Ndërlidhjet

VLERËSIMET E SHQIPTARËVE DHE SERBËVE PËR MBLEDHJEN E KS-SË


Bekim Bislimi

Propozimi i Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, tashmë ka filluar të shqyrtohet në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërkaq që qytetarët e Kosovës shprehin mendime të ndryshme, lidhur me atë se a do të miratohet ky plan apo jo. Përderisa qytetarët shqiptarë pohojnë se në fund ky propozim do të përkrahet, përkundër se shprehin skepticizëm, në anën tjetër qytetarët serbë shpresojnë të ndodhë e kundërta. Emin Emini shpreh mendimin, se Këshilli i Sigurimit për momentin nuk është i gatshëm të miratojë një rezolutë të re për Kosovën. “Ndoshta ky proces do kohë akoma, derisa të bindet opinioni rus. Pra, duhet edhe një lobim shumë më i fortë i politikës ndërkombëtare, që të bindet Rusia, në mënyrë që të aprovohet një rezolutë e re në Këshillin e Sigurimit për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën”, thotë zoti Emini. Arben Syla shprehet skeptik lidhur me mbështetjen e Këshillit të Sigurimit për propozimin e Ahtisaarit. “Kam një përshtypje, që nuk do t'na përkrahë siç na ka përkrahur më parë Këshilli i Sigurimit. Kohëve të fundit, duke përcjellur mediat, e kam humbur besimin tek Këshilli i Sigurimit. Kuptohet, shtetet që nuk na përkrahin kanë ndikim aty, kanë dëshirë që të shtyhet, pra tentojnë që përmes kohës t’i arrijnë qëllimet e veta”, shprehet zoti Syla. Agron Bujupi shprehet optimist lidhur me procesin. “Më në fund do të miratohet, ndoshta në qershor më së largu, për arsye të hesapeve të fuqive të mëdha. Derisa kjo të miratohet, duhet të kryhet ‘pazari’ i fuqive të mëdha, Rusisë dhe Amerikës”, thekson zoti Bujupi. Sedat Kuçi shpreson, se pavarësisht që disa kundërshtarë të propozimit të Ahtisaarit për Kosovën, po përpiqen ta zhagisin procesin e fundit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, siç thotë ai, nuk do t’ia dalin. ”Vendimi i Këshillit të Sigurimit, besoj se do të jetë, që Kosova ta fitojë statusin e pavarësisë. Brenda vetë Këshillit të Sigurimit, unë kujtoj se ka edhe aty një luftë për prestigj, në radhë të parë Rusia, e cila një kohë ishte lënë anash në kuptimin ekonomik dhe diplomatik, me arsye të saj e jo të perëndimit”, thotë zoti Kuçi. Ndërkaq, Lubisha Shariq, serb nga Rahoveci, shpreson se propozimi i Ahtisaarit për Kosovën do të dështojë dhe se nuk do të pranohet nga Këshilli i Sigurimit. “Pres që Ahtisaari do të ndërrohet dhe se në vend të tij do të vijë dikush, që do të jetë objektiv dhe i paanshëm, i cili do ta rregullojë krejt situatën”, thotë Shariq. Ndërsa, Tamara Nikoliq shpreh mendimin se propozimi i Ahtisaarit do të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit. “Mendoj se është absolutisht e parashikueshme që ai plan, me ndonjë ndryshim minimal, do të pranohet në një kohë të afërt”, thekson Nikoliq. Sidoqoftë, qytetarët shqiptarë pohojnë se mosmbështetja e propozimit të Ahtisaarit nga Këshilli i Sigurimit, do të prodhonte efekte negative brenda Kosovës por edhe në rajon, ndërkaq që serbët e thonë të kundërtën.

XS
SM
MD
LG