Ndërlidhjet

IVANOVIQ:“PAVARËSIA ÇON KAH DESTABILIZIMET E REJA”


Intervistë me Oliver IVANOVIQ, udhëheqës i Listës Serbe për Kosovën

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, më 3 prill Këshilli i Sigurimit debaton për pakon dhe rekomandimin e Ahtisaarit për një pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Si i shihni zhvillimet lidhur me statusin e Kosovës në Nju Jork dhe sa prisni që në të ardhmen e afërt Këshilli i Sigurimit të nxjerr një rezolutë të re, siç pret ekipi negociues kosovar?

OLIVER IVANOVIQ
Mendoj se këto janë pritje joreale. Me 3 prill është caktuar mbledhja e Këshillit të Sigurimit, por madje nuk dihet as rendi i ditës së kësaj seance. Shumë varet nga konsultimet që do të zhvillohen ndërmjet vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, që është bërë një praktikë tashmë. Do të thotë, rendi i ditës dhe mënyra se si do të udhëhiqet mbledhja varet shumë nga ajo se si do të merren vesh amerikanët dhe rusët para së gjithash, por edhe vendet tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mendoj se në këtë seancë nuk do të ketë vendim, ndoshta do të ketë diskutime, por vendime sigurisht se nuk do të ketë dhe mbetet edhe një periudhë e gjatë e aktivitetit diplomatik, para së gjithash e fuqive të mëdha, që të arrihet deri te ndonjë zgjidhje që mund të jetë e pranueshme. Më duhet të them se në këtë moment është duke u kërkuar një zgjidhje e pranueshme për fuqitë e mëdha, por jo më zgjidhje për serbët apo për shqiptarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pas parasysh kundërshtimin e serbëve ndaj pakos së Ahtisaarit, si do të zbatohet kjo marrëveshje në pjesët ku jeton komuniteti serb?

OLIVER IVANOVIQ
Do të jetë shumë vështirë të zbatohet nëse serbët nuk pajtohen me të, dhe është shumë e qartë që serbët nuk do të pajtohen me asnjë formë të pavarësisë. Do të jetë vështirë para së gjithash ngase Beogradi apriori do ta kundërshtoj në tërësi, kurse serbët e Kosovës me atë që kanë treguar deri më tash, nuk janë të gatshëm që të marrin mbi vete me vetë-iniciativë një përgjegjësi kaq të madhe. Do të thotë disa hapa të vogla janë të mundshëm, por zbatimi i pakos së Ahtisaarit është një detyrë serioze dhe një përgjegjësi e madhe dhe mendoj se për një përgjegjësi të tillë nuk ka serb që do të vendos që të marrë mbi vete në mënyrë të pavarur. Mendoj se është më mirë që të kërkohet zgjidhja në vazhdimin e ndonjë forme të bisedimeve në këtë apo në një formë tjetër, në mënyrë që pozicionet e të dyja palëve që në këto momente janë shumë të largëta, të paktën të afrohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë pozicioni i juaj dhe i Listës Serbe në rast të pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën?

OLIVER IVANOVIQ
Lista serbe është deklaruar disa herë deri më tash se për ne është e papranueshme çfarëdo lloj pavarësie e Kosovës. Ne e kemi shikuar pakon e Ahtisaarit në dy pjesë. Në atë që ka aspektin politik, me të cilin absolutisht pajtohemi me ekipin tonë negociues, do të thotë me ekipin negociues të Beogradit se nuk mund të pranohet asnjë formë e pavarësisë, ngase pavarësia çon kah destabilizimet e reja dhe mbase edhe largimin e serbëve nga Kosova. Pjesa e dytë, ajo teknike, është pjesë që mund të përmirësohet. Konsiderojmë se pesë komuna nuk janë të mjaftueshme. Me pesë komuna të reja të cilat nuk janë të mjaftueshme, nuk kënaqen interesat dhe kërkesat themelore të serbëve. Përgjegjësitë që u janë caktuar komunave nuk janë të mjaftueshme, por duhet pranuar se kjo megjithatë paraqet një avisim, krahasuar me atë që kemi sot. Andaj, konsiderojmë se për çështjet teknike mund të vazhdohet me bisedime e negociata të reja dhe mendoj se në këtë rast do të duhej, apo të paktën shpresoj, në pjesëmarrjen më të madhe te serbëve të Kosovës në këto bisedime.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund të priten vendime apo hapa të njëanshëm të serbeve në rast të pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën?

OLIVER IVANOVIQ
Hap të njëanshëm të serbëve nuk do të ketë. Serbët mund të bëjnë veprime vetëm si reflektim apo si përgjigje ndaj veprimeve të njëanshme të shqiptarëve në Prishtinë. Nëse shqiptarët në Prishtinë, në Kuvend, e shpallin pavarësinë, mendoj se atëherë mund të pritet edhe vendimi i njëanshëm i serbëve, por vetëm si reagim dhe kurrsesi si iniciativë.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG