Ndërlidhjet

RIZA HALIMI: NËSE KOSOVA COPËTOHET, NE KËRKOJMË BASHKIM ME KOSOVËN


Intervistë me Riza Halimin, deputet në Kuvendin e Serbisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Halimi keni thënë se në rast të ndarjes së Kosovës, shqiptarët në Luginën e Preshevës do të kërkojnë bashkimin me Kosovën. Si e shpjegoni këtë qëndrim?

RIZA HALIMI
Po kjo është Platforma politike, që këshilltarët shqiptarë të tri Kuvendeve Komunale, e kanë aprovuar më 14 Janar të vitit 2005. Që në pjesën e parë të saj thuhet qartë se subjektet politike dhe vetë ky forum më i lartë përfaqësues i shqiptarëve në Luginën e Preshevës i pranon të gjitha parimet e Grupit të Kontaktit, pra edhe pavarësinë e Kosovës në kufijtë aktualë dhe të drejtën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës që ti realizojnë të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive në kuadër të institucioneve të Serbisë, me anë të decentralizimit dhe rajonalizimit. Por, poqese, rrjedhat do të jenë të atilla që do të ketë ndryshime dhe do të kishte kërkesa këmbëngulëse të serbëve në veri për ndarje nga Kosova, atëherë është shumë e qartë se shqiptarët edhe më herët, qysh më 1 Mars të vitit 1992, kanë mbajtur Referendumin, me të cilin janë deklaruar për autonomi politike dhe territoriale, në Serbi, por në pjesën e dytë të pyetjes së Referendumit kishim edhe të drejtën për bashkim me Kosovën, që në realitet, ishte konfirmim i së drejtës për vetëvendosje. Andaj, në një rrjedhë të këtillë të ngjarjeve, kur me retorikën e tashme, udhëheqja më e lartë politike dhe shtetërore e Serbisë, në këtë drejtim është jokorrekte dhe pa argumente e refuzon dokumentin e presidentit Ahtisaari, me një prapavijë që në mënyrë perfide, në kohë të fundit, del dhe shpie në ujërat e ndarjes, atëherë është shumë e qartë se edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, ku shqiptarët janë shumicë absolute, do të kishin kërkesën, të cilën edhe një herë po e përsërisë, e kanë deklaruar në Referendumin e 1 marsit të vitit 1992.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se në këtë frymë, siç thatë ju, është edhe kërkesa e një lideri partiak komunal shqiptar në Luginën e Preshevës, që komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të kenë autonomi ose status special?

RIZA HALIMI
Ndër rreshta është konfuze deklarata apo kumtesa e një niveli të Degës së PDSH-së, që selinë e ka në Preshevë dhe janë disa hapa të ngutshëm, që shpiejnë pikërisht ndoshta në disa akuza që vijnë aktualisht nga qarqet më radikale serbe, si nga socialistët ashtu edhe nga radikalët, që dëshirojnë, në këtë drejtim, kundër pavarësisë së Kosovës, të paraqesin edhe pozicione të tilla se automatikisht me pavarësinë e Kosovës do të dilnin edhe kërkesa të menjëhershme për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, që në strategjinë serbe, është për të krijuar konfuzion. Ma merr mendja se Platforma politike, që e kemi miratuar gjatë vitit 2005 është shumë e qartë dhe atë u mundova ta sqarojë në mënyrë burimore, siç e kemi të miratuar dhe asnjë parti politike, as PDSH-ja e as degët e veta, ma meerr mendja se nuk kanë nevojë që ta ndryshojnë radhitjen e hapave.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtari i lartë qeveritar i Serbisë, Rasim Lajiq ka kundërshtuar këto kërkesa duke thënë se janë "jashtë çdo realiteti" dhe se janë në kundërshtim me parimet e Grupit të Kontaktit. Si i vlerësoni ju këto deklarata?

RIZA HALIMI
Thashë pak më parë se faktikisht, ne mbështesim fuqishëm procesin e definimit të statusit final të Kosovës, përkatësisht pavarësinë, që një kohë do të jetë e mbikëqyrur ndërkombëtarisht me kufijtë aktualë të Kosovës dhe pikërisht poqese edhe këtë e ka parasysh zoti Lajiq, se Kosova i ka kufijtë, të cilët sipas parimit të Grupit të Kontaktit, nuk guxojnë të ndryshojnë, në atë drejtim edhe unë pajtohem. Në rast të këtillë, normalisht, shqiptarët do të insistojnë në luftën e tyre politike që në kuadër të institucioneve të Serbisë ti realizojnë të gjitha të drejtat e tyre individuale dhe kolektive. Njësoj sikur që në dokumentin e Ahtisaarit parashihen për pakicën serbe në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
A është unikë faktori politik shqiptar në Luginën e Preshevës lidhur me këto çështje, për të cilat folët në këtë intervisët?

RIZA HALIMI
Platformën e vitit 2005 e kemi aprovuar të gjithë së bashku dhe atëherë e kemi pasur një shkallë të lartë uniteti, që mund të arrihet në një territor në planin politik. Besoj se do ta ruajmë, së paku në orientimet strategjike, edhe mëtutje këtë unitet.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG