Ndërlidhjet

SHTYRJA E ZGJIDHJES SË STATUSIT FINAL PRODHON KRIZË


Albana Isufi

Zyrtarë të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, tërheqin vërejtjen se shtyrja eventuale e zgjidhjes së statusit final të Kosovës, mund të prodhojë përshkallëzim të situatës së sigurisë. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Naim Maloku, thotë se vetë procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës, është një sfidë për sigurinë në Kosovë dhe çdo shtyrje rrit rrezikun për kriza. “Vetë shtyrja e definimit të statusit nga viti i kaluar në këtë vit, ka prodhuar situata të ndërlikuara dhe ka prodhuar tensione në Kosovë. Ndërsa, shtyrja eventuale e definimit të statusit pas qershorit është me një rrezikshmëri edhe më të lartë të eskalimit të situatave në Kosovë”, tha Maloku, pasi që komisioni që ai drejton mori një vlerësim të sigurisë nga ana e Zyrës për Siguri Publike të Kryeministrisë. Një përshkallëzim të situatës së sigurisë në rast të shtyrjes së statusit e kanë paralajmëruar mekanizma ndërkombëtarë, që merren me sigurinë. Ndërkohë, kjo është thënë edhe nga ish-ambasadori amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Richard Holbrooke. Naim Maloku thotë se të gjitha këto paralajmërime kanë bazë. “Vetë procesi i definimit të statusit është një sfidë për Kosovën, për qytetarët e saj, për institucionet, dhe kjo e rrit rrezikshmërinë e përsëritjes së situatave të krizave, pavarësisht se nga cili komunitet vijnë. Po merren masa preventive, që të mos vijë deri te eskalimi, që do të mund t’i kalonte kufijtë e menaxhimit”, theksoi Maloku. Në anën tjetër, kreu i Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, Hajredin Kuçi, thotë se statusi final do të zgjidhet përmes rrugëve institucionale, që nuk do të lënë hapësirë për eskalim të situatës. “Çdo zgjidhje duhet të bëhet në institucione. Nëse ne nuk jemi të përgjegjshëm, do të krijojmë hapësirë për lëvizje jashtë institucioneve. Unë jam i bindur se ne do t’i kryejmë obligimet, institucionet e Kosovës do t’i kryejnë obligimet, Kuvendi i Kosovës do ta kryejë obligimin e vet në përputhje me vullnetin e popullit”, tha Kuçi. Por, Zyra për Siguri Publike e Kryeministrisë vlerëson, se edhe pse aktualisht situata e sigurisë është e qetë dhe e qëndrueshme, faza e përcaktimit të statusit, sipas kësaj zyreje, rrit mundësinë për reagime të popullatës. Drejtuesi i kësaj zyreje, Enver Oruçaj, thotë se përmes koordinimit të punëve, zyra ndihmon në menaxhimin e krizave eventuale. “Zyra për Siguri Publike koordinon punën në mes të institucioneve që merren me çështje operative të menaxhimit të situatave të krizave, në mes të institucioneve më të larta në nivelin e Qeverisë së Kosovës”, u shpreh Oruçaj. Zyra për Sigurinë Publike e kryeministrit vazhdon të monitorojë situatat për të cilat konsideron se janë të ndjeshme, siç është ndikimi i vendimit për statusin përfundimtar të Kosovës në fushën e sigurisë në vend, reagimet e mundshme nga komunitetet minoritare apo edhe nga një pjesë e shumicës së popullsisë, gjatë dhe pas marrjes së vendimit të statusit përfundimtar. Çështje të ndjeshme që mund të prodhojnë pakënaqësi konsiderohen edhe trashëgimia kulturore dhe e ardhmja e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, procesi i decentralizimit, si dhe ndikimi i Lëvizjes Vetëvendosje apo grupeve të tjera në sigurinë dhe rendin publik.
XS
SM
MD
LG