Ndërlidhjet

NË PRITJE TË PËRCAKTIMIT TË STATUSIT SHTOHEN MASAT E SIGURISË


Rrahman Paçarizi

Disa shpërthime që kanë ndodhur ditët e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës dhe një shpërthim në Prishtinë, si dhe afrimi i kohës së përcaktimit të statusit final të Kosovës, kanë shtyrë policinë të nisë fazën e tretë të operacionit “Siguria e Rreptë”, thanë sot zyrtarë të policisë. Ata kanë thënë njëkohësisht se situata e sigurisë është stabile, ndërkohë që zyrtarë të UNMIK-ut në Mitrovicë e kanë cilësuar situatën të tendosur, pas hedhjes së një bombe në oborrin e shtëpisë së një pjesëtari të Shërbimit Policor të Kosovës, në pjesën veriore të Mitrovicës. Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Larry Miller, tha se mbrëmë, rreth orës 21, sulmues të panjohur kanë hedhur një bombë në oborrin e shtëpisë së policit kosovar, Sasha Blazhiq. Në incident nuk pati të lënduar, ndërsa shtëpia dhe një veturë në afërsi kanë pësuar dëmtime të vogla. “Njësitë e deminimit të KFOR-it janë ftuar në vendin e ngjarjes për të bërë hetimet e mëtejshme, ndërsa aktualisht nuk dimë për motivin dhe as për të dyshuarit eventualë lidhur me këtë incident”, tha Larry Miller. Përfaqësuesi rajonal i UNMIK-ut për Mitrovicë, Gerard Galucci, e ka gjykuar ashpër incidentin e mbrëmshëm dhe ka tërhequr vërejtjen, se situata në Kosovë është mjaft e tendosur. “Pavarësisht se çka mund të mendojmë për gjërat që po ndodhin, situata në Kosovë është e tensionuar dhe e vështirë. Veprimet e këtilla nuk i ndihmojnë askujt, por e dëmtojnë secilin”, theksoi Galucci, sipas të cilit, policia po punon mirë në këtë drejtim, por duhet ndihmë e popullatës për të parandaluar veprimet e këtilla. “Ne kemi shtuar patrullat tona të policisë dhe KFOR-it, por nuk mund të jemi në secilin vend në të njëjtën kohë”, tha Galucci. Sipas tij, vetë qytetarët duhet ta dinë se këto veprime janë të panevojshme, të dëmshme dhe mund t’i ngrisin tensionet në kohën kur kjo më së paku duhet. Para gati një jave, në lagjen e boshnjakëve, lagje etnikisht e përzier në pjesën veriore të Mitrovicës, është hedhur një bombë dore, e cila po ashtu pati kaluar pa pasoja. Zyrtarë të SHPK-së thonë ndërkaq, se në Kosovë tashmë ka hyrë në fuqi faza e tretë e veprimit operativ nën shifrën “Siguria e Rreptë”, që sipas zëdhënësit, Veton Elshani, do të thotë: “Kjo përfshin dukshmërinë e policisë në rrugë, pikat e kontrollit, parandalimin e veprave penale dhe kapjen e kryesve të veprave penale kur ato ndodhin”. Zoti Elshani mendon se pavarësisht nga fakti, se kanë ndodhur disa shpërthime në veriun e Mitrovicës dhe në Prishtinë, policia nuk beson se janë të ndërlidhura, prandaj nuk paraqesin rrezik për sigurinë e gjithëmbarshme në të gjithë territorin e Kosovës. Megjithatë, zoti Elshani thotë se qoftë shpërthimet, qoftë afrimi i kohës së përcaktimit të statusit final të Kosovës, kanë shtyrë policinë që ta nisin fazën e tretë të operacionit “Siguria e Rreptë”. “Kur unë thashë që e kemi “Sigurinë e Rreptë” në fazën e tretë, tani në zhvillim e sipër, ajo fazë është aktivizuar pikërisht për arsye se ishim në prag të zgjidhjes së statusit të Kosovës, fazë në të cilën ndodhemi edhe tash. Mirëpo, gjithnjë konsiderojmë se gjendja e sigurisë është stabile në të gjithë territorin e Kosovës, por kjo ka më shumë të bëjë me gjendjen psikologjike të qytetarëve, të cilët mendojnë se të qenit në prag të zgjidhjes së statusit, çfarëdo që ndodh shkon në dëm të zgjidhjes së statusit”, theksoi Elshani. Ai tha se në këtë kuptim, kanë të bëjnë me vepra kriminale, të cilat jo domosdoshmërisht janë të lidhura me statusin, e aq më pak të ndërlidhura mes vete si incidente.

XS
SM
MD
LG