Ndërlidhjet

logo-print

KUVENDI NË MBËSHTETJE TË PAKOS SË AHTISAARIT


Rrahman Paçarizi

Kuvendi i Kosovës qysh në seancën e nesërme mund të vendosë për t‘i dhënë mbështetje propozimit të Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur, thanë zyrtarë të Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që përfaqësues të partive politike thanë se kjo mbështetje është e domosdoshme dhe duhet të bëhet në një afat sa më të shpejtë që të jetë e mundur. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se plani i Ahtisaarit ka nevojë për mbështetje nga Kuvendi. “Propozimi i zotit Ahtisaari, sidomos pas diskutimeve që janë zhvilluar në New York, ka nevojë për një mbështetje të mirëfilltë edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që reflektojnë argumentin e qytetarëve të Kosovës, si përfaqësues të tyre”, tha zoti Hoxhaj, sipas të cilit koha se kur duhet të ndodhë kjo mbështetje, mbi të gjitha është çështje e agjendës së Ekipit të Unitetit dhe e Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq, anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ernest Luma, tha se kjo parti e përfaqësuar në Ekipin e Unitetit dhe me rol udhëheqës edhe në Qeverinë e Kosovës, është e përcaktuar që Kuvendi i Kosovës të bëjë hapa praktikë në atë që quhet jetësim i vullnetit të popullit të Kosovës për shtet sovran dhe të pavarur. “Është punë e Kuvendit të Kosovës, që në afat sa më të shkurtër të bëjë aprovimin e një rezolute në mbështetje të këtij plani dhe të këtij vendimi, që është në njëfarë mënyre konform me atë për të cilën jemi angazhuar të gjithë, për realizimin e këtij vullneti politik të popullit të Kosovës dhe kjo duhet të bëhet në një afat sa më të shpejtë të mundshëm”, tha zoti Luma. Ndërkohë që Skënder Durmishi, zëdhënësi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, tha se Kuvendi i Kosovës gjatë tërë procesit e ka mbështetur Ekipin e Unitetit, por edhe Ekipi i Unitetit ka theksuar vazhdimisht se në fund të fundit vula përfundimtare e çdo vendimi do të jepet në Kuvendin e Kosovës. “Kuvendi i Kosovës do të deklarohet edhe lidhur me planin e zotit Ahtisaari, që tashmë është paraqitur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Pritet që kjo të bëhet në një seancë plenare, ku mbështetja do të jepet në formën e një deklarate apo rezolute dhe për këtë vendos Kuvendi natyrisht. Është një orientim që kjo seancë të mbahet ditën e enjte, pra nesër, por lidhur me këtë është kompetencë e kryesisë që paraprakisht të marrë vendimin për thirrjen e mbledhjes së Kuvendit dhe caktimin e rendit të ditës”, u shpreh zoti Durmishi. Mirëpo, shtoi Durmishi, gjithçka tash për tash është në pritje të kthimit të presidentit Sejdiu nga New York-u. “Të gjitha këto do të jenë më të qarta sapo të kthehet presidenti Sejdiu nga New York-u, për të vendosur lidhur me një qëndrim të organizuar të institucioneve të Kosovës për planin e paraqitur nga zoti Ahtisaari. Pra, në këtë kuadër, edhe Kuvendi do ta thotë vlerësimin dhe qëndrimin e vet”, theksoi zoti Durmishi. Sidoqoftë, me gjithë paralajmërimet nga pothuaj të gjitha forcat relevante politike të Kosovës, përcaktimi i agjendës së seancës së rregullt të Kuvendit të Kosovës varet nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës, që duhet të takohet sot.
XS
SM
MD
LG