Ndërlidhjet

RREZIKU PËRBALLË DISA NDËRMARRJEVE TË PRIVATIZUARA


Nadie Ahmeti

Blerësit e ndërmarrjeve shoqërore, të cilët në një periudhë të caktuar nuk përmbushin detyrimet ndaj Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, mund të përballen me humbjen e këtyre ndërmarrjeve. Kjo vlen vetëm për ato ndërmarrje që janë privatizuar me spin-off special, që nënkupton mosndryshimin e veprimtarive të tyre. Në raste të mospërmbushjes së detyrimeve, ndërmarrjet e këtilla sërish kalojnë nën mbikëqyrjen e AKM-së. Ahmet Shala, zëvendësdrejtor në këtë agjenci, thotë se rregulloret i specifikojnë qartazi të gjitha proceset dhe kriteret, që blerësi i ndërmarrjes së privatizuar duhet t’i përmbushë. Ditë më parë, bordi i AKM-së ka paralajmëruar se Industria e Duhanit në Gjilan, Kosova-Tex në Prishtinë dhe Llamkosi në Vushtrri, rrezikojnë me mospërmbushjen e detyrimeve gjatë procesit të privatizimit të tyre. Ahmet Shala, ndërkaq tha se tashmë departamenti i monitorimit që funksionon në kuadër të AKM-së, është duke i monitoruar këto ndërmarrje. “Në rast se ndërmarrja nuk i përmbush obligimet, atëherë AKM-ja është e obliguar, që t’ia tërheq vërejtjen disa herë, deri në skadimin e afatit dyvjeçar, nëse është dy vjetë, nëse është tre, atëherë trevjeçar. Dhe në rastin final, në qoftë se ndërmarrja nuk i plotëson kushtet, AKM-ja e mban të drejtën e të ashtuquajturës “e opsionit të tërheqjes mbrapa të aksioneve”, përkatësisht marrjes së ndërmarrjes nga blerësi në fjalë”, theksoi zoti Shala. Ai ndërkaq tha, se në qoftë se ndërmarrjet nuk përmbushin obligimet që dalin nga spinoff-i special për një kohë të caktuar, AKM-ja atëherë ka mandatin që të anulojë privatizimin e tyre dhe t’i ritenderojë. “Rasti konkret, informatat e para kanë qenë se ato po rrezikojnë për të mos kryer konform investimet e parapara, dhe në këtë mbledhje të bordit është bërë një hulumtim më i thellë, dhe ne do t’ia paraqesim bordit. Dhe nëse vërtet është konstatuar se ata nuk kanë vepruar konform kontratës, mbetet në fuqinë e bordit të AKM-së, se a do të ritenderojë apo çfarë do të bëjë”, u shpreh zoti Shala. Por, ekspertë për çështje ekonomike thonë se AKM-ja në këtë proces ka treguar dobësi. Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se një hap të tillë AKM-ja është dashur ta marrë shumë më herët. “Kjo është edhe një dobësi e vetë funksionimit të AKM-së, sepse sigurisht që grupet punuese të cilat kanë qenë të përcaktuara për të përcjellë spinoff-in special, është dëshmi se nuk e kanë përfunduar punën e vet në rregull, dhe për këtë arsye, një pjesë bukur të madhe të fajit e bartin edhe vetë. Përndryshe, një gjë e tillë nuk tolerohet në vendet tjera”, tha zoti Gërxhaliu. Madje ai thotë se, përveç ritenderimit të këtyre ndërmarrjeve, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, duhet të ndërmarrë edhe masa të tjera ndaj menaxherëve. “Gjatë procesit të privatizimit, premtimet kanë qenë mjaft të mëdha, tejet pompoze, në atë mënyrë janë larguar edhe shumë investitorë tejet seriozë”, pohoi zoti Gërxhaliu. Ndryshe, tek ndërmarrjet e privatizuara me spin-off special, blerësi nuk ka të drejtë të ndërrojë destinimin e tyre, duhet të punësojë një numër të caktuar punëtorësh dhe të realizojë investime të reja. Tek Ndërmarrja Llamkos, e cila është shitur mbi katër milionë euro në vitin 2005, blerësi kishte zotuar se do të punësojë 500 punëtorë dhe do të investojë 15 milionë euro, zotime këto të cilat deri më sot nuk janë përmbushur.

XS
SM
MD
LG