Ndërlidhjet

RIHAPET MËHALLA E ROMËVE


Albana Isufi

Jakup Hajdari, së bashku me familjen e tij, tash tri javë ka braktisur kampin Osterode në veri të Kosovës, për t’u vendosur në shtëpinë e sapondërtuar trekatëshe në Mëhallën e Romëve, në jug të Mitrovicës. Ai ka jetuar në kampet e të zhvendosurve në pjesën veriore që nga viti 1999, nën frikën e përhershme se shëndeti i tyre do të rrezikohet nga sasia e lartë e plumbit, që është evidentuar në ato zona. Hajdari thotë se deri tash nuk kanë pasur probleme, ndërsa vlerëson se siguria është e mirë. “Jemi kthyer nga kampet në Mitrovicën veriore, mirë jemi, kushtet janë të mira, ka siguri. Unë jam kthyer me dhjetë anëtarët e mi të familjes”, thotë Hajdari. Ka qenë vetë kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, që në Mëhallën e Romëve u ka uruar kthimin familjeve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në lagjen e banuar me shqiptarë, përderisa ka kërkuar edhe nga komunitetet tjera që të bëjnë të njëjtën gjë. Kryeministri i ka siguruar komunitetet, se asgjë e keqe nuk do të vijë nga pavarësia e Kosovës. “Ftoj të gjithë komunitetet pakicë, që të besojnë në Kosovën e pavarur, në vullnetin e mirë të institucioneve dhe popullit të Kosovës, dhe të bëhen pjesë e një suksesi të madh, të ndërtimit të shtetit më të ri në Evropë”, tha zoti Çeku. Ai ka siguruar se pavarësia është shenjë për komunitetet, që të kthehen në Kosovë dhe jo të largohen nga ajo. ”Askush nuk duhet të brengoset për pavarësinë e Kosovës, asnjë qytetar i Kosovës, i asnjë komuniteti. Askujt asgjë e keqe nuk do t’i ndodhë në Kosovën e pavarur”, u shpreh kryeministri Çeku. Përderisa zoti Çeku ka kërkuar kthimin e minoriteteve, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, u kërkoi donatorëve vazhdimin e dhënies së ndihmave, për t’u krijuar të të zhvendosurve kthim të qëndrueshëm. “Ju lutem, na ndihmoni në finalizimin e këtij projekti, t’u ofrojmë mirëseardhje të gjithë atyre që kthehen, sepse siç e dini, ata që kanë ardhur në këtë lagje, kanë lënë pas kampet që nuk ofrojnë kushte të mira për ta”, tha zoti Ruecker. Rindërtimi i Mëhallës së Romëve në jug të Mitrovicës ka kushtuar afër 4 milionë euro. Ndihmat më të mëdha janë dhënë nga Qeveria norvegjeze dhe Agjencia Evropiane për Rindërtim. Në këtë lagje janë ndërtuar më shumë se 78 banesa, përfshirë këtu 2 ndërtesa kolektive dhe dhjetëra shtëpi banimi.
XS
SM
MD
LG