Ndërlidhjet

LUBJANË


Pavarësia e mbikqyrur është alternativa e vetme për statusin e Kosovës, ndërsa Serbia një ditë duhet ta ndryshojë qëndrimin e saj nëse dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ka thënë i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.
"Kosova s'mund të jetë më pjesë e Serbisë. Shqiptarët që përbëjnë 90 % të popullatës, nuk e duan këtë", ka thënë Ahtisaari për gazetën sllovene Dello.
Kryenegociatori i ka hedhur poshtë pohimet se zgjidhja e statusit të Kosovës do të mund të ishte precedent i rrezikshëm për rastet e ngjashem në botë.
"Kosova është rast i veçantë. Çdo rast është i veçantë, por Kosova është vërtetë rast unik, duke marrë parasysh historinë e saj, represionin gjatë kohës së Sllobodan Millosheviqit, intervenimin ndërkombëtar dhe administratën ndërkombëtare atje", ka thënë ai.
Duke mos dashur të spekulojë për kohën e miratimit të rezolutës për Kosovën, Ahtisaari ka shfaqur shpresën që kjo të ndodhë në qershor, kur Shtetet e Bashkuara do ta kryesojnë Këshillin e Sigurimit.
Lidhur me rolin e Moskës, ai ka thënë se Rusia është "anëtare konstruktive e Grupit të Kontaktit".
"Moska dakordohet që çfarëdo zgjidhje të miratohet nga shumica", ka thënë Ahtisaari, duke shprehur dyshimin e tij se Rusia do të përdorë veton.
XS
SM
MD
LG