Ndërlidhjet

NË LUFTË KUNDËR NARKOMANISË


Bekim Bislimi

Narkomania tashmë është dukuri në Kosovë dhe numri i personave, të cilët i keqpërdorin substancat narkotike është duke u rritur. Por, përderisa shoqëria dhe institucionet qeveritare janë duke i mbyllur sytë para kësaj të keqeje, këtë nuk mund ta bëjnë personat që tashmë kanë kaluar nëpër një përvojë të tillë. Kështu thonë disa të rinj, që i janë nënshtruar më parë trajtimit në Qendrën Mediko-psikoterapeutike “Labirinth” në Prishtinë, në të cilën trajtohen personat e varur nga substancat narkotike. Një i ri nga Prishtina thotë se keqpërdorimin e substancave narkotike e kishte filluar në moshën 17 vjeçare, por tashmë ishte kuruar dhe se është angazhuar në projektin për parandalimin e përhapjes së narkomanisë, si dhe zvogëlimin e dëmeve tek përdoruesit aktualë të drogave. “Unë jam Beni, jam 22 vjeçar dhe jetoj në Prishtinë. Jam ish-përdorues i marihuanës. Shumë të rinj kanë filluar të përdorin drogë, kjo është arsyeja që unë të bëj diçka për ata. Ajo është një përvojë e imja nëpër të cilën kam kaluar. Është vështirë për secilin narkoman që ta lë drogën, por nëse të ndihmon dikush dhe nëse i ndihmon vetes, është diçka që mund të lihet”, shprehet Beni. Ndërkaq, pedagogia Djellusha Dushi, administratore e qendrës “Labirinth”, thekson se kjo qendër, në bashkëpunim me klientët, ka ndërmarrë një varg nismash që hynë në funksion të luftës kundër narkomanisë, dhe një nismë e tillë është edhe projekti që tashmë është duke u realizuar. “Kemi një projekt të financuar nga UNICEF-i. Në kuadër të atij projekti, së pari është dashur të mbledhim informata nëpër vendet ku përdorët droga, që të shihet si është gjendja në ato vende, cilat janë sjelljet e përdoruesve, e mandej Labirinth-i ka mbledhur ekipin, i cili ka marrë pjesë në punën në terren. Dhe, kemi vendosur të formojmë broshura, në mënyrë që të parandalohen ose të informohen për rreziqet e drogës ata persona, të cilët nuk ia kanë filluar ose vetëm ia kanë filluar dhe janë në atë fazën eksperimentale. Personat që e kanë braktisur drogën janë të involvuar në përgatitjen e broshurave”, thekson zonjusha Dushi. Një i ri tjetër, 19 vjeçar, i cili tha se quhej Nushi, pohon se tashmë ka kaluar trajtimin në qendrën “Labirinth”, dhe i është shmangur vartësisë nga mjetet narkotike. Ai po ashtu thekson, se është kyçur për realizimin e projektit të përbashkët me qendrën “Labirinth”. “Broshurat që po i bëjmë do të përfshijnë të gjitha dhe kanë besim tek ne, sepse na njohin. Mendoj se do të ketë sukses, ndoshta jo të ndryshohen krejt sjelljet e tyre, por të paktën pak të ndikojnë tek ata, që të informohen për rreziqet. Në broshura do të jetë një tekst i posaçëm vetëm për overdozë, që në rastet kur dikush bie në overdozë ose është në rrezik të jetës, aty do të jenë të gjitha të dhënat se si duhet vepruar”, thekson Nushi. Narkomanët ende janë kategori e popullatës, e cila është e stigmatizuar nga shoqëria, por sipas Benit, përkundër përmasave të kësaj dukurie, angazhimi i deritashëm i shoqërisë dhe i institucioneve për ta luftuar atë, ka qenë tejet i varfër. “Ne kemi parë që asnjë organizatë nuk merret me këta përdorues të drogave. Kështu që, ne kemi filluar. Ekzistojnë shumë vende, që ata përdorin drogë, por askush nuk është i interesuar t’i informojë ata. Dhe, kjo ka qenë arsyeja ime dhe e shokëve, që ne të bëjmë diçka për ata, për jetën e tyre. Numri i narkomanëve është në rritje e sipër, dhe kjo është serioze”, vlerëson Beni. Indikacionet për ngritjen e numrit të keqpërdoruesve të drogave, i pohon edhe administratorja e qendrës “Labirinth”, zonjusha Dushi. ”Numri është në rritje. Vetëm brenda muajve janar-shkurt të këtij viti, ka pasur 262 intervenime, 29 kanë qenë raste që janë paraqitur për herë të parë në ‘Labirinth’, do me thënë që abuzojnë drogën. Mosha mesatare, në përgjithësi e klientëve të ‘Labirinth’-it, është mosha 24 vjeçare; ndërsa kur kanë filluar të përdorin heroinën për herë të parë, mosha mesatare është ajo 19 vjeçare”, pohoi Djellusha Dushi. Sidoqoftë, zonjusha Dushi ka shprehur mendimin se parandalimi i zgjerimit të fenomenit të narkomanisë, si dhe lufta kundër këtij fenomeni, meritojnë qasje më serioze se sa deri më tani nga shoqëria dhe institucionet kosovare.
XS
SM
MD
LG