Ndërlidhjet

UNOSEK: VAZHDIMI I PROCESIT TË STATUSIT VARET NGA KS-JA


Zijadin Gashi

Emisari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, do të analizojë rezultatet e sesionit të djeshëm konsultativ në Këshillin e Sigurimit lidhur me procesin e statusit të Kosovës, para se të vendosë për hapat në vijim, thotë zëdhënësi i UNOSEK-ut në Vjenë, Remi Dourlot. Sesioni i 3 prillit, është fillimi i procesit në Këshillin e Sigurimit dhe varësisht kërkesave që vijnë nga New York-u, Ahtisaari do të vendosë se si të vazhdohet procesi deri në nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën, thotë Dourlot. Kjo, sipas tij, nënkupton edhe çështjen nëse do të ketë apo jo, nevojë për konsultime shtesë në këtë proces. “Nëse Këshilli i Sigurimit vendos që të vazhdojnë konsultimet për Kosovën dhe të dëgjojnë komentet shtesë nga ana e Ahtisaarit, ai do të jetë në dispozicion të Këshillit të Sigurimit”, u shpreh Dourlot. Sipas tij, për të gjithë hapat në vijim, varet nga Këshilli i Sigurimit se si do të veprohet. Ndërkaq, lidhur me mundësinë që Ahtisaari të zhvillojë konsultime edhe me palët në bisedime, me Prishtinën e Beogradin, Dourlot tha se formati i të gjitha konsultimeve do të varet nga New York-u. “Këshilli i Sigurimit vendos, se kë ata dëshirojnë ta dëgjojnë, lidhur me pakon e propozuar”, theksoi Dourlot. Zëdhënësi i UNOSEK-ut tha po ashtu se mandati i Ahtisaarit, në cilësinë e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin, zgjat deri në nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën. “Ne konsiderojmë se puna jonë nuk duhet të vazhdojë pas nxjerrjes së rezolutës nga Këshilli i Sigurimit. Dhe, presim që kjo rezolutë të nxirret në një periudhë sa më të shkurtër kohore”, tha Dourlot. Ndryshe, presidenti Ahtisaari ka prezantuar planin e tij dhe rekomandimin për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën para Këshillit të Sigurimit, mirëpo përveç diskutimeve, kjo pako tani ka hyrë në proces të marrjes së përkrahjes nga vendet anëtare, përkrahje kjo e nevojshme për nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën.

XS
SM
MD
LG