Ndërlidhjet

logo-print

NË PRITJE TË SESIONIT TË KS-SË PËR PAVARËSINË E MBIKËQYRUR TË KOSOVËS


Zijadin Gashi

Ekipi Negociues ka përshëndetur sot miratimin e djeshëm të rezolutës për Kosovën në Parlamentin Evropian, me të cilën mbështetet pakoja e Ahtisaarit dhe dhënia e sovranitetit të mbikëqyrur për Kosovën. Pas takimit të delegacionit më të lartë të Kosovës, zëdhënësi Skender Hyseni tha se Ekipi Negociues pret që uniteti i treguar dje në Parlamentin Evropian, të dëshmojë edhe unitetin për pavarësinë e Kosovës. “E mirëpresim përcaktimin e Parlamentit Evropian për të njohur sovranitetin e Kosovës, fillimisht të mbikëqyrur, si zgjidhje për çështjen e Kosovës. Vota dërrmuese që mori kjo rezolutë në Parlamentin Evropian, dëshmon për unitetin e Unionit Evropian për pavarësinë e Kosovës. Presim që ky unitet të kthehet së shpejti në mbështetje efektive për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Hyseni, duke lexuar deklaratën e delegacionit të Prishtinës. Po sot, anëtarët e Ekipit Negociues kanë marrë konfirmimin e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, se ai më 3 prill do të ftohet të marrë pjesë në sesionin e Këshillit të Sigurimit. Zëdhënësi Hyseni tha se ftesa zyrtare ende nuk ka arritur në adresën e presidentit të Kosovës, por sipas tij, tashmë është shumë e sigurt që Sejdiu do të ftohet dhe kjo do të jetë hera e parë, që një përfaqësues kosovar do t’i drejtohet në një sesion zyrtar Këshillit të Sigurimit në New York. “Tashmë është e konfirmuar që më 3 prill, të martën, në Këshillin e Sigurimit do të bëhet prezantimi edhe formal i raportit edhe i pakos së Ahtisaarit. Në New York do të udhëtojë edhe presidenti Sejdiu, për të marrë pjesë në këtë sesion të Këshillit të Sigurimit, që sipas të gjitha gjasave do të jetë për herë të parë, që një zyrtar i lartë i zgjedhur i Kosovës të marrë pjesë në një sesion formal”, tha Hyseni. Ekipi Negociues edhe sot është shprehur i bindur se pas mbledhjes së 3 prillit në New York, zhvillimet do të drejtohen kah nxjerrja e rezolutës së re për Kosovën, brenda një periudhe jo të gjatë kohore. Ndërkohë, që delegacioni i Kosovës përkrah pakon e Ahtisaarit duke e parë atë si bazë të mirë për pavarësimin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar për nesër protesta, me kërkesën për njohjen e së drejtës për vetëvendosje popullit të Kosovës. Aktivisti i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, tha sot në një konferencë për media, se një kërkesë e veçantë e protestës së nesërme do të jetë edhe lirimi i pakusht nga burgu i liderit të kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, i cili ka hyrë në ditën e tetë të grevës së urisë dhe, siç u tha, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dukshëm. “Do të jetë demonstratë përpara institucioneve tona vendore politike. Qëllimet e demonstratës janë të qarta. Do të demonstrohet për liri pa kusht dhe vetëvendosje për popullin e Kosovës, si dhe lirim pa kusht për Albin Kurtin”, theksoi Konjufca. Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Veton Elshani, tha sot se Shërbimi Policor i Kosovës ka zhvilluar takim me “Vetëvendosjen” dhe ka marrë premtime se protesta do të jetë e qetë, kurse në rast të eskalimit të gjendjes, ai tha se organet e rendit do ta marrin nën kontroll situatën.
XS
SM
MD
LG