Ndërlidhjet

logo-print

LUZURIAGA: STRUKTURAT PARALELE TË INTEGROHEN NË SISTEMIN KOSOVAR


Asier Santian LUZURIAGA, zv. Drejtor për të Drejtat e Njeriut në OSBE

RADIO EVROPA E LIRË
Z Luzuriaga, një raport i ri i OSBE-së flet për ekzistimin e vazhdueshëm të strukturave paralele serbe në Kosovë. A ka pasur ndonjë përpjekje për shuarjen e këtyre strukturave deri tani?

ASIER SANTIAN LUZURIAGA
Ka pasur përpjekje nga ana e UNMIK-ut, veçanërisht sa i përket sistemit të drejtësisë për të reduktuar strukturat paralele, dhe po ashtu sa i përket sistemit të arsimit. Ka pasur disa ide te mira dhe janë raportuar shembuj te mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë arsyet kryesore të ekzistimit të strukturave paralele?

ASIER SANTIAN LUZURIAGA
Në gjetjet tona, që bazohen ne intervista të ndryshme dhe mbledhjes së informatave në terren, në bisedat me qytetarë nga gjithë Kosova arsyet kryesore janë mungesa e qasjes në shërbimet publike në disa raste, si për shembull sa i përket kujdesit shëndetësor dhe edukimit dhe në raste tjera, po ashtu mungesa e vazhdueshme e besimit, e bazuar ne perceptimet për sigurinë. Duhet theksuar se ne po flasim për njerëzit, dhe për ndjenjat dhe perceptimet e tyre. Ata vazhdojnë të kenë perceptimet se po diskriminohen dhe nuk kanë liri lëvizjeje.
Dhe arsyeje e tretë dhe kryesorja, është situata politike dhe manipulimet e incidenteve te caktuara të sigurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, ju po thoni se komuniteti serb është i frikësuar që të shkojë dhe te kete qasje në shërbimet publike?

ASIER SANTIAN LUZURIAGA
Po, kjo është e bazuar në intervistat tona me pjesëtarë të komunitetit serb kryesisht, por edhe me komunitetin rom, dhe minoritet tjera, të cilët ende kanë frikë që të kenë qasje në shërbimet publike.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin tuaj ju keni theksuar se sistemi paralel i gjykatave krijon një klime te pasigurisë ligjore dhe pengon sundimin e plotë të ligjit, sikurse edhe të krijimit të një shoqërie demokratike e stabile. Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje?

ASIER SANTIAN LUZURIAGA
Ne propozojmë disa ide ne raport, ne jemi veçanërisht të brengosur për rrezikun e dyfishtë, dhe problemet kur një çështje gjykohet dy herë, njëherë nga sistemi i UNMIK-ut, ndërkaq tjetrën herë nga sistemi serb, dhe ajo që ne e propozojmë është që të gjitha strukturat paralele të nisin një dialog për integrimin e tyre ne sistemin kosovar.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të shpjegoni këtë më shumë?

ASIER SANTIAN LUZURIAGA
Ne propozojmë në pjesën për sistemin e drejtësisë, që p.sh. ministria e drejtësisë e Kosovës të pranojë disa nga vendimet që tashmë janë marrë nga gjykatat brenda strukturave paralele.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, a janë këto struktura paralele ilegale?

ASIER SANTIAN LUZURIAGA
Këto struktura paralele quhen struktura paralele, sepse nuk punojnë në kuadër të administratës kosovare. Dhe mendoj se nuk është roli ynë që t’i quajmë ato legale apo ilegale, roli ynë në këtë raport është që të vlerësojmë situatën dhe të shohim se si po ndikojnë këto struktura tek popullata e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, si mendoni që këto vendime të marra nga strukturat paralele, që s’i njohin institucionet e Kosovës, të pranohen nga institucionet kosovare?

ASIER SANTIAN LUZURIAGA
Por, kjo është një e vërtetë, që po ndodh, dhe është më mirë që t’i adresohemi kësaj të vërtete dhe të mundohemi t’i integrojmë ato dhe të kërkojmë zgjidhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili mund të jetë roli i institucioneve kosovare ne shuarjen e strukturave paralele?

ASIER SANTIAN LUZURIAGA
Po ka struktura paralele në Kosovë, që jo vetëm ndikojnë në sundimin e ligjit, por ato nganjëherë e mbushin një hendek, p.sh. në sektorin e edukimit, pasi që në Kosovë mungon kurrikulumi në gjuhën serbe dhe kjo është diçka, që lehtë mund të adresohet nga administrata kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia vazhdon të financoje këto struktura paralele. Keni paraparë se di do të mund të pengohej ky financim?

ASIER SANTIAN LUZURIAGA
Ne kemi përmendur në raport, se administrata kosovare, në këtë rast UNMIK-u dhe IPVQ-të, duhet te jenë të hapura për dialog me administratën serbe, për shembull, t’i kthehemi sërish sistemit të edukimit, një marrëveshje mes Prishtinës dhe Ministrisë së Arsimit të Serbisë, do duhej te arrihej dhe t’i adresohej situatës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se zgjidhja e statusit final mund të zgjidhë ndonjërin nga këto probleme?

ASIER SANTIAN LUZURIAGA
Do duhej t’i adresonte problemet, dhe do duhej kërkonte zgjidhjen e problemeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë rekomandimet primare të raportit?

ASIER SANTIAN LUZURIAGA
Po, mendoj se rekomandimi kryesor është që të hapet dialogu, për integrimin e strukturave paralele, ju nuk mund të shkoni thjesht të mbyllni një shkolle, apo një shtëpi shëndeti, ju duhet të kërkoni mundësitë që të integroni këto shkolla dhe shtëpi shëndeti në sistemin ekzistues.

Intervistoi, Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG