Ndërlidhjet

DOURLOT:FORMATI I TAKIMIT TË KS-SË CAKTOHET SOT


Albana Isufi

UNOSEK-u thotë se ende nuk është caktuar zyrtarisht formati i takimit të Këshillit të Sigurimit, në të cilin Martti Ahtisaari do të paraqesë propozimin për statusin e Kosovës para anëtarëve të këtij Këshilli. Kryengociatori Ahtisaari takohet pasditen e sotme, sipas kohës lokale në Nju Jork, me anëtarët e Këshillit të Sigurimit për të diskutuar formatin e takimit, thotë zëdhënësi i UNOSEK-ut Remi Dourlot.“Ne duhet të presim deri në takimin që mbahet sot të presidencës së radhës të Këshillit të Sigurimit dhe vendeve anëtare të Këshillit. Ata do të diskutojnë formatin e takimit me zotin Ahtisaari”, thotë Remi Dourlot, duke shtuar se edhe paraqitja e planit të kryendërmjetësit do të varet nga forma e takimit.
“Zoti Ahtisaari është atje që të shpjegojë drejtpërdrejtë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit përmbajtjen e propozimit, arsyetimin- pse ne mendojmë se ky është propozimi më i mirë në rrethanat aktuale, dhe me siguri edhe i vetmi. Për të tjerat duhet të shohim. Ndoshta do të ketë debat, ndoshta do të ketë diskutime, apo ndoshta s’do të ketë asgjë. E tëra varet nga forma e takimit”, tha zëdhënësi i UNOSEK-ut Remi Dourlot.
Në anën tjetër zyrtarët e Qeverisë së Kosovës janë optimistë se prezantimi i planit nga Ahtisaari në Këshillin e Sigurimit do t’i hapë rrugën një pune dhe angazhimi politik. Këshilltari politik i kryeministrit Arben Qirezi mendon se do të ketë angazhim të vendeve të Grupit të Kontaktit dhe të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. “Do të ketë biseda, do të ketë aktivitete të ngjeshura diplomatike, të cilat shpresojmë se do të rezultojnë me rezolutën e Këshillit të Sigurimit, me të cilën do t’i jepet fund 1244-shit, me të cilën do të pranohet plani i Marti Ahtisaarit, dhe me të cilën do t’i jepet mandati zyrës ndërkombëtare në Kosovë. Këto shpresojmë se do të ndodhin në një kohë sa më të shpejtë dhe do të krijohen parakushtet që Kosova të vazhdojë funksionimin si shtet i pavarur, pasi të fillojë njohja e saj ndërkombëtare”, tha Qirezi. Por, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës presin që Këshilli i Sigurimit të mos e pranojë planin e Ahtisaarit. Anëtari i ekipit negociator të Beogradit Goran Bogdanoviq, thotë se pas takimit të Këshillit të Sigurimit, do të vazhdojnë bisedimet në mënyrë që të arrihet një zgjidhje kompromisi. “Ne kemi arsye të jemi optimistë, para së gjithash duke marrë parasysh faktin se Federata Ruse, Kina, Republika e Afrikës së Jugut dhe shtetet tjera kanë rezerva ndaj planit te Ahtisaarit. Mendoj se ky plan nuk do përkrahet, pasi nuk kënaq të dyja palët, serbët dhe shqiptarët, dhe nëse merret parasysh fakti se plani i Ahtisaarit pranohet vetëm nga njëra palë, dhe se në të vertetë që nga fillimi i negociatave është punuar vetëm me njërën palë, atëherë ky plan nuk do të kalojë në Këshillin e Sigurimit”, thotë Bogdanoviq.
Por, Arben Qirezi mendon se hezitimin e disa shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit për të pranuar planin e Ahtisaarit, i cili parasheh pavarësi të mbikëqyrur, do ta lë në hije angazhimi i fuqive të mëdha për të zgjidhur statusin e Kosovës. “Puna nuk do të përfundojë në ditën e nesërme. Me ditën e nesërme puna do të fillojë, dhe duke pasur parasysh se për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës lidershipin e kanë vendet më të fuqishme të botës duke përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Francën e Gjermaninë, ne kemi arsye te forta të besojmë se vendimi për pavarësinë e Kosovës nuk do të vonojë”, tha Qirezi.
Edhe pse ende nuk dihet formati i takimit të paraparë për nesër, presidenti i Kosovës Fatmir Sjediu tashmë gjendet në Nju Jork në pritje për të marrë pjesë në këtë takim dhe për të argumentuar qëndrimet për statusin final të Kosovës.
Sipas zyrës së Presidencës kjo do të jetë hera e parë që një zyrtar nga Kosova ftohet ne një takim formal të Këshillit të Sigurimit.


XS
SM
MD
LG