Ndërlidhjet

JACKSON:"RUSIA NUK MUND TË PENGOJË PAVARËSIMIN E KOSOVËS"


Bruce JACKSON, kryetar i Projektit për Demokracitë në Tranzicion/Uashington/

RADIO EVROPA E LIRË
Si i komentoni prononcimet e fundit të Rusisë rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës?

BRUCE JACKSON
Dihet se Rusia në formë dramatike ka ashpërsuar pozicionin e saj në skenën ndërkombëtare viteve të fundit. Këtë e ka konfirmuar edhe fjalimi i paradokohshëm i Putinit në Mynih. Kremlini me veprimet e veta është duke u shkaktuar probleme Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Disa thonë se gjithë kjo është pasojë e rrethanave të brendshme në Rusi, para së gjithash betejës për trashëgimtarin e Putinit, në vitin 2008 kur t'i skadoi mandati. Kuptohet kërcënimi me veto dhe vetoja nuk janë njësoi. Moska deri më tash ka sinjalizuar se do të bllokojë vendimin në Këshillin e Sigurimit në një përpjekje për të vënë në dyshim unitetin e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Rusia është duke ashpërsuar retorikën me qëllimin e fundit që konsiston në veto apo kemi të bëjmë me manovrim për të ngritur çmimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

BRUCE JACKSON
Nuk jam i sigurtë nëse kemi të bëjmë me tregëti të drejtpërdrejt si për shembull për Abkhazinë. Një tregëtim i tillë nuk është real dhe bashkësia ndërkombëtare këtë mundësi e ka hedhur posht. Në fakt Rusia është duke shfrytëzuar konfuzionin për shkak të ndasive brenda Bashkimit Evropian. Moska synon të nxisë jostabilitet. Brukseli dhe Uashingtoni tash një dekadë synojnë të stabilizojnë Ballkanin. Kur bëhet fjalë për Kosovën, tash sa vite ekziston unitet në pjesën më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare për statusin e saj final. Rusia tash synon të minojë këtë konsenzus dhe të dalë në skenë si fuqi e madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se në fund Rusia do të rrezikoi të mbetet e izoluar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara apo mbase do të synoi kompromisin në Këshillin e Sigurimit?

BRUCE JACKSON
Kjo është një pyetje shumë interesante, sepse këtu nuk kemi të bëjmë me Rusinë, por me statusin final të Kosovës dhe vendosjen e paqes afatgjatë në Ballkan. Rusia vullnetarisht është hedhur në këtë proces për të fokusuar vëmendjen te synimet e saja imperialiste në territorin e ish – Bashkimit Sovjetik dhe më gjërë. Kjo është sjelle negative dhe për keqardhje. Por, Rusia nuk mund të pengoi zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Pavarësisht nëse do të ketë rezolutë të miratuar në Këshillin e Sigurimit ose jo, Kosova është duke ecur drejt pavarësisë. Krejt çfarë mund të bëjë Moska është nxitja e zemrimit dhe dhunës te pala shqiptare ose serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse Rusia vë veto në Këshillin e Sigurimit, a do të thotë kjo se Kosova do të kërkoj rrugë tjera drejt pavarësisë?

BRUCE JACKSON
Nuk mbaj mend se nga cili shtet i ri është kërkuar që me rezolutën e Këshillit të Sigurimit t'i njihet pavarësia. Nuk më kujtohet nëse Këshilli i Sigurimit i kishte miratuar Sllovenisë braktisjen e ish – Jugosllavisë. Pra, nuk është e domosdoshme që Këshilli i Sigurimit të njoh pavarësinë e Kosovës, ndonëse madje edhe Shtetet e Bashkuara thonë se kjo është e domosdoshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, cili është atëherë kushti që një vend të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara?

BRUCE JACKSON
Që shteti të jetë funksional dhe i qëndrueshëm. Këtë vendim duhet ta marrë Kuvendi i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Kosova do të shkoi rrugës së ngashme që ka shkuar Mali i Zi. Pra, njohja individuale nga çdo vend dhe njëkohësisht pranim në institucionet e ndryshme ndërkombëtare, nisur nga ato politike dhe deri te ato tregëtare dhe financiare.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni zhvillimet e mëtejme nëse Rusia vë veto?

BRUCE JACKSON
Nuk besoj se Rusia do të vë veto. Këshilli i Sigurimit dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara duhet të shkruajnë raportin pas debatit për planin e Ahtisarit, por nuk janë të obliguar të ndërmarrin hapa tjerë konkret. Në këtë çast nuk dihet se çfarë do të thuhet në rezolutë. Është një bindje e përgjithshme se pavarësia nuk do të përmendet në formë eksplicite. Por, ajo do të jetë rrjedhë normale e zhvillimeve. Shpresoj se i tërë procesi do të zhvillohet ashtu që deri në vjeshtë gjendja të stabilizohet dhe normalizohet, mendoj pas vendimit të miratuar më heret për statusin. Më duhet të them se ekziston rrezik real që Rusia me politikën e vet të inkurajojë elementet radikale në Serbi. Nëse nuk pranon zgjidhjen për Kosovën dhe përcaktohet për konflikte, atëherë Serbia edhe më tej do të mbetet e izoluar nga Bashkimi Evropian, me mundësi më të vogla për t'u anëtarëuaa ndonjëherë, me bashkëpunim të vështirësuar ekonomik dhe regjim vizash dhe humbjen edhe të një brezi të të rinjëve nga zhvillimet evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa thonë se në çastin kur Kosova të pavarësohet, serbët do të shpallin shkëputjen e pjesës veriore dhe bashkimin me Serbinë. A mendoni se ky skenar është realisht i mundur?

BRUCE JACKSON
Shpresoj se nuk është. Nëse analizohet plani i Ahtisarit, shihet se janë paraparë të drejta dhe mbrojtje e konsiderueshme për pakicat. Gjithashtu nuk ka asnjë dyshim që NATO edhe për një kohë të gjatë do të mbetet në Kosovë.

Intervistoi: D. SHTAVLJANIN
XS
SM
MD
LG