Ndërlidhjet

logo-print

KUVENDI MBËSHTET PAKON E AHTISAARIT


Zijadin Gashi

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot një deklaratë, përmes së cilës i jep mbështetje pakos dhe rekomandimit të presidentit Ahtisaari, për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën. Me këtë deklaratë, Kuvendi e pranon zgjidhjen e ofruar nga Ahtisaari, të prezantuar më 3 prill edhe para Këshillit të Sigurimit, si dhe shpreh gatishmërinë të mirëpresë një prani të ardhshme civile dhe ushtarake në Kosovë. Deklarata është lexuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha. “Kuvendi i Kosovës, përmes kësaj deklarate, mirëpret raportin final të të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara për procesin e statusit të Kosovës, të paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më 26 mars 2007, duke besuar se rekomandimet e tij paraqesin një zgjidhje të drejtë dhe të balancuar, që është në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës”, tha Berisha. Përmes deklaratës, Kuvendi e pranon dhe zotohet të zbatojë plotësisht Propozim-Marrëveshjen e prezantuar nga Ahtisaari. Kur marrëveshja të jetë e pranueshme për Këshillin e Sigurimit, dispozitat që i përmban ajo do të jenë ligjërisht të obligueshme për Kosovën, thuhet në deklaratë. Në seancën e sotme, kanë marrë pjesë anëtarët e Ekipit Negociues, të cilët i janë drejtuar Kuvendit me fjalimet e tyre. Presidenti Fatmir Sejdiu e ka informuar Kuvendin edhe në lidhje me rrjedhat e takimit të 3 prillit, në Këshillin e Sigurimit për Kosovën. Zoti Sejdiu tha se presidenti Ahtisaari ka argumentuar qëndrimin e tij për të ardhmen e Kosovës, si një vend i pavarur me një mbikëqyrje ndërkombëtare dhe prezencë të NATO-s. “I kemi dhënë mbështetje këtij procesi, i kemi dhënë mbështetje qëndrimeve të shprehura në pakon e përgjithshme të presidentit Ahtisaari dhe dokumentit të rekomandimeve, duke e konsideruar si një dokument të balancuar, duke e konsideruar si një dokument, në të cilin kemi bërë kompromiset tona për hir të së ardhmes së Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj”, theksoi presidenti Sejdiu. Ndërkaq, kryeministri Agim Çeku tha se deklarata e Kuvendit e ka mbështetjen e tij dhe të Qeverisë së Kosovës, pasi që pakoja dhe rekomandimi i Ahtisaarit i përmbush kërkesat e kosovarëve për pavarësinë e Kosovës dhe rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane dhe veri-atlantike. “Pavarësia që presim të finalizohet së shpejti, nuk është fundi i procesit. Ajo është fillimi i një rrugëtimi të ri. Vizioni ynë parasheh integrimin e Kosovës në Unionin Evropian dhe në NATO”, pohoi kryeministri Çeku. Ndërkohë, mbështetje të fuqishme, zgjidhjes që ka ofruar Ahtisaari, i ka dhënë edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se në Kosovë po ndodh një mrekulli, me vetë faktin se vendimi për të ardhmen e saj do të jetë pavarësia e Kosovës. “Me pavarësinë vijnë edhe sfida të reja, sfida për të cilat kemi marrë edhe përgjegjësitë që na takojnë. Por, një gjë është e qartë, me pavarësinë vijnë edhe mundësi të reja, me pavarësinë vijnë krenaria, dinjiteti, vijnë ditë të reja, epokë e re, nga e cila secili prej nesh kërkon më shumë punë, për të arritur stabilitet, përparim e jetë më të mirë për qytetarët dhe vendin tonë”, u shpreh Thaçi. Po ashtu edhe lideri i partisë së dytë opozitare, Ora, Veton Surroi, tha se ky moment koincidon me ato momente të para, të viteve kur Kosova filloi partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, që u firmos me marrëveshjen e Rambujesë. Kurse përmbyllja e këtij procesi, tha Surroi, po vjen sërish në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, duke bashkuar botën demokratike rreth çështjes së drejtë të Kosovës. “Sot është nder që çështja jonë, çështja e Kosovës, të jetë shndërruar në çështje që bashkon prapë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, që bashkon edhe ato shtete brenda Bashkimit Evropian, të cilat mund të kenë pasur dyshime, çështje e cila bashkon kultura të ndryshme, bashkon shtetet e krishtera, ato islamike e ato me sfond budist”, theksoi Surroi. Me deklaratën e sotme, Kuvendi i Kosovës u tha se dërgon mesazhe të qarta bashkësisë ndërkombëtare, se Kosova e pranon dhe është e gatshme ta marrë përsipër zbatimin e zgjidhjes për statusin e Kosovës, që e ka ofruar Ahtisaari.

XS
SM
MD
LG