Ndërlidhjet

PETRISCH:"SERBIA DE FACTO E KA HUMBUR KOSOVËN"


Wolfgang PETRICH, bashkëdrejtues i konferencës ndërkombëtare për Kosovën

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasador Petrisch, do jeni një nga bashkëdrejtuesit e konferencës për Kosovën që fillon nesër në Nju Jork. A mund të na thoni diçka më tepër rreth konferencës dhe asaj çfarë doni të arrini?

WOFGANG PETRISCH
Është një përpjekje për të përgatitur udhëheqjen e Kosovës, si atë shqiptare në qeveri edhe serbët e Kosovës për detyrat e së ardhmes.
Natyrisht e ardhmja fillimisht duhet të përcaktohet nga Këshilli i Sigurimit, por ne besojmë se është koha e duhur që udhëheqësia e Kosovës ta përgatisë veten për periudhën e pas statusit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e thatë do përqëndroheni në Kosovën e pas statusit, derisa ende nuk kemi një vendim në Këshillin e Sigurimit. E kur jemi këtu duhet të kujtojmë kundërshtimin rus. A është sinjal konferenca juaj se tashmë Rusia ka pranuar të mos e bllokojë zgjidhjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit ?

WOFGANG PETRISCH
Jo, në fakt do jetë një kohë pas marrjes së vendimit nga Këshilli i Sigurimit, për të cilin udhëheqësit e Kosovës duhet të jenë të përgatitur. Ne shpresojmë që vendimi të jetë unanim në Këshillin e Sigurimit, por udhëheqësit e Kosovës duhet të jenë gati për periudhën pasi Këshilli i Sigurimit të ketë marrë apo jo një vendim për Kosovën. Ne duam të mbështesim një kalim të qetë të përgjegjësive tek lidershipi kosovar dhe ky është qëllimi i konferencës.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse Këshilli i Sigurimit nuk do jetë në gjendje të miratojë rezolutën mbi Kosovën a mendoni se BE-ja do mbetet e bashkuar rreth mbështetjes pë pavarësinë e e mbikqyrur ashtu si e parasheh aktualisht plani i Ahtisaarit?

WOFGANG PETRISCH
Aktualisht BE-ja qëndron e bashkuar në mbështetje të planit të Ahtisarit që do të thotë se do kemi një pavarësi të mbikqyrur të mbështetur nga Unioni. Por na duhet për këtë vendimi nga Këshilli i Sigurimit. Nëse nuk do ketë një vendim nga Këshilli i Sigurimit atëherë hapat e mëtejm varen nga Bashkimi Evropian.
Interesi ynë është që udhëheqësit e Kosovës të jenë të përgatitur për çfarëdo lloj situate.

RADIO EVROPA E LIRË
Por a ka BE-ja plan në rast se nuk do kemi rezolutë nga Këshilli i Sigurimit?

WOFGANG PETRISCH
BE-ja po përgatitet për këtë moment prej disa kohësh. Natyrisht që BE-ja ka plane të përgatitura edhe nëse nuk do kemi rezolutë nga KS-ja.
Por më duhet të them se ekziston shpresa, e cila është realiste, se Këshilli i Sigurimit do të mund të marrë një vendim. Më pas BE-ja do marrë përsipër detyrën e vështirë të zbatimit të marrëveshjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi Evropian do drejtojë misionin në Kosovën e pas statusit. A do të thotë kjo se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Union do jetë më e shkurtër?

WOFGANG PETRISCH
Kjo do varet shumë nga udhëheqësit e Kosovës, shqiptarë e serbë, e veçanërisht nga marrëdhëniet mes bashkësive etnike, si dhe profesionalizmi që do dëshmojnë në zbatimin e planit të Ahtisarit, apo çfarëdo plani që do miratojë KS-ja. Ne mbështesim planin e Ahtisarit dhe ky plan qartësisht e vë Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
E përsëris a a do të thotë kjo se rruga e Kosovës për në BE do jetë më e shkurtër le të themi se ajo e vendeve të rajonit?

WOFGANG PETRISCH
Jam i sigurt se fakti që BE-ja do jetë lojtari kryesor në Kosovën e pas statusit është avantazh. Por siç e thashë do varet në një shkallë të madhe dhe nga vullneti i udhëheqësve në Prishtinë se çfarë do ndodhë.
Unë kam besim se udhëheqja e Kosovës tani është e pjekur dhe do bashkëpunojë shumë ngushtë me Brukselin dhe misionin e BE-së në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Për sa kohë mendoni se BE-ja do mbikqyrë pavarësinë e Kosovës në rast të miratimit të planit Ahtisari, për të cilin thatë se ka shpresa realiste?

WOFGANG PETRISCH
Kjo është një pyetje shumë e vështirë për t'iu përgjigjur në këtë moment. Sa më bashkëpunues të jenë udhëheqësit e Kosovës aq më shpejt do ecin gjërat. Mendoj se kjo nuk do zgjatet për shumë vite dhe këtu kam parasysh afate si pesë vjet, pas të cilave do të mund të shohim si kanë ecur gjërat.
Siç e dini së pari është procesi i asocimit dhe një numër hapash që duhet t'i ndërmarrë Kosova pas të cilave situata do jetë më e qartë.
Por e përsëris parakusht është vendimi i Këshillit të Sigurimit. Nëse do kemi një vendim të njëzëshëm nga Këshilli i Sigurimit të gjitha hapat e tjerë do jenë më të lehtë. Pasi kjo do bëjë që të fokusohemi në çështjet e integrimit, problemet e punësimit e të ngjashme.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se misioni i ardhshëm i BE-së do ketë një plan të qartë për veriun e Kosovës dhe a është bashkësia ndërkombëtare ende e bashkuar rreth parimit të mos ndarjes?

WOFGANG PETRISCH
Është një çështje shumë e vështirë dhe personalisht jam i shqetësuar për problemin e veriut apo çështjen e Mitrovicës. Ka një mirëkuptim të qartë në mesin e vendeve të Grupit të Kontakitt se nuk ka coptim të Kosovës. Kjo përfshin dhe Mitrovicën. Por nga ana tjetër na duhet të shohim se cili do jetë vendimi në Nju Jork në mënyrë që të ecim përpara.
Sërish për çështjen e Mitrovicës vendimi i Këshillit të Sigurimit do jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se ende asgjë nuk është plotësisht e sigurt sa i përket jo-së kundër coptimit?

WOFGANG PETRISCH
Kjo nuk do të thotë se asgjë nuk është e sigurt, pasi ende kemi vendimin e Grupit të Kontaktit kundër coptimit. Por natyrisht nuk e dimë se çfarë do na sjellë e ardhmja. Por tani gjëja më e rëndësishme është të bashkojmë forcat në mbështetje të planit të Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Vazhdojnë dallimet në Këshillin e Sigurimit rreth të ardhmes së Kosovës, derisa dihen kundërshtimet e Rusisë. Çfarë po bën BE-ja për të ndryshuar qëndrimin rus rreth Kosovës dhe për ta bërë të qartë se Kosova është rast unik?

WOFGANG PETRISCH
Mendoj se është në interesin e Rusisë që të bjerë dakord për një vendim të njëzëshëm rreth Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Në këtë mënyrë procedurë e njëjtë do kërkohet në të ardhmen dhe për raste të ngjashme. Kjo do të thotë se Rusia, e cila ka veton do ketë nevojë për mbështetjen e të tjerëve.
Nëse Rusia vendos që të mos ketë një vendim të njëzëshëm në Këshillin e Sigurimit për Kosovën atëherë do të ndodhet në situata të ngjashme dhe për rastet të cilat Rusia i mbështet siç është për shembull Abkazia.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me Serbinë. A planifikon BE-ja të kushtëzojë integrimin evropian të Serbisë me pranimin e zgjidhjes për Kosovën e veçanërisht me pranimin e parimit të mos coptëimit?

WOFGANG PETRISCH
Do të thosha se kushtëzimi do ishte fjalë e gabuar. Mendoj se duhet parë në mënyrë më pozitive. Është në të mirën e Serbisë që të zgjidhet çështja e Kosovës. Vetëm atëherë Serbia do jetë e lirë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Në të kundërt do kemi një konflikt të gjatë që do dëmtojë Serbinë. Pra është në interesin e Serbisë që të marrë një vendim të shpejtë rreth Kosovës. E dimë që do jetë një vendim i vështirë se asnjë vend nuk dëshiron të japë territore, por Serbia de facto e ka humbur Kosovën. Në këtë rast i mbetet që Serbia vetëm të arrijë një marrëveshje të mirë e një marrëveshje e mirë për Serbinë është të ecë shpejt drejt Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni i ftuar të bashkëdrejtoni konferencën e nesërme në Nju Jork. A do të thotë se jeni kandidat i mundshëm për të marrë kreun e misionit të BE-së në Kosovën e pas statusit?

WOFGANG PETRISCH
Jo aspak. Ndihem i nderuar që jam ftuar nga Fondacioni Rockfeller të jem bashkëdrejtues i kësaj konference, pasi kjo do të thotë se puna ime në Kosovë dhe Bosnjë çmohet. Por vetëm kaq, unë thjesht dua të ndihmoj. Unë kam qenë përfaqësues i BE-së dhe në Rambuje dhe personalisht duke qenë i përfshirë jam tepër i interesuar që ta sjellim çështjen e Kosovës në një përfundim pozitiv.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG