Ndërlidhjet

LIDERËT KOSOVARË NË NEW YORK DEBATOJNË PËR TRANZICIONIN


Zijadin Gashi

Një delegacion i lartë i Kosovës, i udhëhequr nga presidenti Fatmir Sejdiu, është nisur sot për në New York, për të marrë pjesë në konferencën “Kosova në 120 ditët e tranzicionit”, që organizohet nga Fondacioni Rockfeller. Konferenca udhëhiqet nga ambasadorët, Frank Wisner dhe Wolfgang Petrich. Presidenti Fatmir Sejdiu tha para nisjes, se Kosova ka marrë zotimet mbi vete, se është e gatshme për të qenë një shtet i pavarur. Ndërkaq, faza prej 120 ditëve të tranzicionit, sipas tij, do ta dëshmojë më së miri sfidën e parë, lidhur me zotësinë e Kosovës për të qenë një shtet i pavarur. Në këtë konferencë, Sejdiu tha se Prishtina do të paraqesë argumentet e veta në periudhën e pas statusit, e që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes për statusin. “Kemi thënë se jemi të gatshëm të startojmë si shtet. Kjo do të thotë, se do të jemi të gatshëm të implementojmë krejt atë që kemi ofruar gjatë takimeve të Vjenës. Është me rëndësi, që kjo fazë e parë apo periudhë e parë e tranzicionit 120 ditësh, të jetë sprovë e gatishmërisë sonë. Mendoj se pastaj, Kosova do të shpejtojë hapin e vet në proceset integruese. Vetë fakti se do të kemi një prezencë civile ndërkombëtare, trupat e NATO-s do t’i quajmë ndihmëtarë të këtij procesi dhe mendoj se do ta arrijmë qëllimin, që këtë periudhë ta kalojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi Sejdiu. Kurse, kryeministri Agim Çeku tha se kosovarët në këtë konferencë, kanë rastin që t’i dëgjojnë politikanët me përvojë botërore dhe ata amerikanë dhe të mësojnë nga përvojat e tyre. “Pres që në këtë konferencë t’i sqarojmë sfidat, me të cilat do të ballafaqohemi në 120 ditët e para, domethënë gjatë tranzicionit dhe mënyrën se si t’i zgjedhim ato sfida. Do të ketë pjesëmarrës me renome, me përvoja të ndryshme nga vendet në tranzicion, dhe besoj që kjo konferencë do të na ndihmojë, që në mënyrë sa më të suksesshme t’i adresojmë dhe t’i zgjedhim sfidat e para të shtetësisë së Kosovës”, u shpreh Çeku. Ndërkaq, kryetari i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi, tha se funksionimi i Kosovës gjatë tranzicionit, është një temë për të cilën në Prishtinë nuk është biseduar shumë. Ai tha, se e sheh si shumë të rëndësishme që të diskutohet kjo çështje, në mënyrë që Kosova të jetë sa më e përgatitur për fazën e tranzicionit. “Ideja e kësaj konference është që të shikohen të gjitha çështjet, që kanë të bëjnë me tranzicionin 120 ditësh, do të thotë si do të funksionojë Kosova menjëherë pas rezolutës së OKB-së. Prandaj, është rast i mirë që së bashku me aktorët ndërkombëtarë, me miqtë tanë tradicionalë të bisedojmë për atë, se cilat duhet të jenë prioritetet tona qeverisëse, të Ekipit të Unitetit”, tha Surroi. Në konferencën “Kosova në 120 ditët e para” apo “Kosova në tranzicion”, është paralajmëruar të marrin pjesë edhe ish-presidenti Bill Clinton, nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Burns dhe personalitete tjera të larta të politikës amerikane. Tranzicioni përfshin periudhën prej katër muajve të parë pas miratimit të rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, gjatë së cilës administrata e UNMIK-ut përfundon misionin në Kosovë, duke ua dorëzuar përgjegjësitë kosovarëve si dhe një pjesë misionit civil ndërkombëtar, që do të vendoset në Kosovë pas statusit. Rrjedhimisht nga kjo, organizatori ka përcaktuar një agjendë, ku do të bisedohet për procesin politik gjatë këtyre katër muajve të parë pas statusit, respektivisht marrjen e përgjegjësive nga UNMIK-u, fillimin e zbatimit të decentralizimit dhe çështjen e të drejtave të njeriut e pakicave dhe çështje të tjera, që dalin si obligime për kosovarët nga pakoja e Ahtisaarit.
XS
SM
MD
LG