Ndërlidhjet

SIMBOLET NË PRITJE TË REZOLUTËS SË KS-SË


Albana Isufi

Kuvendi i Kosovës ende nuk ka shpallur konkursin për simbolet shtetërore, pavarësisht se Kryesia e Kuvendit thotë se të gjitha kushtet për një gjë të tillë janë përmbushur. Por, sipas zyrtarëve të Kuvendit duket se është Ekipi i Unitetit, ai që ka vendosur që të mos ketë nxitim për këtë çështje, në mënyrë që të miratohet së pari rezoluta e re e Këshillit të Sigurimit, e më pas të vendoset për simbolet. Këshilltari për media i kryetarit të Kuvendit, Skënder Durmishi, thotë se fillimisht zvarritja ka qenë e lidhur me arritjen e konsensusit mbi kriteret e konkursit, por sipas tij, tani Kuvendi nga ana juridike është i gatshëm që të shpallë konkursin. Por, zoti Durmishi thotë se Ekipi i Unitetit ka kërkuar edhe më tepër kohë për të diskutuar kriteret. “Sa do të zgjasë kjo kohë unë nuk e di, duket se shumëçka do të sqarohet me miratimin e planit të Ahtisaarit”, tha Durmishi. Por, si mund Kosova të kërkojë njohjen e pavarësisë së saj pa pasur simbolet shtetërore? Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare thonë, se të kërkosh njohjen e pavarësisë nga shtetet tjera, së pari duhet të përmbushësh elementet e shtetformimit. Ligjëruesja e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Iliriana Islami, thotë se simbolet janë një nga elementet jetësore të një vendi, që pretendon të bëhet i pavarur. “Pavarësia ‘de facto’ nënkupton se entiteti i ka të plotësuara të gjitha kriteret, që kanë të bëjnë me një pavarësi, duke u nisur nga kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe një pushtet efektiv. Kështu që në këtë fazë, edhe simbolet përcaktohen në këtë trend, në këtë hierarki, që është shumë e rëndësishme për një shtetformim vital”, u shpreh zonja Islami. Ajo thotë se rëndësia e simboleve shtetërore është që të tregohet se pavarësia ‘de facto’ dhe ‘de juro’ është përmbushur. “Edhe në rastin e Kosovës, pavarësia është me rëndësi. Në këtë fazë, nëse kërkohet që të njihet nga shtetet e reja dhe të shpallë pavarësinë, atëherë kërkohet që të jenë të gatshme edhe simbolet”, tha zonja Islami. Disa anëtarë të Kryesisë së Kuvendit kanë theksuar se duhet pritur zyrtarizmi i pakos së Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, para se të vendoset për simbolet shtetërore. Edhe ekspertja e së drejtës ndërkombëtare, Iliriana Islami, konsideron se duhet pritur kjo rezolutë. Por, nëse nuk do të ketë rezolutë, atëherë sipas zonjës Islami, Kuvendi i Kosovës duhet t’i ketë të gatshme simbolet, për t’i miratuar në një kohë sa më të shpejtë. “Nëse miratohet rezoluta e Këshillit të Sigurimit, atëherë do të shohim se pakoja e Ahtisaarit do të jetë një çështje kyçe, që duhet të implementohet dhe në bazë të kësaj pakoje duhet të shpallet edhe referendumi. Ndërsa, nëse nuk miratohet rezoluta e re, atëherë duhet të veprohet shpejt e shpejt dhe simbolet shtetërore duhet të jenë çështje që duhet t’i paraqesë Kuvendi i Kosovës dhe t’i miratojë ato së bashku me pavarësinë”, tha Islami. Në pakon për statusin të Martti Ahtisaarit kërkohet që simbolet shtetërore të Kosovës të paraqesin karakterin multietnik të vendit. Përveç propozimeve për flamur dhe himn, të bëra nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, nuk ka pasur iniciativa tjera nga institucionet e Kosovës për simbolet shtetërore.

XS
SM
MD
LG