Ndërlidhjet

SCHEFFER:NDARJA E KOSOVËS KURRË NUK DO TË JETË OPSION


Zijadin Gashi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer ka konfirmuar sot në Prishtinë qëndrimin unik të NATO-s në mbështetje të pakos së Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Pas takimeve që Scheffer dhe delegacioni prej 26 ambasadorëve të Këshillit Veri-Atlantik të NATO-s zhvilluan me udhëheqësit vendorë dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, ai tha se beson që Këshilli i Sigurimit do të vijë deri të një zgjidhje e drejtë për sa i përket statusit të Kosovës. Në një konferencë për media, Scheffer tha se dita e nesërme kur Ahtisari elaboron planin e tij para Këshillit të Sigurimit, është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. “Mendoj se ajo që është me rëndësi të thuhet këtu është se nuk mund të pritet ndonjë nxitim, por as ndonjë vonesë e panevojshme lidhur me statusin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit”, tha Scheffer. Ai nuk tha se e mbështet këtë apo atë zgjidhje për Kosovën, por kërkoi që kjo çështje t’i mbetet Këshillit të Sigurimit. “Ne jemi këtu. NATO dhe KFOR-i janë këtu, në këtë periudhë të posaçme dhe shumë të rëndësishme për Kosovën. Jemi këtu që të sigurohemi se askush nuk duhet të mbjell iluzione se dhuna mund të përdoret për të arritur deri te zgjidhja”, theksoi Scheffer. NATO, përkatësisht KFOR, shtoi ai, janë të përkushtuar për të garantuar një klimë të qëndrueshme, stabilitet dhe siguri për të gjithë në Kosovë. Kurse çdo akt i dhunës vetëm sa do ta dëmtonte procesin, theksoi Scheffer, por njëkohësisht ai tha se KFOR-i është i gatshëm të ballafaqohet me çfarëdo sfide. Në vazhdim, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i ka rikujtuar të gjithë ata që besojnë në ndarjen apo copëtimin e Kosovës, se NATO nuk do t’i toleroj veprime të tilla eventuale.
“Ndarja nuk mund të jetë opsion dhe kurrë nuk do të jetë opsion”, tha Scheffer, duke u dërguar mesazhe të gjithë atyre që mbështesin copëtimin e Kosovës se kjo nuk do të tolerohet nga ana e NATO-s. Scheffer i ka siguruar sërish kosovarët se NATO, përkatësisht KFOR-i është përkushtuar të qëndrojnë në Kosovë për aq sa të jetë e nevojshme. Bashkë me sekretarin e përgjithshëm Jaap de Hoop Scheffer, në këtë vizitë kanë qëndruar dhe anëtarët e Këshillit Veri-Atlantik që përfshin ambasadorët e 26 vendeve anëtare. Scheffer dhe përfaqësuesit e Këshillit Veri-Atlantik kanë zhvilluar takime të ndara me Ekipin Negociues të Kosovës, udhëheqësit e komunitetit serb si dhe me përfaqësuesit e lartë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

XS
SM
MD
LG