Ndërlidhjet

MBINGARKESAT E BUXHETIT PËR RASTET SOCIALE


Nadie Ahmeti

Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, vitin e kaluar, ka filluar kontrollimin e të gjitha listave të përfituesve të mundshëm socialë, në mënyrë që të kursejë buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Kontrollimi i këtyre listave ka pasuar rekomandimet e kohëpaskohshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës nuk është treguar e përmbajtur në shpenzimet sociale. Ndërkaq, në raportin e fundit të këtij fondi, thuhet se përpjekjet që listat e përfituesve të pastrohen nga përfituesit e pakualifikuar në përgjithësi, nuk kanë zgjatur shumë. Por, ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Ibrahim Selmanaj, pohon se me gjithë angazhimet e shumta në këtë drejtim, rezultatet e spastrimit të listave nuk mund të vërehen për një periudhë të shkurtër. Ai thotë, se problem në këtë fushë paraqet edhe mosregjistrimi i përgjithshëm i popullsisë. “Kemi filluar me një pilot-projekt, në mënyrë që duhet të rikualifikohen të gjithë aplikuesit për asistencën sociale dhe do t’u nxjerrim shumë probleme qendrave sociale, të cilat i kemi të shpërndara në komunat e Kosovës”, thotë ministri Selmanaj. Ndryshe, në raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjithashtu thuhet se edhe benificionet e pensionimit të parakohshëm të minatorëve, paguhen me nivel më të lartë. Duke shpjeguar arsyen pse minatorët paguhen me nga 50 euro në muaj, ministri Selmanaj thotë se ky vendim në këtë kohë është marrë për të ruajtur paqen sociale në Kosovë. “Ne kemi pasur një marrëveshje ndërqeveritare. Marrëveshja ka ekzistuar në bazë të Qeverisë dhe Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. Në këtë kuadër, agjencia është obliguar, është zotuar që të ndajë 10 euro nga fondi, që është mbledhur në AKM, dhe Qeveria ndan vlerën prej 40 eurosh, si të gjithë pensionistëve të tjerë”, shprehet ministri Selmanaj. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është kujdesur në vazhdimësi, për të mos rënduar buxhetin, thotë Selmanaj, duke shtuar se pikërisht për këtë shkak, edhe ligjin për invalidët dhe dëshmorët e luftës ka vendosur ta zbatojë vetëm 75 për qind. “Ne nuk do të shkojmë me vlerë prej 22 milionë eurosh, ngase kemi filluar me 75 për qind dhe do të vazhdojmë zbatimin e kësaj forme, në mënyrë që në vitin 2008, Qeveria me planifikimin buxhetor duhet të ketë parasysh faktin, se ligji duhet të zbatohet, pasi është miratuar në Kuvendin e Kosovës”, thekson zoti Selmanaj. Ndryshe, edhe zyrtarë të partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës, thonë se me një përkushtim më të madh të ministrisë, do të mund të arrihet kursimi i buxhetit. Bajram Rexhepi, anëtar i Bordit të Politikave në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në këtë parti, tha se në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, janë vërejtur parregullsi të ndryshme. “Kam pak a shumë njohuri se ndihma sociale, pensione nganjëherë kanë marrë edhe njerëzit, të cilët janë nga Maqedonia ose edhe nga Lugina e Preshevës, që kanë qenë përkohësisht në Kosovë si refugjatë. Jetojnë në vendet e tyre dhe ende marrin, që është një keqpërdorim”, thotë zoti Rexhepi. Ndryshe, 127 milionë euro është buxheti i kësaj ministrie për vitin 2007, ndërkaq 90 për qind prej këtij buxheti i përkushtohet rasteve sociale.

XS
SM
MD
LG