Ndërlidhjet

DERVISHI: BOTA MË NË FUND E KA ZBULUAR TË VËRTETËN PËR KOSOVËN


Bekim Bislimi

Dita Botërore e Teatrit, e cila dje është shënuar në të gjithë botën, u shënua në mënyrë simbolike edhe në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, por duke pasur parasysh se Kosova po përjeton skenat e aktit të fundit të zgjidhjes së fatit të saj politik, popullata në përgjithësi, e me të edhe artistët, më tepër janë të preokupuar me zgjidhjen e këtij fati. Kështu thotë dramaturgu dhe publicisti, Teki Dervishi, drejtor i Teatrit Kombëtar të Prishtinës. Drama e Kosovës, siç shprehet zoti Dervishi, ka qenë historike dhe mbetet në analet e mbamendjes së shqiptarëve të Kosovës, por në përfundim të kësaj drame, ata janë fitimtarë dhe nënshkrues të aktit të fundit. “Nuk mendoj se ky popull, megjithatë, nuk ka mbamendje historike, por nganjëherë nuk mund të flasësh as të shkruash, për shembull, nuk mund të bësh dasëm në kohë kolere. Por, është dashur të imponohemi para të tjerëve dhe ta tregojmë të vërtetën tonë, realitetin tonë. E mira e gjithë kësaj qëndron vetëm në një fakt, që bota më në fund, pas 100 vjetëve, e ka zbuluar të vërtetën për Kosovën dhe popullin e saj. E ajo e vërtetë ka qenë e mshefur dhe e spekuluar nga disa shtete të Evropës, e sidomos nga ish-Bashkimi Sovjetik, ose mund të themi edhe Rusia”, shprehet zoti Dervishi. Ai thekson se roli i presidentit Ahtisaari në përfundim të dramës së Kosovës, ka qenë me shumë domethënie dhe ka shpërfaqur tiparet e një njeriu që promovon lirinë. “Unë mendoj se zoti Ahtisaari është treguar njeri shumë i suksesshëm, dhe jo vetëm diplomat ose politikan, por një politikolog dhe një filosof, një njeri i kalibrit të madh, jo vetëm me pakon e tij për Kosovën, por edhe për disa zgjidhje të tjera që i ka bërë nëpër shtete të tjera. Ai është një promovues i lirisë nëpër botë. Ai njeri promovon lirinë”, thotë zoti Dervishi. Roli i Ahtisaarit dhe propozimi i tij për statusin politik të Kosovës, janë mbështetur në koncepte reale, thekson Teki Dervishi dhe shton: “Personalisht për pakon e Ahtisaarit, a është reale ajo nga koncepti sa unë mund të di ose të rezonoj, mendoj se është shumë reale, mendoj se është shumë e mirë dhe mendoj se ne as nuk kemi mundur të çlirohemi vetë pa ndihmën e aleatëve tanë, as nuk do të mund të bëjmë shtet në këtë fazë, të rrethuar me shumë armiq. Aq sa është rrezik robëria, aq është edhe liria e pakontrolluar, se liria e pakontrolluar quhet anarki, kurse anarkia është gjë shumë e keqe”. Sidoqoftë, Teki Dervishi, thekson se kriteret e një statusi të ardhshëm të Kosovës, që nënkupton pavarësinë, tashmë jo vetëm që janë të afirmuara, por edhe të stabilizuara te disa shtete të fuqishme të Evropës, e sidomos tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë, sipas tij, e dëshmon edhe mbështetja e fuqishme që këto shtete, por edhe sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, i kanë bërë propozimit të Ahtisaarit, për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. “Politika ndërkombëtare, para së gjithash, është serioze. Tjetër janë vendimet politike, e tjetër është diplomacia. E në këtë rast, diplomacia ka marrë fund. Tash ka vetëm qëndrime politike të shteteve të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara. E këto qëndrime dihen, çfarë i ka propozuar zoti Ahtisaari. Prej qëndrimeve të shteteve serioze, nuk tërhiqen më, kjo është diçka e vendosur. Mund të tërhiqen prej lojërave diplomatike, por kur vjen deri te një përfundim, deri te një qëndrim, aty më nuk ka lëvizje”, përfundon Teki Dervishi.
XS
SM
MD
LG