Ndërlidhjet

BRUKSEL


Parlamenti Evropian sot e miratoi rezolutën, në të cilën vlerëson se "sovraniteti i mbikqyrur nga bashkësia ndërkombëtare" është zgjidhja më e mirë për Kosovën. Me një zgjidhje të këtillë "do të garantohej stabiliteti dhe mbrojtja e të gjitha bashkësive në Kosovë, si dhe zhvillimi afatgjatë ekonomik dhe shoqëror", thuhet në dokument.
Rezoluta e mbështet propozimin e Martti Ahtisaarit, dhe u bën thirrje sidomos "anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të luajnë një rol konstruktiv dhe të miratojnë zgjidhje të qëndrueshme pa kurrfarë paqartësie për Kosovën", e cila do t'i pasqyronte propozimet e Ahtisaarit.
Parlamentarët evropianë shpresojnë se në bazë të këtij propozimi, Këshilli i Sigurimit shpejt do të miratojë një rezolutë, që do të zëvendësojë rezolutën 1244.
Parlamenti Evropian konsideron se Kosova duhet të ketë qasje në organizatat financiare ndërkombëtare, ndërsa "prania ndërkombëtare do të garantojë karakterin shumëetnik dhe sigurinë e bashkësive serbe dhe rome të Kosovës".
Pas votimit, eurodeputeti demokristian Bernard Posellt deklaroi:
"Shumica e fuqishme në votimin përfundimtar është sinjal i qartë për Moskën dhe Beogradin se nuk mund të llogarisin në përçarjen tonë. Ata nuk mund të na përçajnë, dhe nëse përpiqen të bëjnë një gjë të tillë, do të mbeten të vetëm", tha Posellt.
XS
SM
MD
LG