Ndërlidhjet

NUMRI I VIKTIMAVE TË TRAFIKIMIT NGA KOSOVA – NË RRITJE


Nadie Ahmeti

Kosova është shndërruar në vend origjine dhe destinacioni për trafikim të qenieve njerëzore, që në shumicën e rasteve viktimat përdoren për shfrytëzim seksual dhe janë të detyruara të punojnë pa dëshirën e tyre, thonë zyrtarë të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim. Bekim Ajdini, zëdhënës në këtë organizatë, thotë se prej vitit 1999 e deri më tani, kjo organizatë ka asistuar mbi 600 viktima të prostitucionit. Karakteristikë në këtë drejtim, zoti Ajdini thotë se viteve të fundit është rritur dukshëm numri i viktimave kosovare, të moshës minore, ndërkaq është në ulje numri i viktimave të huaja. “450 prej tyre kanë qenë viktima të huaja, ndërkaq 91 kanë qenë viktima vendore. Gjatë këtij viti nuk kemi asnjë rast të asistimit, për arsye se nuk janë referuar rastet, por në vazhdimësi e sipër i kemi 51 raste nga viti i kaluar, flasim për ato vendore, që kemi vazhduar me asistimin e tyre”, thotë zoti Ajdini. Edhe Shërbimi Policor i Kosovës, prej vitit 2001 e deri në vitin 2006, ka arrestuar mbi 500 viktima të prostitucionit, ndërkaq 88 prej tyre janë identifikuar si viktima kosovare. Violeta Elezaj, zëdhënëse në këtë shërbim, pohon se me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie, organet e rendit deri më tani kanë zhvilluar disa aksione në të gjithë Kosovën. “Prej muajit janar e deri në qershor të vitit 2006, kanë qenë 16 operacione të fshehta, janë bërë 837 lokale të dyshimta të kontrolluara, kemi 17 lokale të mbyllura, janë bërë 33 arrestime me minus 15, që kanë pasur lidhje me veprimet e trafikimit apo prostitucionit”, tha zonja Elezaj. Pas arrestimit të viktimave, faza më e rëndësishme është riintegrimi i tyre në shoqëri, proces ky me të cilin merret Organizata Ndërkombëtare për Migrim. Duke treguar për mënyrën e rehabilitimit të viktimave vendore, Bekim Ajdini tha se kjo organizatë ofron edhe ndihmë financiare, në mënyrë që viktimat të kyçen në rrjedhat e jetës normale. ”Duke filluar prej ndihmës simbolike financiare, pastaj ndihmës mjekësore e deri te dizajnimi i ndonjë projekti riintegrues, i cili ka për t’i sjellë një qëndrueshmëri financiare atij personi. Flasim për realizimin e projekteve të ndryshme, hapjen e ndonjë biznesi, vazhdimin e shkollimit etj”, thekson zoti Ajdini. Ndërkaq, në rastin e viktimave të huaja, IOM-i fillon procedurat e riatdhesimit në vendet prej nga kanë ardhur viktimat. “I tërë procesi në rastin e viktimave të huaja, bëhet me vendin prej nga kanë ardhur”, pohon Bekim Ajdini. Sidoqoftë, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, grupet më të rrezikuara për përfshirje në trafikim, janë gratë dhe vajzat e reja, të cilat jetojnë në viset rurale, familjet e të cilave jetojnë në kushte të rënda sociale dhe gratë e vajzat, që përgjithësisht kanë nivel të ultë të arsimimit.
XS
SM
MD
LG