Ndërlidhjet

NEKIBE KELMENDI: MISIONI I OKB-së NUK DO TA PENGOJË DINAMIKËN E PËRCAKTIMIT TË STATUSIT


Intervistë me Nekibe Kelmendin, deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, propozimi i Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur tashmë është diskutuar edhe në Këshillin e Sigurimit. Si e vlerësoni ju procesin aktual për përcaktimin e statusit të Kosovës?

NEKIBE KELMENDI
Unë mendoj se është vepruar mirë që më në fund propozimi i zotit Ahtisaari për pavarësi të mbikëqyrur tashmë është diskutuar në Këshillin e Sigurimit, ndonëse me pak vonesë, sepse kjo gjë është dashur të bëhet qysh në dhjetor të vitit të kaluar, por ja që ishte bashkësia ndërkombëtare që i dha edhe një kohë Serbisë për të gjetur një hapësirë për të ndikuar në faktorët ndërkombëtarë që kjo çështje të mos vijë në tryezën e Këshillit të Sigurimit. Megjithatë, me gjithë përpjekjet e Serbisë, është një proces shumë pozitiv që kjo çështje është shtruar dhe është vlerësuar nga Këshillin e Sigurimit për caktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, pra e kam fjalën për dokumentin e zotit Ahtisaari, i cili në zhargon quhet edhe pakoja e Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Tash është propozuar që në Kosovë të dërgohet një mision faktmbledhës i Kombeve të Bashkuara. Si do të ndikojë ky zhvillim në dinamikën e përcaktimit të statusit?

NEKIBE KELMENDI
Mendoj se nuk do të jetë pengues dhe nuk do ta pengojë dinamikën në përcaktimin e statusit të Kosovës, sepse ky delegacion në fakt vjen vetëm sa për t’ia përmbushur dëshirën Rusisë, e cila më së shumti e mbështet Serbinë në gjithë këtë proces dhe nga ana tjetër ky delegacion është më se i panevojshëm. Ne prej tetë përfaqësuesve të sekretarit të përgjithshëm, të Kombeve të Bashkuara që kanë qenë në krye të misionit në Kosovë, kemi pasur të dëgjojmë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara raportet e tyre që janë bërë çdo tre muaj dhe ato raporte gjithherë janë miratuar në Këshillin e Sigurimit, pa përdorimin e vetos së Rusisë dhe pa kundërshtimin e asnjërit shtet, që do të thotë se ata e kanë në plotni dokumentin mbi situatën në Kosovë, mirëpo kjo nuk pengon – le të vijnë, le të shikojnë dhe le të kthehen, sepse ndoshta ka edhe vende anëtare të Këshillit të Sigurimit që edhe gjeografikisht nuk e dinë ku është Kosova. Kështu së paku le të vijnë dhe ta mësojnë se ku është Kosova, në cilën pjesë të botës është Kosova. Por, mendoj se do të binden se ka ndryshime të mëdha, nëse kanë lexuar diçka për Kosovën, regj kohës kur është vendosur misioni i Kombeve të Bashkuara, qoftë me ndihmën e atij misioni, qoftë me ndihmën edhe më të madhe të vetë popullatës së Kosovës, por edhe të institucioneve të Kosovës, të cilat janë përpjekur që dalëngadalë ta vënë bazën dhe ta ndërtojnë bazën për pavarësimin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, sa janë të përgatitura institucionet e Kosovës për implementimin e një rezolute të re të Këshillit të sigurimit, mbështetur mbi propozimin e Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur?

NEKIBE KELMENDI
Mendoj se nga aspekti profesional dhe nga aspekti institucional këto institucione janë mjaft të përgatitura. Edhe populli është psikikisht i përgatitur për implementimin e kësaj rezolute të re që do të nxirret nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Mund të ketë pengesa të natyrës financiare, por ma merr mendja dhe shpresoj se bashkësia ndërkombëtare, për të mos e lënë që ky dokument të dështojë dhe të mos implementohet, me siguri se do të japë ndihma financiare dhe kështu, ky dokument do të implementohet në tërësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju kryesoni grupin punues për Kushtetutën. Kur do të mund ta ketë Kosova Kushtetutën e saj të re?

NEKIBE KELMENDI
Mendoj se Kosova do ta ketë këtë kushtetutë brenda afatit prej 120 ditësh nga dita kur do të nxirret rezoluta e re e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, sepse ne tashmë jemi duke punuar në përgatitjen e materialit kushtetues, i cili do t’i shërbejë Këshillit Kushtetues, i cili do të jetë një trup legjitim i emëruar nga Kuvendi i Kosovës për hartimin e Kushtetutës së re.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke qenë eksperte e fushës së drejtësisë, si e vlerësoni faktin që misioni i Bashkimit Evropian do të jetë i fokusuar para së gjithash në polici dhe në drejtësi?

NEKIBE KELMENDI
Mendoj se kjo është shumë më vend dhe shumë e arsyeshme, sepse ne gjatë këtyre tetë viteve nuk kemi arritur ta bëjmë një reformë të mirëfilltë në sistemin gjyqësor, e cila patjetër duhet të bëhet, qoftë me misionin ndërkombëtar evropian, qoftë edhe nga institucionet vendore. Pa reformimin e sistemit gjyqësor nuk mund të mbështetemi shumë në forcat tona për ta drejtuar këtë dikaster, i cili është shumë i rëndësishëm, pasi dihet se sistemi gjyqësor është prerogativë e shtetit, është element i shtetit, shtyllë e shtetit, është pushtet i ndarë nga dy pushtet e tjera – nga pushteti legjislativ dhe ekzekutiv. Nga ana tjetër, për këto dhjetë vjet të okupimit ne kemi qenë mjaft të hendikepuar, sepse nuk kemi pasur mundësi të prodhojmë kuadro të reja për t’i përfshirë në sistemin gjyqësor, në gjyqësorin dhe prokurorinë e Kosovës, kështu që mendoj se një mbikëqyrje e lehtë civile ndërkombëtare, pa interferime në pavarësinë e gjyqësorit do të jetë e mirëseardhur. Nga ana tjetër, kemi shumë fjalë se gjyqësori në Kosovë është i korruptuar dhe duhet edhe kjo gangrenë, kjo e keqe të eliminohet, në mënyrë që ai të qëndrojë vertikalisht në këmbët e veta dhe të ecë përpara në procesin e përparimit dhe në procesin e afrimit me sistemet gjyqësore të shteteve me demokraci të avancuar dhe me traditë gjyqësore

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG