Ndërlidhjet

SERBËT NË PRIZREN NDIHEN TË HARRUAR


Rrahman Paçarizi

Para luftës, në qytetin e Prizrenit kanë jetuar rreth 8 mijë serbë, ndërsa pas qershorit të vitit 1999 aty nuk mbetën më shumë se disa qindra, ndërkohë që ky numër u zvogëlua edhe më, pas trazirave të marsit të vitit 2004. Ata që kanë mbetur thonë se ndihen të harruar nga të gjithë, se nuk kanë punë e as ndihma humanitare, dhe se askush nuk i viziton. Krsta Spasiq, 74 vjeç, është një nga serbët e mbetur në Prizren. “Po shohim në televizor, se do t'na sjellin ndihma, por asgjë deri më tash, madje as zgjedhjet për ne nuk i kanë organizuar. Jemi krejtësisht të harruar”, thotë plaku Spasiq. Ai jeton në një paralagje të Prizrenit dhe thotë se bën jetë të vështirë, si për shkak të mungesës së mjeteve themelore për jetesë, ashtu edhe për shkak të shqetësimit për sigurinë personale. Ndërkaq, serbja më e re, që aktualisht jeton në Prizren, është katërmbëdhjetëvjeçarja Milica Gjorgjeviq, nëna e së cilës, Evica, dikur ka punuar mësuese. “Më vonë, meqë më mbeti vetëm një nxënës, KFOR-i vendosi që nxënësin ta sjellin në shtëpi tek unë, dhe dhoma ime u bë dhomë mësimi”, thotë mësuesja Evica Gjorgjeviq, e cila aktualisht jeton nga ndihmat sociale. Shumë shtëpi të serbëve janë dëmtuar gjatë trazirave të marsit, mirëpo autoritetet komunale dhe zyrtarët e Ministrisë për Kthim dhe Komunitete kanë një plan për kthimin e të zhvendosurve në qytetet e Kosovës, ku Prizreni është ndër prioritetet. Ndërkohë, që kishat dhe objektet e tjera ortodokse serbe që ndodhen në këtë qytet, janë rindërtuar ose po meremetohen, Qeveria planifikon që atje të nisë kthimi i organizuar i të zhvendosurve, pikërisht në Lagjen e Nënkalasë, që ishte më e dëmtuara gjatë trazirave të marsit. Në qytetin e Prizrenit, me gjithë telashet, ka serbë që thonë se kurrë nuk kanë pasur probleme me fqinjët shqiptarë. Jovica Jovanoviq është 55 vjeç. Jeton në Prizren bashkë me vëllaun e tij dhe thotë se deri më tash, asnjëherë nuk ka pasur probleme me fqinjët shqiptarë. “Unë nuk e di se çfarë flasin të tjerët, por marrëdhëniet janë siç kanë qenë, si para luftës, si gjatë luftës, e edhe tash asgjë nuk ka ndryshuar”, shprehet Jovanoviq, duke shtuar se çfarëdo tjetër që do të thoshte për raportet me fqinjët shqiptarë, do të ishte gënjeshtër. Jovica thotë se nuk marrin kurrfarë ndihmash nga Qendra Koordinuese e Serbisë për Kosovën, përveç një pakoje me ndihma që ata kanë marrë para një viti e gjysmë.

XS
SM
MD
LG