Ndërlidhjet

DELEGACIONI I KOSOVËS PARALAJMËRON LOBIM NË NEW YORK


Zijadin Gashi

Ekipi Negociues i Kosovës ka vendosur sot, që të fillojë një fushatë intensive në mbështetje të pakos së Ahtisaarit dhe nxjerrjes së rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Anëtarët e delegacionit më të lartë të Kosovës kanë biseduar sot për praninë e përhershme të tyre në New York, që nga data 3 prill deri në nxjerrjen e rezolutës, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e vendeve që kanë më pak njohuri për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Zëdhënësi i Ekipit Negociues, Skender Hyseni, tha sot se delegacioni ka konstatuar se shumë vende në Këshillin e Sigurimit dinë pak për Kosovën, apo ka edhe aso vende që hezitojnë ta përkrahin pavarësinë e Kosovës, kështu që është parë e nevojshme, që me përfaqësuesit e këtyre vendeve të bisedohet ditëve në vijim. “Me këtë lobim në New York, do të përpiqemi që të jemi të pranishëm sa më shumë, për të mos thënë, vazhdimisht dikush do të jetë i pranishëm në New York. Lobimi dhe kontaktet do të zhvillohen me vendet e Ligës Arabe, me vendet e botës së tretë që janë të pranishme në Këshillin e Sigurimit. Ta zëmë, vendet afrikane, ku disa vende i druhen të ashtuquajturit precedent, që do të shkaktojë pavarësia e Kosovës, e kjo drojë vjen kryesisht si mosnjohje, moskuptim i natyrës specifike ‘sui generis’ të çështjes së Kosovës”, theksoi Hyseni. Ai tha se delegacioni i Kosovës është i bindur, se do të sigurohet mbështetja e nevojshme për nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën, e cila do t’i japë fund Rezolutës aktuale 1244, me çka Kosova definitivisht do të shkëputet nga lidhjet e saja me Serbinë. Ndërsa në planin e jashtëm, u tha se Prishtina parasheh një lobim intensiv në mbështetje të pakos së Ahtisaarit dhe rekomandimit të tij për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, në planin e brendshëm Hyseni tha se Kuvendi do të jetë institucioni i cili do të vendosë lidhur me hapat e ardhshëm, që do të konsiderohen të domosdoshëm dhe me të cilët do të rikonfirmohet qëndrimi i Kosovës për zbatimin e marrëveshjes për statusin. ”Menjëherë pas miratimit të rezolutës së re, Kosova shumë shpejt, në mënyrë rapide, do të bëjë veprimet e duhura për ta zyrtarizuar pavarësinë e Kosovës”, tha zëdhënësi i Ekipit Negociues. Hyseni tha po ashtu, se pavarësisht faktit se kohë më parë ishte vlerësuar që Kosova duhet t’i ketë shumë shpejt simbolet e veta si dhe Kushtetutën, tani është marrë vendim që të mos nxitohet, në mënyrë që puna në këto çështje të përfundojë me sukses dhe pa nxitime. Sidoqoftë, Ekipi Negociues edhe në takimin e sotëm ka përsëritur qëndrimin, se 26 marsi, dita kur sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, u ka dorëzuar vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit propozimin dhe rekomandimin e Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur, paraqet një datë historike për Kosovën.
XS
SM
MD
LG