe në takimin joformal. Shumica e vendeve anëtare diksutuan rreth raportit të zotit Ryker.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat ishin reagimet e vendeve anëtare në KS rreth raportit të shefit të UNMIK-ut?

ALEKSANDËR IVANKO
Ka qenë një debat i gjallë dhe nuk varet nga unë të komentoj qëndrimet e vendeve të veçanta. Nga ana tjetër në takim foli dhe zonja Rashkoviç Iviç në emër të Serbisë. Natyrisht disa nga qëndrimet e saj rreth gjendjes në Kosovë ishin të ndryshme nga ato të UNMIK-ut.

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasadori rus akuzoi zotin Ryker se ishte i njëanshëm dhe se foli për pavarësinë e Kosovës kur nuk ishte i ngarkuar për një gje të tillë. Njëherësh pati raporte se për shkak të mospjatimit me zotin Ryker ambasadori Çurkin lëshoi sallën.

ALEKSANDËR IVANKO
Ne i dëgjojmë me kujdes deklaratat e të gjitha vendeve anëtare, përfshi dhe atë të Federatës Ruse. Ambasadori Çurkin foli kryesisht vetëm për propozimin e zotit Ahtisari dhe si e shihnin ata gjendjen në terren.
Por zoti Ryker, i cili foli dhe për atë se si e shihte gjendjen në Kosovë në fazat e ardhshme të përcaktimit të statusit, e bëri shumë të qartë se çdo shtyrje e mëtejshme për statusin do krijonte një situatë në terren që do ishte e pamundur të menaxhohej. Ka pasur debat në Këshillin e Sigurimit, por i mbetet vendeve të komentojnë qëndrimet e amabsadorëve të tyre.

RADIO E ROPA E LIRË
Sërish do t'u pyesja rreth akuzave që ambasadori Çurkin drejtoi ndaj zotit Ryker dhe sërish do pyesja a e lëshoi sallën ambasadori Çurkin?

ALEKSANDËR IVANKO
Së pari raporti ynë drejtuar Këshillit të Sigurimit është i baraspeshuar dhe tregon se si ne e shohim gjendjen nga Prishtina dhe jo Nju Jorku. Sërish i mbetet vendeve të vendosin si do reagojnë. Ne i dëgjojmë të gjitha deklaratat, pa përjashtim dhe nuk komentojmë rreth modaliteteve të ambasadorëve të vecante.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i përket qëndrimit të Rusisë, si vend me të drejtë vetoje në KS, si do ndikojë pozicioni rus në ecjen përpara të statusit?

ALEKSANDËR IVANKO
Rusia është vend anëtar i Grupit të Kontaktit, i cili ka mbështetur jo vetëm punën e të dërguarit për statusin, por dhe të UNMIK-ut. Ne besojmë se Rusia është anëtar konstruktiv i Grupit të Kontaktit dhe do vazhdojë të mbështesë hapat që do çojnë në zgjidhjen e statusit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të konfirmoni se ky do jetë raportimi i fundit para KS-së apo do kemi dhe raportime të ardhshme nga UNMIK-u?

ALEKSANDËR IVANKO
Ngjarje apo raportime të tilla varen nga Këshilli i Sigurimit. Domethënë raportime të tjera do kemi nëse kemi kërkesa nga Këshilli i Sigurimit. A do kemi një kërkesë të tillë për këtë mbetet të shohim.

Bisedoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG