Ndërlidhjet

SHTYHET REGJISTRIMI I POPULLSISË


Nadie Ahmeti

Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, i ekonomive familjare dhe banesave nuk do të mbahet në muajin tetor, siç ishte paralajmëruar deri më tash. Vendimi për të shtyrë regjistrimin pason vendimin që është marrë në kuadër të dokumentit për statusin e Kosovës, në të cilin thuhet se ky proces duhet të mbahet një vit pas nënshkrimit të kornizës se re për Kosovën. Refik Rama, drejtor i zyrës për regjistrimin e popullsisë, zyrë kjo që funksionon në kuadër të Entit Statistikor të Kosovës, thotë se përgatitjet për këtë proces tashmë kanë përfunduar, me gjithë vendimin për shtyrje. “Ministria e Shërbimeve Publike ka reaguar në këtë pikë dhe i ka shkruar dokumentit të Ahtisaarit, që kjo pikë të modifikohet. Ne tash presim përgjigje, se a po ndryshohet kjo pjesë e tekstit. Nëse jo, atëherë regjistrimi nuk mund të mbahet në këtë tetor”, ka theksuar zoti Rama. Ai tha se regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare dhe banesave është nevojë urgjente për Kosovën, duke marrë parasysh faktin, se regjistrimi i fundit është mbajtur në vitin 1981, dhe që prej atëherë, në Kosovë kanë ndodhur shumë ndryshime demografike. “Ka pasur ndryshime dhe është bërë revolucion i madh në demografi. Është ndryshuar numri i popullsisë, struktura, gjinia, shpërndarja gjeografike. Madje lufta e ka ndryshuar numrin e popullsisë dhe strukturat tjera; ka ndryshuar shumëçka, karakteristikat ekonomike, sociale, migrimet. Siç dihet, pas luftës ka ndodhur evazion në qytete të mëdha, sidomos në kryeqytet”, pohoi zoti Rama. Pa një regjistrim të mirëfilltë të popullsisë, ai thotë se Kosova nuk do të ketë mundësinë e qasjes tek institucionet financiare ndërkombëtare. “Mekanizmat ndërkombëtarë, Banka Botërore e Zhvillimit, Fondi Monetar Ndërkombëtar, nuk u besojnë statistikave të Kosovës, pikërisht për shkak të mungesës së regjistrimit të popullsisë, sepse ky është një element tepër i rëndësishëm te statistikat. Prandaj, Kosova nuk do të jetë e kënaqur me këtë datë, sepse po humb shumë. Jo vetëm se nuk mund të bëjë publikime, analiza të ndryshme, por nuk mund të kemi qasje as në burime të financimit, as pas pavarësisë së mbikëqyrur ne nuk do të mund të kemi, sepse ata kërkojnë shënime të besueshme”, ka thënë zoti Rama. Ndryshe, ai mendon se e tëra kjo çështje, tash ka marrë kahje politike. “Janë edhe disa faktorë që kanë ndikuar të Martti Ahtisaari, që të merret ky vendim. Ta zëmë mosdisponimi i komunitetit pakicë, sidomos i komunitetit serb, për të mos participuar në regjistrim. Sigurisht, kjo ka qenë një ndër shtyllat kryesore, që ka marrë vendim Ahtisaari, që ta fusë në dokument këtë pikë, me vonesë prej një viti, implikimet e decentralizimit etj”, u shpreh zoti Rama. Sidoqoftë, sipas ligjit aktual për regjistrimin e popullsisë, datën për regjistrim e përcakton Kuvendi i Kosovës, në bashkëpunim me shefin e administratës ndërkombëtare në Kosovë. Për ta çuar deri në fund këtë proces, kurdo që mbahet, nevojiten 7.7 milionë euro. Për këtë shumë, nga buxheti i Kosovës do të ndahen 20 për qind ose 1.6 milion euro, ndërkaq 80 përqindëshi tjetër duhet të sigurohet nga donatorët.
XS
SM
MD
LG