Ndërlidhjet

MUSTAFAJ: KOSOVA MUND TË FITOJË PAVARËSINË VETËM SI RAST UNIK


Intervistë me Besnik Mustafajn, ministër i jashtëm i Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafaj, cila është atmosfera në mesin e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit rreth propozimit të Ahtisarit?

BESNIK MUSTAFAJ
Kam takuar ambasadorët e të gjitha vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit duke u përqëndruar tek vendet me të drejtë vetoje, por pa nënvlerësuar 10 vendet jo të përhershme anëtare. Vota e këtyre të fundit është e rëndësishme në rastin kur Rusia nuk do vërë veton. Mund të them se atmosfera përgjithësisht është mbështetëse dhe pozitive ndaj raportit dhe rekomandimeve të presidentit Ahtisari.
Natyrisht ka dhe vende që kanë hezitimet e tyre, hezitime që nuk lidhen me keqdashje apo ndonjë simpati të ekzagjeruar ndaj Serbisë. Bëhet fjalë për shqetësimet që vendet afrikane apo Indonezia kanë lidhur me territore të caktuar brenda shteteve të tyre. Nëse pavarësia e Kosovës do vlerësohet si precedent do komplikojë situatën në vendet nga ato vijnë. Por dominon një frymë optimiste dhe këtë e them me realizëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të ndalesha tek Rusia, vend me të drejtë vetoj në KS. Nga kontaktet tuaja në Nju Jork, cili do jetë qëndrimi i Rusisë kur plani të hidhet në votim?

BESNIK MUSTAFAJ
Vështirë të parashikohet. Deri tani ka dy hipoteza. Një hipotezë është që Rusia do këmbëngulë deri në fund se nuk duhet të ketë zgjidhje të imponuar.
Hipoteza e dytë është që Rusia nuk do vërë veton në momentin e fundit. Kjo ka dalë dhe gjatë bisedimeve që kam pasur me ambasadorët e vendeve shumë të rëndësishme si Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe e Kina.
Unë i kam ndjekur me vëmendje qëndrimet ruse, kam patur katër takime me ministrin e jashtëm rus gjatë vitit të kaluar dhe nuk e vë në dyshim se Rusia do tregohet një vend i përgjegjshëm duke pasur parasysh rolin që ajo luan për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar. Mendoj se Rusia do tregohet deri në fund e përgjegjshme që të mos marrë një vendim që prodhon destabilitet për rajonin e Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë keni pasur takime me vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit që kanë rezerva apo nuk mbështesin planin e Ahtisarit, si Sllovakia, Indonezia apo disa vende afrikane. Cilat janë gjasat për ndryshimin e pozicionit të tyre?

BESNIK MUSTAFAJ
Mund të them se Sllovakia jep garanci se nuk do t'i shkëputet qëndrimit të Bashkimit Evropian. Deri tani, nisur nga deklarimet e presidencës gjermane apo përfaqësuesit për politikën e jashtme, Javier Solana BE-ja mbështet propozimet e presidentit Ahtisari.
Ndryshe qëndron puna me vendet afrikane. Unë takova ministrin e jashtëm të Kongos, ambasadorin e Ganës, dhe këto vende e theksoj kanë ngurrime nga fakti se po të quhet precedent juridik rasti i Kosovës, atëherë atyre mund tu hapen probleme në shtetet e tyre.
Jam i bindur se në momentin që këto vende të garantohen se Kosova është rast unik, që nuk mund të shërbejë as si precedent, as si model për pjesë të tjera të globit atëherë ato do mund të marrin një qëndrim në favor të raportit të presidentit Ahtisari.

RADIO EVROPA E LIRË
Cfarë garancish konkrete kërkojnë këto vende kur Grupi i Kontaktit e ka përsëritur në vazhdimësi se Kosova është rast unik?

BESNIK MUSTAFAJ
Grupi i Kontaktit është një lloj "Task Force" për të shoqëruar procesin e negociatave. Grupi i Kontaktit nuk ka mandat që të përcaktojë fuqinë prapavepruese që mund të ketë zgjidhja e statusit të Kosovës. Këto siguri i jep vetëm Këshilli i Sigurimit.
Nëse të gjitha vendet do jenë dakord, sidomos 5 vendet anëtare të përhershme, do bien dakord që ky nuk mund të jetë precedent atëherë gjithcka thjeshtohet.
Nga pesë vendet anëtare të pëhershme deri tani, katër janë dakord që Kosova nuk është precedent, mbetet vetëm që Rusia t'i bashkohet. Kjo është garanca që iu nevojitet vendeve të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni takuar me Sekretarin e Përgjithshëm Ban Ki Moon, i cili ka mbështetur planin e Ahtisarit. Cfarë hapash do marrë ai personalisht dhe strukturat e kësaj organizate për të mundësuar miratimin e planit të Ahtisarit?

BESNIK MUSTAFAJ
Nëse vlerësojmë një hirearki të personaliteteve që kanë ardhur në mbështetje planit të Ahtisarit dhe propozimit të tij për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën, atëehë Sekretari i Përgjithshëm i KB-së është aktori më i rëndësishëm në nivel global.
Pata një takim shumë mirëkuptues me të dhe më pohoi se do investojë dhe personalisht në procesin e mbështetjes së propozimiti të presidentit Ahtisari.
Ai do t'i telefonojë kryetarëve të disa shteteve apo qeverive që kanë hezitime. Është demarsh jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kontribut i jashtëzakonshëm jo vetëm në përmbushjen e vullnetit të shumicës së qytetarëve të Kosovës, por dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mund ta kemi rezolutën e re për Kosovën?

BESNIK MUSTAFAJ
Është e pamundur të vendoset një kalendar. Mendoj se kjo është pyetja më e rrezikshme se krijon përshtypjen se tek shqiptarët e Kosovës ekziston rreziku i padurimit. Armiku më i madh që mund të ketë zgjidhja e drejtë e cështjes së Kosovës, pra pavarësisë së saj, është padurimi i kosovarëve.
Nuk duhet të ketë shenja padurimi, duhet të shoqërohet procesi me vetbesim ndaj miqve të mëdhenj që po merren me zgjidhjen e cështjes së Kosovës.
Nuk është momenti të mendojmë më javë apo ditë, po duhet të forcojmë besimin tek angazhimi shumë i madh për zgjidhjen e cështjes së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkësia ndërkombëtare e ka përsëritur shpesh se ndarja nuk është opcion për zgjidhjen e cështjes së Kosovës. A vazhdon të mbetet i bashkuar rreth këtij qëndrimi faktori ndërkombëtar?

BESNIK MUSTAFAJ
Për fat po. Askush në zërat relevantë ndërkombëtarë nuk e sheh si zgjidhje të arsyeshme ndarjen e Kosovës. Copëtimi i Kosovës do shoqërohej me shumë probleme të tjera rajonale dhe që do ta bënte pa sens ekzistencën e Kosovës.
Kështu që ai kusht apo një nga jo-të e famshme të artikuluara që në vitin 2005 se nuk ka copëtim të Kosovës mbetet subtanciale për të arrituir në një zgjidhje që prodhon stabilitet për rajonin.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë fazë kyce për rajonin cfarë mund të bëjnë udhëheqësit e Kosovës konkretisht në ndihmë të miratimit të propozimit të Ahtisarit? Po Shqipëria?

BESNIK MUSTAFAJ
E para udhëheqësit politikë të Kosovës dhe këtu kam aprasysh faktorët përfaqësues në parlament duhet të vazhdojnë të jenë të bashkuar. Kuptimi i termit Grupi i Unitetit duhet të vazhdojë të jetë evident, efikas dhe në funksionim të plotë.
Grupi i Unitetit duhet të mbështesë qeverinë dhe presidentin dhe këta të fundit duhet të jenë në kordimin të pandërprerë në veprimtarinë e tyre dhe me bashkësinë ndërkombëtare.
Ky është kontributi kryesor që nevojitet të japë tani udhëheqësia e Kosovës.
Sa i përket Shqipërisë ajo duhet të vazhdojë të jetë aktive në marrëdhëniet ndërkombëtare për të shpjeguar se si vend fqinj është e bindur se vetëm një Kosovë e pavarur prodhon stabilitet për rajonin.
Do vazhdojmë të shpjegojmë se kufiri Shqipëri-Kosovë në kushtet e një Kosove të pavarur është kufi i pandryshuar dhe nuk ka asnjë rrezik apo realitet që të frymëzojë prishjen e kufirit në një të ardhme.
Po ashtu shqiptarët e Maqedonisë duhet të vazhdojnë ta shohin të ardhmen e tyre brenda institucioneve të Maqedonisë. Në këtë mënyrë të jenë të parët shqiptarët e Maqedonisë që t'i dëshmojnë komunitetit ndërkombëtar se janë të parët që pranojnë se Kosova është rast unik.
Kosova mund ta fitojë pavarësinë vetëm duke qenë si një rast unik.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG