Ndërlidhjet

POZITA DHE OPOZITA VAZHDOJNË TË MOS PAJTOHEN PËR TELEFONINË MOBILE


Nadie Ahmeti

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i ka cilësuar si të pabaza akuzat e disa ligjvënësve nga radhët e opozitës, mbi, siç kanë thënë ata, keqpërdorim dhe përfshirjen e Qeverisë në përzgjedhjen e operatorit të dytë të telefonisë mobile. Zoti Çeku i ka bërë këto komente në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, e cila është mbajtur me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës. Konzorciumi IpkoNet dhe Telekom Slovenia/Mobitel, në fillim të këtij muaji është shpallur fitues i operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë, pas dështimit të fituesit të parë, konzorciumit KosmoCell, që të përmbushë obligimet financiare. Kryeministri është i bindur se i gjithë procesi i përzgjedhjes së operatorit të telefonisë mobile, është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe në mënyrë transparente. “Dyshimet të vërtetohen përmes organeve kompetente, të ftohet auditi gjeneral, të ftohet ‘guardia di finanza’, të ftohet kushdo, çdo kompani tjetër. Por, deri atëherë unë nuk dua t’u besoj organizatave joqeveritare. Kam dyshim të plotë në motivin e atyre, që i shqiptojnë këto shpifje e akuza në drejtim të Qeverisë, por do të respektoj çdo fakt të gjetur nga organet kompetente”, tha kryeministri Çeku. Në këtë seancë është ftuar edhe udhëheqësi i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Anton Berisha, i cili duke shpjeguar mënyrën e tenderimit për operatorin e dytë, tha se ky proces është përmbyllur në pajtim me ligjin. “Konsideroj se përpjekja e personalizimit të këtij procesi në kontekstin negativ në emrin tim personal, është i pashembullt në praktikat e vendeve evropiane, dhe nga dokumentacioni që ekziston është absolutisht i pambështetur në fakte”, tha Anton Berisha. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, ndërkaq nuk pajtohet me këto konstatime. Jakup Krasniqi, shef i këtij grupi, ka kërkuar formimin e një agjencie të pavarur, për të bërë vlerësimin e të gjitha procedurave të tenderit. “Vlerësimi të bëhet në mënyrë transparente. Në vlerësim të marrin pjesë nga dy deputetë të partive më të mëdha në Parlament, dhe nga një deputet i të gjitha partive politike të përfaqësuara në Parlament”, theksoi Krasniqi. Edhe Nazim Jashari, nga Partia Reformiste Ora, pohon se hapja e tenderit nuk është bërë në mënyrë publike. “Hapja publike nënkupton të mos ketë paqartësi, të mos ketë dilema dhe mos të lë vend për dyshime, që fatkeqësisht kanë lënë vend për dyshime”, u shpreh Jashari. Megjithatë, partitë politike në koalicionin qeverisës i kanë dhënë mbështetje procesit të zhvilluar në tenderim. Alush Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se kjo parti pranon që çështja në fjalë të ngritet edhe në instancat më të larta gjyqësore, por nuk i pranon, siç tha ai, akuzat politike. “Nëse opozita nuk është e kënaqur me përgjigjen e Qeverisë, nëse opozita kërkon që kjo çështje t’i nënshtrohet një auditimi, ne do të marrim në shqyrtim atë kërkesë, dhe do të mbështesim me përpikmëri organizimin ligjoro-kushtetues të vendit tonë”, pohoi Gashi. Edhe Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e vlerëson projektin e operatorit të dytë të telefonisë mobile si të suksesshëm. Gjylnaze Syla, shefe e grupit parlamentar të kësaj partie, tha se të gjithë duhet pasur parasysh faktin, se përfitues të këtij projekti duhet të jenë qytetarët dhe jo individët apo grupacionet e caktuara. “Projektin e zgjedhjes së operatorit të dytë të telefonisë mobile, e konsiderojmë të suksesshëm, sepse oferta është e mirë. Argumenti është, se 75 milionë euro është shitur licenca, jo asetet”, tha Syla. Me gjithë debatin që është zhvilluar sot në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje, ky institucion nuk ka mundësi ligjore për të bërë ndryshime në vendimin e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit. I vetmi që e gëzon këtë të drejtë, është shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG