Ndërlidhjet

logo-print

QEVERIA E ZHGËNJYER ME LARGIMIN E KONTINGJENTIT TË POLICISË RUMUNE


Zijadin Gashi

Kontingjenti prej 75 policëve nga Rumania, që bënte pjesë në kuadër të pjesëtarëve të policisë së Kombeve të Bashkuara, ka lëshuar Kosovën, njofton administrata e UNMIK-ut. Bashkë me këtë njësit, më 21 mars përmes Maqedonisë, janë larguar edhe 11 policë rumunë, edhe pse nga ta është kërkuar që të qëndrojnë në Kosovë deri më 6 prill, për shkak të hetimeve që po bëhen në lidhje me ngjarjen e 10 shkurtit në Prishtinë, kur si pasojë e plagëve të marra gjatë protestave të Lëvizjes Vetëvendosje patën humbur jetën dy persona dhe qenë lënduar dhjetëra të tjerë. Përmes një komunikate, UNMIK-u thotë se autoritetet rumune nuk janë pajtuar që këta 11 policë të qëndrojnë deri më 6 prill në Prishtinë, për shkak të hetimeve që po bëhen. Ndërsa, administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë pret që autoritetet rumune do të përmbushin obligimet e tyre dhe do të vazhdojnë të bashkëpunojnë e ndihmojnë tërësisht hetimet, në lidhje me incidentet e 10 shkurtit, Qeveria e Kosovës përmes një komunikate ka reaguar duke shprehur zhgënjim të thellë me veprimin e kontingjentit të policisë rumune. Në këtë aspekt, Qeveria e Kosovës u bën thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, që të kërkojnë nga Qeveria e Rumanisë vazhdimin e bashkëpunimit në procesin hetimor. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, pas një takimi që zhvilloi me zëvendësshefin e UNMIK-ut, Steeven Schook, tha se Qeveria e mbështet UNMIK-un në angazhimin që hetimet të vazhdojnë, pavarësisht faktit se kontingjenti rumun është larguar papritur nga Kosova. “Shpresojmë që ky akt i tillë, i papritur, të mos ndikojë në zhvillimin e hetimeve, të cilat janë kërkuar dhe me këmbëngulësi vazhdojnë të kërkohen. Ne edhe njëherë konfirmojmë, se mbështesim angazhimet e plota të zotit Schook dhe UNMIK-ut me këtë rast, duke dashur të mos lejojmë përsëritje të rasteve të tilla brenda administratës, sepse shkaktojnë jo vetëm pakënaqësi, por edhe defekte në punën tonë të përditshme”, tha Lutfi Haziri. Ndërkaq, Steeven Schook pohoi se UNMIK-u nuk ka autorizime në mbajtjen e kontingjentit policor të ndonjë vendi në Kosovë. Por, ai shprehu besimin se hetimet do të vazhdojnë edhe pas largimit të tyre. “Bashkëpunimi me kontingjentin rumun ishte një shembull. Presim që ky bashkëpunim, të vazhdojë dhe ata të cilët duhet të merren ende në pyetje që ndërlidhen me hetimet, të kthehen dhe ta bëjnë këtë”, theksoi Steeven Schook. Në komunikatën e Qeverisë së Kosovës thuhet se askush nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin dhe mbi këtë bazë, ekzekutivi kosovar thuhet se do të jetë këmbëngulës, që të gjithë të dyshuarit të dalin para gjyqit. Ndryshe, lidhur me sjelljet e policisë gjatë protestës së 10 shkurtit në Prishtinë, janë duke u zhvilluar hetime, jo vetëm në lidhje me tejkalimin e autorizimeve dhe përdorimin e forcës së tepruar, por edhe në lidhje me zbardhjen e rasteve të vdekjes së dy personave, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me plumba të gomës në kokë. Më 10 shkurt, në kuadër të policisë ndërkombëtare kanë qenë të përfshira njësitet policore nga Rumania, Ukraina, Polonia si dhe ato nga Italia.
XS
SM
MD
LG