Ndërlidhjet

TELEFONAT CELULARË NËPËR SHKOLLA


Nadie Ahmeti

Tek disa nxënës të shkollave fillore është krijuar përshtypja, se të mos kesh një telefon celular pasi të kesh përfunduar klasën e pestë, është turp. Disa prej tyre janë nxënës të shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, të cilët pohojnë se telefonat celularë i përdorin edhe gjatë orës së mësimit. Për disa prej tyre, telefoni shërben për të komunikuar me prindërit, por për të tjerët, ai është i rëndësishëm për të dëgjuar muzikë, për fotografi dhe video-inçizime. Zyrifa Krasniqi, nxënëse e klasës së nëntë, tregon se shumë shokë dhe shoqe të saj, në galeritë e telefonave të tyre mobilë mbajnë fotografi të ndryshme, të cilat nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre. “Mbajnë fotografi të ndryshme, disa janë provokuese, sidomos djemtë mbajnë fotografi shumë provokuese. Luajnë shumë gjatë orës, lëshojnë muzikë ose edhe flasin, dhe bëhet shumë problem”, thotë Zyrifa. Loja me telefona nuk ndërpritet as në klasë dhe gjatë orës së mësimit. Nxënësit thonë se gjatë procesit mësimor, ata luajnë duke i dërguar mesazhe njëri-tjetrit. Labinot Krasniqi, nxënës i klasës së nëntë shpjegon më shumë: “Dje, hiç më larg, gjysëm ore e kemi shtyrë duke ia cingëruar njëri-tjetrit”. Edhe Yll Muriqi, i cili është i pajisur me dy telefona celularë, gjithashtu shpjegon lojën që nxënësit bëjnë gjatë mësimit. “Po, provokojmë njëri-tjetrin gjatë orës. Por, mua nuk kanë mundësi kohëve të fundit, sepse unë tash po e lë telefonin veç në dridhje, kurse në fillim më cingëronin shumë dhe bënte shumë zhurmë”, thotë Labinoti. Njëri nga prindërit, Bujar Selmani, djali i të cilit vijon mësimet në klasën e pestë, thotë se telefonin ia ka blerë të birit për shkaqe sigurie. “Po, i kam blerë telefon. E kontaktoj ndonjëherë se ku gjendet, jo aq shpesh”, thotë Selmani. Xhemile Kadolli, arsimtare në shkollën fillore “Faik Konica”, pohon se 90 për qind e nxënësve mbajnë telefona në xhepat e tyre. “Sa i përket orëve mësimore, nuk besoj se ata guxojnë të hapin telefonin, sepse nga drejtoria nuk kanë të drejtë ta përdorin telefonin. Nëse rastësisht cingëron telefoni, nuk guxon të bisedojë dhe e mbyll”, thotë arsimtarja Kadolli. Por, sipas një rregulloreje të drejtorive të arsimit të kuvendeve komunale, përdorimi i telefonave gjatë procesit mësimor, është i ndaluar, thotë Mimoza Hasani, zëdhënëse e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. “Deri më tash, të gjitha shkollat kanë përdorur rregullore, të cilat i kanë hartuar drejtoritë e arsimit të kuvendeve komunale përkatëse”, theksoi Hasani. Ndërkaq, arsimtarja Xhemile Kadolli, tregon se çfarë masash ndërmerren nëse nxënësit përdorin telefonat gjatë orës së mësimit, sipas kësaj rregulloreje. “Masat do t’i marrim dhe i kemi marrë me thyerjen e notës së sjelljes, së pari nga kujdestari i klasës, me notë katër, pastaj nga komisioni disciplinor i shkollës, e po ashtu edhe masa të tjera disciplinore, që në vazhdimësi i kemi parasysh”, thotë arsimtarja Kadolli. Megjithatë, ende nuk dihet saktësisht, se sa kanë arritur të ndikojnë këto masa të ndëshkimit në këtë fenomen. Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tashmë ka hartuar një udhëzim administrativ, nëpërmjet të cilit ndalon rreptësisht përdorimin e telefonave në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, mirëpo zbatimi i këtij udhëzimi pritet të fillojë në vitin e ardhshëm shkollor.
XS
SM
MD
LG