Ndërlidhjet

DRONOV: VENDIMI I IMPONUAR PËR STATUSIN E KOSOVËS - BOMBË E KURDISUR PËR BALLKANIN


Intervistë me Andrei DRONOV, shef i Zyrës së Rusisë në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dronov, propozimi i Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, është pranuar dje nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian, si edhe nga vetë sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon. Por, nuk ka pasur reagime të Rusisë. Cili është qëndrimi i Moskës?

ANDREI DRONOV
Qëndrimi i Moskës është shumë mirë i njohur. Ne do të përkrahim vendimin që do të jetë i pranueshëm për të dyja palët. Aktualisht propozimi i Ahtisaarit dhe letra e tij është duke u studiuar nga delegacioni ynë New York dhe natyrisht nga ekspertët tanë në Moskë, por nuk mendoj se qëndrimi parimor i qeverisë sime do të ndryshojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët rusë kanë kërkuar negociata shtesë dhe një të dërguar të ri të OKB-së. Por, reagimet e djeshme treguan se vendet perëndimore e përkrahin plotësisht propozimin e Ahtisaarit. Vazhdoni të keni të njëjtën kërkesë?

ANDREI DRONOV
Sërish, nuk kam parë asgjë që tregon ndryshimin e qëndrimit të Rusisë. Sa i përket reagimeve të partnerëve tanë në Grupin e Kontaktit dhe në Këshillin e Sigurimit, është një proces normal, njerëzit kanë të drejtë të shfaqin pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre. Në një proces normal të Kombeve të Bashkuara, njerëzit dhe shtetet nuk mund të kenë qëndrime identike në çështje madhore. Dhe çështjet madhore ndërkombëtare vendosen kështu, përmes konsensusit.

RADIO EVROPA E LIRË
A gjendet edhe më tej konsensusi në Grupin e Kontaktit?

ANDREI DRONOV
Dihet se qëndrimet e vendeve anëtare në Grupin e Kontaktit dallojnë, por kjo nuk nënkupton se nuk mund të gjendet mënyra për t’u përafruar qëndrimet e tyre. Procesi do të vazhdojë, ne do të konsultohemi me partnerët tanë në takimin e nesërm të Grupit të Kontaktit dhe procesi për statusin e Kosovës do të vazhdojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, ju mendoni se do ketë negociata shtesë?

ANDREI DRONOV
Ky është qëndrimi ynë. Ne ndjejmë se hapi i mëhershëm nuk ka përfunduar me sukses, sepse për ne sukses nënkupton gjetja e një kompromisi të gjerë. Deri tash nuk kemi parë se kjo është arritur.

RADIO EVROPA E LIRË
... edhe pas negociatave njëvjeçare që përfunduan pa sukses mes palëve?

ANDREI DRONOV
Sinqerisht nuk mendoj se mund të themi se kanë qenë negociata njëvjeçare. Për çështjen kryesore, çështjen e statusit, unë kujtoj se kanë qenë vetëm dy sesione të bisedimeve. Dhe këto dy sesione, megjithë rrespektin, nuk mund t’i konsideroj si përpjekje serioze për të gjetur kompromisin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dronov, Moska thotë se Kosova paraqet precedent, ndërkohë që Perëndimi e sheh Kosovën si rast unik, për shkak të intervenimit të NATO-s dhe pranisë ndërkombëtare këtu. Pse mendoni se Kosova paraqet precedent?

ANDREI DRONOV
Së pari, do t’u sugjeroja të gjithëve që të shikojnë për së afërmi historitë e konflikteve të ndryshme në Evropë. Ju do të shihni se historitë e këtyre konflikteve, përfshirë ato në Kaukaz janë shumë të ngjashme me atë që ndodhi në Kosovë. Së dyti, ne nuk po themi se secili konflikt është i njëjtë apo identik. Ne themi se parimet përmes të cilave duhet zgjidhur këto konflikte duhet të jenë universale. Dhe çkado që thonë juristët, diplomatët, se Kosova është apo nuk është precedent, njerëzit në konfliktet e ngrira do të marrin vendime. Ata do ta pasojnë këtë rrugë dhe kanë thënë disa herë se çkado që lejohet në Kosovë për ta është shembull.
Njerëzit në Transnistri, në Osetinë Jugore, në Abkhazi nuk janë më të këqij se populli i Kosovës, ata kanë të drejtat e njëjta. Për këtë arsye pavarësisht se çka thuhet, Kosova është precedent. Dhe parimet se si duhet zgjidhur këto konflikte, duhet të aplikohen në çdo vend në botë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, sipas jush kosovarët duhet të sakrifikojnë për shkak të këtyre vendeve?

ANDREI DRONOV
Nuk shoh asgjë që ka të bëjë me sakrificë. Unë po flas për përpjekjet për gjetur zgjidhjen në kuadër të kornizave legale ndërkombëtare dhe kjo nënkupton Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo është e vetmja rrugë përmes së cilës do të vendoset. Në këtë rast secili në botë do të shohë se fuqitë botërore dhe palët e konfliktit janë të vendosura që të gjejnë zgjidhje të ligjshme për konfliktin e tyre. Dhe kjo është rruga e vetme për këdo në botë. Çdo veprim individual apo i njëanshëm do të ketë konsekuenca serioze për kornizën ligjore te ligjeve ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Z Dronov, Kosova ka qenë pjesë konstituive e ish- Jugosllavisë, përderisa gjashtë nga këto pjesë tashmë janë të pavarura. Rusia nuk e ka kundërshtuar pavarësinë e tyre. Pse po kundërshton në rastin e Kosovës?

ANDREI DRONOV
Rusia nuk ka kundërshtuar, pasi që këto pjesë integrale të Jugosllavisë kishin arritur vendime kompromisi të pranueshme për secilin dhe Beogradi i ka nënshkruar këto vendime. Mendoj se ky është shembulli më i mirë se si duhet bërë gjërat.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia pas viteve të 90-ta ka lejuar pavarësinë e njësive të saj konstituive - republikave sovjetike, të cilat kishin një përqindje të lartë të popullatës ruse. Pse nuk po e mbështetni të njëjtin parim edhe në Kosovë?

ANDREI DRONOV
Kjo shpërbërje e Bashkimit Sovjetik qe bërë me pajtimin e të gjitha palëve, përfshirë Moskën dhe ne ishim me fat. Natyrisht që ishte proces i dhimbshëm për secilin në Bashkimin Sovjetik. Por, kryeqytetet e republikave dhe Moska erdhën në përfundim se ishte e paevitueshme dhe e pranuan. Pra, sërish këto janë parime universale, duhet të keni pajtimin e palëve dhe këto parime janë aplikuar në Bashkimin Sovjetik. Dhe nuk shoh pse Kosova duhet trajtuar ndryshe.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, duke pasur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të Prishtinës dhe Beogradit, si mendoni se do arrihet kompromisi?

ANDREI DRONOV
Për këtë arsye është zbuluar procesi i negociatave. Duhet të ketë kompromis direkt. Dhe ju lutem, me besoni se në shumë raste, madje edhe në historinë ruse dhe në historinë e fundit ndërkombëtare, palët vijnë në negociata me qëndrime diametralisht të kundërta. Por, përvoja ka treguar se durimi dhe përvoja kanë bërë që këto palë të kuptojnë se është i nevojshëm kompromisi dhe të takohen përgjatë rrugës. Unë mendoj se kjo gjë nuk ka ndodhur në negociatat për statusin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dronov, a ka Rusia interesa në Ballkan, dhe cilat janë ato?

ANDREI DRONOV
Rusia ka shumë interesa në Ballkan. Ato janë edhe interesa politike, edhe ekonomike, dhe në çdo rast Ballkani është njëra nga pjesët më interesante dhe më dinamike të rajonit evropian dhe përfundimisht ne jemi shumë të interesuar në stabilitetin e Ballkanit. Por, sa i përket Kosovës dhe statusit të saj nuk mendoj se vendimi i imponuar, siç mendojnë disa, do të përforcojë stabilitetin apo do të sjellë zgjidhjen finale për Kosovën.
Jam i sigurt se do të jetë një bombë e kurdisur për Ballkanin.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit ka pasur shumë spekulime për veton ruse në Këshillin e Sigurimit. A do të përdorë Rusia të drejtën e vetos në rastin e Kosovës apo jo?

ANDREI DRONOV
Nuk jam i gatshëm që të flasë se çfarë do të ndodhë në Këshillin e Sigurimit. Qëndrimi aktual i Rusisë është saktësisht i atillë që askush nuk duhet të vihet në pozicionin që të shfrytëzojë të drejtën e vetos, për këtë arsye ne po kërkojmë vazhdim të negociatave.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, cka nëse nuk do ketë më negociata?

ANDREI DRONOV
Unë nuk mendoj se jemi në atë situatë. Ne madje nuk jemi as në fazën e draftimit të rezolutës kështu që nuk do të spekuloja për të, por secili nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit ka të drejtën e vetos; është një instrument normal dhe është pjesë e sistemit ndërkombëtar, sistemit legal. Por, sërish mendoj se është shumë herët që të spekulohet për të drejtën e vetos.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni Kosovën dhe Ballkanin pas 10 vjetësh?

ANDREI DRONOV
Shpresoj shumë që, Kosova, Ballkani pikësëpari të jetë një rajon stabil, në rrugë për integrimin në institucionet evropiane dhe ajo që është më e rëndësishmja me një fqinjësi të mirë mes vendeve në Ballkan.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI

XS
SM
MD
LG