Ndërlidhjet

logo-print

SERBËT TË VENDOSUR NË KUNDËRSHTIMIN E PLANIT TË AHTISAARIT


Rrahman Paçarizi

Politikanë dhe qytetarë serbë të Kosovës e cilësojnë të papranueshëm propozimin e Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, edhe pse pajtohen se pjesa e propozimit që ka të bëjë me aspektet për mbrojtjen e pakicave dhe decentralizimin, është e kënaqshme për serbët. Goran Bogdanoviq nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, i cili njëkohësisht ka qenë edhe pjesë e delegacionit të Serbisë në bisedimet më se njëvjeçare për statusin e Kosovës, tha se gjatë gjithë kohës qasja e Ahtisaarit ka qenë e papranueshme. “Plani i Ahtisaarit nuk është i pranueshëm për bashkësinë serbe, pasi prejudikon statusin e Kosovës dhe në secilën fjali mund të shihet se shkohet kah pavarësia e Kosovës”, tha Bogdanoviq, ndërkohë që një nga liderët e Këshillit Nacional Serb, Marko Jakshiq, tha se plani i finlandezit Ahtisaari, është absolutisht i papranueshëm për serbët dhe për shtetin e Serbisë. “Është i papranueshëm, pasi i tërë plani është i mbështetur në krijimin edhe të një shteti tjetër shqiptar”, ka thënë Jakshiq, duke theksuar se edhe mbrojtja e pakicave, decentralizimi dhe mbrojtja e trashëgimisë, janë të përcaktuara në atë mënyrë, që shteti i ri të ketë pushtet absolut në të gjithë territorin. Mirëpo, zoti Bogdanoviq mendon se në tërë propozimin, ka edhe pika të pranueshme. “Natyrisht që ka disa gjëra, me të cilat mund të jemi të kënaqur. Mirëpo, shumica e tyre janë gjëra me të cilat nuk mund të jemi të kënaqur”, tha Bogdanoviq, duke i cilësuar si të kënaqshme aspektet, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pakicave dhe me mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare të serbëve. Por, për zotin Jakshiq, që konsideron se edhe aspektet e mbrojtjes së serbëve kanë për qëllim shtrirjen e pushtetit absolut të shtetit të Kosovës, këto janë elemente që e bëjnë edhe më të papranueshëm planin. “Kjo do të thotë, se ky bindshëm është një plan antiserb”, theksoi Marko Jakshiq. Edhe qytetarët serbë të pjesës veriore të Mitrovicës mendojnë, se propozimi i Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur është i papranueshëm. Darko Vujoviq tha se për secilin serb normal, ky plan është i papranueshëm. “Elementet themelore çojnë në pavarësinë e një shteti imagjinar”, u shpreh Darko Vujoviq, ndërkohë që edhe Jelena Petroniq, një qytetare tjetër e pjesës veriore të Mitrovicës, propozimin e Ahtisaarit e sheh të tillë. “Plani është i papranueshëm, pasi kur dikujt i jepni të drejtën për kushtetutë, për flamur, stemë dhe himn, ju i keni dhënë shtetin”, tha zonja Petroniq. Përderisa politikanët kryesorë të serbëve të Kosovës, si dhe qytetarët serbë e shohin planin të pafavorshëm, drejtues të institucioneve të Kosovës disa herë kanë thënë se plani u ofron pakicave garanci shtesë, që u mundëson atyre jetë normale, qeverisje me jetën e tyre të përditshme dhe mundësi integrimi në shoqërinë kosovare.
XS
SM
MD
LG