Ndërlidhjet

PACK:"RUSIA NUK DO VENDOSË VETON, NUK KA INTERESA NË KOSOVË"


Doris PACK, kryetare e delegacionit të Parlamentit Evropian për E. Juglindore

RADIO EVROPA E LIRË
Parlamenti Evropian miratoi rezolutën që mbështet planin e Ahtisarit dhe sovranitetitn e mbikqyrur për Kosovën. A do të thotë kjo se Bashkimi Evropian është i njëzëshëm në mbështetjen për statusin, që ofron propozimi i Ahtisarit?

DORIS PACK
Padyshim, Parlamenti votoi me shumicë të madhe dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së janë informuar nga Grupi i Kontaktit për ecurinë e deritashme të procesit.
Ka disa vende të Bashkimit Evropian që kanë rezerva për shkak të problemeve të brendshme, përfshi këtu Sllovakinë me pakicat hungareze e të ngjashme
Vende të caktuara kanë probleme me pavarësinë e Kosovës, sepse e krahasojnë atë me rajone konkrete brenda këtyre shteteve. Por Kosova nuk mund të shihet si precedent.
Në Kosovë nga viti '89 u instalua aparteidi nga regjimi i Millosheviçit çfarë e bën situatën të pakrahasueshme me Katalonjën apo territore të tjera brenda Unionit.
Në fund besoj se do ketë mbështetje të njëzëshme nga Bashkimi Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë mjetet që mund të përdorë Bashkimi Evropian për të kërkuar nga Rusia që të mbështesë apo abstenojë planin e Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit?

DORIS PACK
Mendoj se ka qenë e qartë që në fillim se Rusia nuk do mbështeste drejtpërdrejt ato që shkruhen në planin e Ahtisarit. Por Rusia nuk ka asnjë interes në Kosovë dhe kjo bën që ata në fund do gjejnë mundësitë për të negociuar atë që dëshirojnë.
Unë nuk e di se çfarë duan të përfitojnë konkretisht rusët në këmbim të mbështetjes së planit të Ahtisarit, pasi nuk jam e përfshirë direkt në këto negociata.
Përsërisë besimin tim se në fund Rusia nuk do vendosë veton, pasi nuk ka asnjë interes në Kosovë. Ne kemi interesa të shumta në rajon dhe nuk mendoj se Rusia do kundërshtojë interesat tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se Rusia kërkon të negociojë, a paraqet kjo rrezik për tërësinë territoriale të Kosovës?

DORIS PACK
Nuk besoj, pasi të gjitha negociatat me Rusinë rreth Kosovës në fakt nuk do kenë të bëjnë aspak me Kosovën, pasi po e përsërisë ata nuk kanë asnjë interes në Kosovë. Rusët kanë interesa të tjera, por ata kanë nevojë për ndihmën dhe marrëdhëniet e mira me BE-në.
Ne po bisedojmë me rusët aktualisht në çështje të tjera dhe ndoshta do kemi kompensimet që ata duan në këmbim të po-së apo abstenimit të tyre për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia është një nga furnizuesit kryesorë të energjisë për vendet e Bashkimit Evropian. A i ndihmon apo dëmton kjo varshmëri përpjekjet evropiane për mbështetjen apo mosbllokimin rus në çështjen e Kosovës?

DORIS PACK
Nëse vendosim gjithçka në një kornizë diskutimi është e vështirë të gjykohet. Sa i përket energjisë, Rusia ka nevojë për ne si konsumatorë, kurse ne kemi nevojë për shërbimin e tyre. Është një raport marrje-dhënje dhe nuk mendoj se hyn në diskutim kur flitet për Kosovën.
Ka një numër çështjesh që duhen negociuar me Rusinë dhe në këto bisedime ne do t'ia bëjmë të qartë se Kosova dhe Serbia janë më të rëndësishme për Bashkimin Evropian se për Rusinë. Është e thjeshtë nëse e shikon hartën këta popuj jetojnë në Evropë dhe ne duhet të kujdesemi që aty të ketë stabilitet dhe bashkëjetesë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thuhet se Bashkimi Evropian duhet t'i ofrojë anëtarësi të përshpejtuar Serbisë në këmbim të pranimit të pavarësisë së Kosovës. A është i gatshëm Brukseli për këtë strategji?

DORIS PACK
Ne jemi shumë të gatshëm, por Serbia nuk është gati. Ata nuk mund të kenë gjithçka pa përmbushur kushtet. Ata duhet të dorëzojnë Mlladiçin, që është krimineli më i kërkuar në botë dhe Srebrenica është e lidhur ngushtë me emrin e tij. Si mund t'i japim Serbisë më shumë se çfarë po bën ajo vetë për procesin e integrimit?
Varet prej Beogradit që të mundësohet hyrja e tyre në Bashkimin Evropian. Qeveria serbe nuk ka qenë e gatshme të përmbushë kushtet. Shpresoj që kryeministri Koshtunica, partia e të cilit ka shumicën e ministrave, jo vetëm të deklarohet, por të veprojë konkretisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do jetë, sipas jush reagimi i serbëve të Kosovës pas miratimit të mundshëm të rezolutës që njeh pavarësinë?

DORIS PACK
Nuk shikoj ndonjë reagim të ndryshëm nga reagimi i Serbisë. Shumë i druhen asaj se pas njohjes së pavarësisë së Kosovës do kemi hapa të njëanshëm nga serbët për shkëputjen e veriut të Mitrovicës. Mendoj se kjo nuk është e pranueshme. Një hap i tillë do dëmtonte vetë serbët e Kosovës, pasi shumica e tyre nuk jetojnë në veri të Mitrovicës. Edhe monumentet e traditës nuk janë në veri të Mitrovicës. Për këto arsye është në interes të serbëve të Kosovës të ndjekin planin e Ahtisarit, ku mbështetja dhe mbrojtja e serbëve është e siguruar.
Por ndjesia ime, dhe nuk besoj se jam e gabur, është se për Serbinë nuk është e rëndësishme se si po jetojnë serbët në Kosovë, por themelore është që territori t'i përkasë Serbisë.
Së fundi kam parë një artikull në mediat serbe, ku një profesor universiteti pyeste se kush nga politikanët është i gatshëm të jetojë në Kosovë apo të marrë përsipër barrën ekonomike për Kosovën. Përgjigja është askush.
Kjo tregon se është më mirë që Kosova të shkëputet, Serbia të ndjekë rrugën e drejt integrimit dhe Kosova të ketë të ardhmen e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi Evropian po përgatitet të marrë drejtimin e misionit ndërkombëtar në Kosovën e pas statusit.
Sa do ta ndihmojë një gjë e tillë integrimin evropian të Kosovës?

DORIS PACK
Kjo është më e mira që mund të bëjmë. Nuk mendoj se Kombet e Bashkuara bën një punë të mirë në Kosovë, përkundrazi kanë bërë shumë gabime. Ajo që ndodhi me Mitrovicën, pra ndarja e qytetit, lidhet me mungesën e vullnetit nga ana e UNMIK-ut për të bërë dicka. Ata bënë shumë miqësira me kriminelët e luftës. Natyrisht kjo ishte rruga më e lehtë, por rruga më e lehtë nuk është më e mira.
Bashkimi Evropian ka një tjetër strukturë dhe ne e njohim gjendjen më nga afër. Do jetë ndihmë shumë e madhe për kosovarët që ne jemi atje si partnerë dhe njëherësh do mbikqyrim se si po veprojnë. Natyrisht ne do shohim se si do t'i respektojnë pakicat, si po i kontrollojnë kufijtë e me rradhë.
Është ngarkesë e madhe për Bashkimin Evropian, por duhet të marrim përgjegjësitë, pasi kjo është pjesë e Unionit dhe duhet të jetë stabile. Në të kundërt ne do kemi probleme.

RADIO EVROPA E LIRË
Komisioneri për zgjerim Oli Rehn së fundi tha se Kosova ka nevojë për 2 miliardë dollarë në vitet e para për të mëkëmbur ekonominë. Sa të gatshme do jenë vendet anëtare për të dhënë fonde?

DORIS PACK
Mendoj se nuk do jenë vetëm vendet anëtare. Një pjesë e fondeve do vijë nga buxheti i Komisionit Evropian, i cili më duhet të them nuk mund të përballojë një përgjegjegjësi financiare kaq të madhe. Është e qartë se vendet duhet të japin më shumë. Por do ketë një konferencë donatorësh ku do kemi donatorë të ndryshëm, siç ndodh në të tilla raste.

Intervistoi: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG