Ndërlidhjet

logo-print

SI JETOJNË INTELEKTUALËT ME NGA 40 EURO NË MUAJ PENSION?


Nadie Ahmeti

Akademikët dhe veteranët e arsimit e ndjejnë veten të diskriminuar dhe të harruar. Me gjithë kontributin që kanë dhënë gjatë jetës së tyre, në moshë ata përballen me luftën për mbijetesë. Njëri prej tyre është Mehmet Begraca, ish-profesor në Fakultetin e Mjekësisë. Ai thotë, se së bashku me kolegët e tij, ndihet disi i harruar nga shoqëria dhe institucionet kosovare, duke jetuar në kushte të mjerueshme. “Vetvetiu që statusi social është në gjendje të tillë, flet edhe për mendimin, pikëpamjet që i ka, ta quaj, shteti apo vendi ndaj një grupacioni njerëzish, të cilët e kanë kryer jetën aktive. Por, besoj se edhe pas pensionimit, duhet të jetohet dhe ngapak edhe të punohet”, thotë akademiku Begraca. Posa të mbushin 65 vjet, edhe këta intelektualë pasi të kenë përfunduar punën e tyre aktive, marrin vetëm nga 40 euro pension në muaj. Akademiku Ekrem Murtezai, i cili ka punuar në arsim, thotë se gjendja e mësimdhënësve vazhdimisht ka qenë e vështirë, por sipas tij, koha më e rëndë për ta është pensionimi dhe shpagimi i punës së tyre me nga 40 euro në muaj. “Është përdhosje, nënçmim, degjenerim, çështja se një intelektual si është profesori i një universiteti, akademiku, të përcillet në pension me 40 euro. Njeriu që punon 50 vjet, paguhet më pak se një euro për vit. Dhe kjo nuk don kurrfarë komenti”, shprehet akademiku Murtezai. Edhe pas pensionimit, ai thotë se njerëzit duhet të jetojnë dhe kanë nevojë për një jetë stabile. Intelektualët ndërkaq, shton akademiku Murtezai, kanë shumë nevojë për libra. “Ju lutem, nëse një intelektual duhet të blejë gazetën, një së paku, revista e shumë libra, dhe të jetë i veshur e i ushqyer, bile në nivelin e korrektësisë, atëherë 40 euro nuk merren parasysh, po as 400 euro. Sa i përket pensioneve, është turpi më i madh që kemi sot në Kosovë. Nuk mund të krahasohet njeriu që nuk ka punuar kurrë, me profesorin e universitetit që ka punuar 40 vjet”, thotë Murtezai. Murteza Luzha prej vitit 1948 ka punuar në sistemin e arsimit dhe 15 vjet në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se që prej vitit 1991, kur edhe është pensionuar, është dashur të gjejë forma të ndryshme për të mbijetuar. “Unë kam një shtëpi që ia kam lëshuar kanadezëve me qira dhe vetë jetoj poshtë. Ndërkaq, lart ata e kanë krejt shtëpinë në dispozicion. E vetmja mënyrë që unë kam mundur të mbijetoj. Tjetër mundësi nuk kam pasur. Unë kam punuar 53 vjet në arsim, 40 euro e kam pensionin. Kjo është tragjedi për neve, besoni, është fyerje. Nuk them se duhet të kemi pensione madhore, por sa të sigurojmë ekzistencën”, thotë Luzha. Për këto personalitete akademike, arsyetimi se buxheti i kufizuar i Kosovës nuk lejon kategorizimin e përfituesve të pensioneve, është i paqëndrueshëm. Akademiku Ekrem Murtezai shpjegon më shumë: “Nuk është e vërtetë se Kosova nuk ka mjete për të stimuluar. Kjo është vetëm një keqpërdorim e keqkuptim i gjendjes dhe i vlerës së arsimtarëve si të tillë. Unë jam akademik dhe kam gjendje tjetër materiale, por flas për kolegët e mi, të cilët vërtet janë në gjendje të mjerueshme”, përfundon akademiku Murtezai.
XS
SM
MD
LG