Ndërlidhjet

ZGJEDHJET- SFIDË E ARDHSHME NË KOSOVË


HEATHER MAHER

Çështja e zgjedhjeve, sigurimi i votës së drejtë, certifikimi i rezultateve, dhe gjurmimi i fondeve që shpenzohen në fushatat, ishin në fokus të konferencës 3-ditore, që javën a kaluar u mbajt në Uashington.
Delegatë nga Evropa Lindore, Azia Qendrore, Lindja e Mesme dhe Afrika u tubuan bashkë për të mësuar nga përvojat e njëri-tjetrit. Në konferencë mori pjesë edhe përfaqësuesi nga Kosova.
Konferenca Globale e Organizatave Zgjedhore me titull "Numëro çdo votë", i uli bashkë më shumë se 200 zyrtarë të zgjedhjeve nga mbarë bota.
Gjatë tubimit 3-ditësh, delegatët ekzaminuan disa nga çështjet më kritike të administratës zgjedhore, përfshirë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore, rolin e medias në zgjedhjet dhe ndjekjen e fushatës parazgjedhore.
Në mesin e delegatëve ishte dhe Mazllum Baraliu, drejtor ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë. Ai tha se kishte ardhur nga Prishtina për shkak të sfidave që ai dhe kolegët presin të përballen më zgjedhjet e ardhshme lokale dhe kombëtare.
Sipas propozimit të Martti Ahtisaarit, Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë dy ligje zgjedhore, të cilat më pas Baraliu dhe ekipi i tij duhet t'i zbatojnë.
"Ne kemi shumë çështje specifike dhe sfida për shkak të planit të Ahtisaarit dhe feçorive të procesit. Nga këndvështrimi i zgjedhjeve, krijimi i komunave të reja do të jetë një sfidë e vërtetë. Na pret një përgjegjësi e madhe në respektimin, formulimin dhe miratimin e ligjeve, si dhe në realizimin e procesit të drejtë, transparent dhe demokratik zgjedhor", thotë Baraliu.
Ai pohon se ka ardhur në konferencë për të mësuar nga përvoja e ekspertëve tjerë dhe për të vendosur kontakte me ta.
"Jemi këtu për të mësuar, për të shkëmbyer përvoja me njerëz të ndryshëm, me komisionerë dhe përfaqësues të zgjedhjeve. Kjo do të na ndihmojë shumë në kohën kur vendi është në procesin e bërjes së shtetit. Është diçka shumë e dobishme", thotë Baraliu.
Një ekspert, nga i cili Baraliu kishte mundësinë të mësojë diçka, është Marcin Walecki, ekspertiza e të cilit është në fushën e antikorrupcionit dhe të programeve të financimeve politike. Ai ka qenë konsultant në shumë shoqëri në tranzicion, përfshirë në Azerbejxhan, Bosnje, Gjeorgji, Irak, Kosovë, Rumani, Rusi dhe Ukrainë.
Walecki i tha Radio Evropa e Lirë se rënia në gjurmë e parave që shpenzohen për partitë politike dhe fushatat zgjedhore, është një nga çështjet më kritike për demokracitë. Arsyeja e parë thotë ai, janë lidhjet e krijuara ndërmjet organizatave kriminale dhe grupeve të interesit, që kërkojnë të ndikojnë në rezultatin zgjedhor. E dyta është se 99 % e njerëzve nuk kanë mundësinë të kandidohen në vendet e tyre sepse nuk mund t'i mbulojnë shpenzimet. Arsyeja e tretë është se fushatat politike janë bërë si garë e armatimit, ku çdo kandidat përpiqet të shpenzojë më shumë se tjetri.
"Gjithë kjo më sjell në përfundimin se në shekullin 20 kemi folur për zgjedhje të lira dhe të drejta. Por tash çështja do të shtrohet nëse zgjedhjet do të jenë transparente dhe të besueshme, sepse nuk mund të shmanget çështja e parave dhe roli i tyre në politikë", pohon Walecki.
Kjo punë thotë Walecki, del në shesh pas zgjedhjeve, kur financuesit e fushatës kërkojnë llogari dhe duan të përfitojnë nga ajo që kanë bërë.
XS
SM
MD
LG