Ndërlidhjet

logo-print

EN: FORCAT TË PËRQENDROHEN NË NEW YORK


Rrahman Paçarizi

Për Kosovën është i mbyllur kapitulli i Vjenës dhe Ekipi Negociues është i përqendruar në kapitullin e New York-ut dhe të Këshillit të Sigurimit për definimin e statusit, thanë sot anëtarë të Ekipit Negociues të Kosovës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se në takim ishte biseduar për zhvillimet e fundit pas dorëzimit të dokumentit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, një dokument ky që përmban fjalën, pavarësi e mbikëqyrur, siç u shpreh presidenti Sejdiu. “Ne si Kosovë, e kemi pranuar këtë dokument të rëndësishëm, kemi dhënë qëndrimin tonë pohues, duke pasur parasysh se siguron bazat e qëndrueshme për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Po ashtu, është dokument që me rekomandimet përcjellëse, jep vizionin apo formulën e qartë, se cila do të jëtë Kosova në periudhën e pas statusit”, tha presidenti Sejdiu, duke theksuar se forcat e Ekipit Negociues do të jenë të përqendruara tani në New York, në atë që kryeministri Çeku e quajti ‘Kapitulli i New York-ut’. “Kapitulli Vjena përfundoi dhe tani ka filluar Kapitulli i New York-ut i Këshillit të Sigurimit. Ne u pajtuam, se të gjithë duhet ta kemi një aktivitet më të ngjeshur dhe më dinamik e diplomatik për në Këshillin e Sigurimit”, theksoi zoti Çeku. Dhe, përderisa të gjithë anëtarët e Ekipit Negociues janë pajtuar për këtë strategji, ata kanë shprehur qëndrime të kundërta për vazhdimin e punës së Ekipit të Unitetit dhe për proceset e mëpastajme të qeverisjes. Presidenti Sejdiu tha se Ekipi i Unitetit do të ekzistojë deri në momentin e nxjerrjes së rezolutës dhe marrjes së qëndrimeve në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë që kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha: “Kemi të bëjmë tash edhe me deklarata, që ju pyesni, të partisë jounike, të paqëndrueshme, të thyer e të pashpresë. Kështu që, Ekipi i Unitetit definitivisht do ta përfundojë punën me nxjerrjen e rezolutës në Këshillin e Sigurimit dhe do t’i jepet hapësirë demokracisë dhe ndërtimit të relacioneve të qarta pozitë-opozitë”. Duke iu përgjigjur zotit Thaçi, presidenti Sejdiu tha: “Unë nuk hy në ato nivele. Është me rëndësi, që ne kemi bërë një punë të rëndësishme si Ekip i Unitetit dhe mendoj se ajo ka rezultuar me rezultatet konkrete. Është elektorati ai, që cakton validitetin dhe relevancën politike të çdo subjekti politik". Zoti Thaçi e ka quajtur të kompromituar dhe të falimentuar edhe qeverisjen në Kosovë, me ç‘rast kryeministri Agim Çeku ka reaguar, duke thënë se kjo konferencë është dashur të jetë serioze dhe jo të diskutohet në këtë mënyrë. Insistimit të gazetarëve për t’u përfshirë në këtë diskutim, kryetari i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi, iu përgjigj: “Nëse mund t’i ktheni shiritat mbrapa deri në pjesën ku kemi biseduar për statusin, pjesa tjetër është pjesë e jetës së brendshme politike, por në këtë konferencë kisha dashur të flas për statusin”, tha zoti Surroi. Ndryshimi i diskursit të bisedimeve në mesin e Ekipit të Unitetit ka ardhur si pasojë e deklaratave kundërthënëse në mesin e dy partive më të mëdha në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, për mundësinë e një koalicioni qeverisës midis këtyre dy partive.

XS
SM
MD
LG