Ndërlidhjet

ÇFARË PRESIN SHQIPTARËT DHE SERBËT NGA TAKIMI I KS-SË?


Albana Isufi

Shqiptarët e Kosovës presin që me takimin e sotëm të Këshillit të Sigurimit, ku i dërguari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për statusin, Martti Ahtisaari, do të paraqesë propozimin për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, do të hapet rruga e jetësimit të këtij plani. Megjithatë, ndër qytetarë ekziston frika se hezitimi i disa shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit për të pranuar pakon, do të mund të zvarrisë procesin. Rexhep Balidemaj pret që fuqitë perëndimore të shtyjnë procesin përpara. “Po presim më të mirat, por të shohim se çka vendoset në fund. Presim, meqenëse këto institucione ndërkombëtare janë deklaruar për pavarësi, por disa shtete po e mohojnë në tërësi. Por, nëse kemi fat, këto shtete që po e mohojnë, nuk do të kenë efekt dhe do t’na bëhet puna pak më mirë”, thotë Balidemaj. Bujar Drizdari thotë se pakoja e Ahtisaarit nuk ofron më të mirën për Kosovën, megjithatë sipas tij, është e vetmja që do të mund të zbatohej aktualisht. “Shpresoj se do të pranohet, edhe pse për ne, shqiptarët e Kosovës, nuk na konvenon pakoja e Ahtisaarit, por më mirë ajo sepse mandej mund të bëhet edhe më keq. Këta nëse janë të mençur, fuqitë e mëdha, anëtarët e Quint-it, duhet ta shpejtojnë procesin dhe sa më shpejt të rregullohet statusi i Kosovës, sepse ndryshe, siç po e shihni, gjendja sociale çdo ditë po bëhet më e keqe, por edhe ajo politike”, thotë Drizdari. Ndërkaq një qytetar tjetër, Nexhmi Popova, ka shumë besim tek bashkësia ndërkombëtare, se do të angazhohet për të zgjidhur sa më shpejt statusin e Kosovës. Ai mendon se edhe shtetet që hezitojnë të pranojnë pakon e Ahtisaarit, shpejt do të ndërrojnë mendjen. “Shtetet që nuk e pranojnë me kohë, do të binden dhe do ta shohin realitetin, sepse ky është një realitet i krijuar nga intervenimi i NATO-s. Kosova është shkëputur definitivisht nga Serbia dhe është dashur që statusi të zgjidhet pas tri vjetëve, por është shtyrë deri tash. E mua ma merr mendja se më nuk ka nevojë për shtyrje”, thotë Popova. Në anën tjetër, serbët e Kosovës kanë qëndrime të kundërta nga ato të bashkëvendasve shqiptarë. Nikolla Nikoliq nga Graçanica thotë se plani i Ahtisaarit nuk mund të kalojë në Këshillin e Sigurimit, për shkak të kundërshtimit të disa shteteve anëtare. “Personalisht, mendoj se në Këshillin e Sigurimit ka njerëz të mençur dhe nuk do të lejojnë që një gjë e tillë të miratohet ne atë seancë. Unë pres që ky plan të bie dhe të vazhdojnë negociatat”, thotë Nikoliq. Në anën tjetër, Stefan Niçiq thotë se tashmë gjithçka është zgjidhur. “Çdo gjë është e zgjidhur. Na mbetet vetëm të heqim dorë. Kosova është e shitur”, thekson Niçiq. Ndërkohë, Rexhep Balidemaj thotë se situata do të përkeqësohej në Kosovë, nëse eventualisht do të ketë shtyrje të statusit. “Shumë është pikëpyetje kjo punë. Shumë jemi të rrezikuar për këtë, sepse po ka gjasa që ndikimi i Rusisë ka efekt. Shumë të rrezikuar jemi”, shprehet Balidemaj. Në anën tjetër, Jashar Xhemajli ka besim shumë të madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, do të jetë kjo fuqi botërore që do t’i japë kahjen e duhur zgjidhjes së statusit të Kosovës. “Presim më të mirën dhe kemi shpresa shumë të mëdha në Amerikën. Ajo na ka çliruar dhe ne kemi besim shumë të madh”, thotë Xhemajli. Sido që të jetë, ekspertë të sigurisë kanë paralajmëruar se në rast të shtyrjes së statusit final, në Kosovë mund të ketë përkeqësim të situatës së sigurisë.
XS
SM
MD
LG