Ndërlidhjet

RUECKER: NUK KA NEVOJË TË KËRKOHEN FAKTE PËR GJENDJEN NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi

Dërgimi i misionit faktmbledhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me të cilin do të vlerësohej përmbushja e standardeve dhe e Rezolutës 1244, është më shumë një humbje kohe, pasi faktet që synojnë të mblidhen në këtë mision, tashmë ekzistojnë në raportet e rregullta të UNMIK-ut për Këshillin e Sigurimit. Kështu kanë reaguar përgjithësisht udhëheqës të UNMIK-ut dhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe të partive kryesore politike. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, në një debat në një universitet në Prishtinë, tha se ky mision nuk është i nevojshëm, por do të mirëpritet. “Të gjithë ata që duan ta shohin Kosovën, janë të mirëseardhur. Por, unë pajtohem se faktet nuk ka nevojë të kërkohen, pasi ato janë në raportet e rregullta të UNMIK-ut”, tha zoti Ruecker, për të shtuar nëse Këshilli i Sigurimit apo anëtarë të tij duan të vijnë në Kosovë, ata janë të mirëseardhur. Zoti Ruecker ka shprehur bindjen se do të ketë një rezolutë, pasi jo vetëm Kombet e Bashkuara në përgjithësi, por edhe Këshilli i Sigurimit në veçanti është i interesuar të luajë rol të rëndësishëm në procesin e përcaktimit të statusit. Hajredin Kuçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ndërkaq mendon se propozimi rus për formimin e këtij misioni faktmbledhës, është një përpjekje për zvarritjen e procesit të përcaktimit të statusit. Sipas zotit Kuçi, Kosova ka qenë nën administrimin e atyre, që kërkojnë vizitë për të mbledhur fakte për gjendjen në Kosovë. “Suksesi dhe mossuksesi në Kosovë, në radhë të parë, ka qenë i lidhur me emrin e UNMIK-ut. Në anën tjetër, përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së ka pasur raportime të rregullta në Këshillin e Sigurimit për punën e tij”, tha Hajredin Kuçi, sipas të cilit, kërkesat e tilla i shërbejnë vetëm humbjes së kohës për përcaktimin e statusit. Edhe nënkryetari i Partisë Reformiste Ora, Ylber Hysa, mendon se kërkesat e tilla paraqesin përpjekje për zvarritjen e procesit dhe humbje kohe. “Ne konsiderojmë se procesi i definimit të statusit të Kosovës, është pjesë e procesit të Kombeve të Bashkuara dhe prezencës së tyre tetëvjeçare. Në fund të fundit, nuk duhet harruar se edhe vetë misioni i Ahtisaarit është në kapacitetin e të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm dhe si i tillë, është pjesë e këtij procesi dhe informimit të ndërsjellë”, u shpreh zoti Hysa. Ai theksoi se Këshilli i Sigurimit, në mënyrë të rregullt tremujore, është informuar nga UNMIK-u për situatën dhe zhvillimet në Kosovë, ndërkohë që përkujton se edhe procesi i Ahtisaarit është hapur në bazë të raportit të të dërguarit tjetër të Kombeve të Bashkuara, Kai Eide. Në anën tjetër, zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë sot në Prishtinë, se i kanë bërë përgatitjet e nevojshme, për të filluar misionin e tyre në Kosovë, menjëherë pas miratimit të rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. I dërguari i posaçëm i Javier Solanës për Kosovën, Torbjorn Sohlstrom dhe Kasper Klynge, udhëheqës i Ekipit Planifikues të BE-së, thanë sot në një konferencë në Prishtinë, se të 27 vendet anëtare të BE-së po i përkrahin pa rezervë përgatitjet për misionin e ri në Kosovë, të bindur se Këshilli i Sigurimit do ta miratojë shumë shpejt rezolutën e re për Kosovën. I dërguari i Javier Solanës në Kosovë, Torbjorn Sohlstrom, tha se BE-ja ka filluar të ndajë buxhetin për fazën e parë të misionit, që ka për qëllim të mbikëqyrë implementimin e marrëveshjes për statusin. “Fakti që 27 vendet anëtare të BE-së po na përkrahin maksimalisht në përgatitjen e misionit këtu, tregon gatishmërinë tonë për të vepruar në mënyrë unike”, tha Sohlstrom. Ndërkaq, udhëheqësi i Ekipit Planifikues të BE-së, Kasper Klynge, tha se përgatitjet për fillimin e misionit janë intensifikuar pas dërgimit të propozimit për statusin në Këshillin e Sigurimit. “Misioni që do të vendoset këtu, është mision i drejtë që do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve për njerëzit në Kosovë. Jemi shumë ambicioz dhe të bindur, se misioni jonë është i drejtë për Kosovën”, u shpreh Klynge. Klynge dhe Sohlstrom thanë se misioni evropian do të ketë 1800 njerëz, të përqendruar kryesisht në polici dhe gjyqësi.
XS
SM
MD
LG