Ndërlidhjet

logo-print

HEINTZ:"PAS PAVARËSIMIT KOSOVA TË BËJË PAJTIMIN ME FQINJËT"


Stephan HEINTZ, president i Rockfeller Brothers Fund

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Heintz, përse vendosët ta organizonit konferencën në këtë moment dhe çfarë synoni të arrini?

STEPHAN HEINTZ
Rockfeller Brothers Fund ka qenë aktiv në Ballkanin Perëndimor që nga 2001 duke mbështetur organizatat që punojnë në konsolidimin e demokracisë, nxitjen e tolerancës, marrëdhëniet ndëretnike dhe zhvillimin afatgjatë. E njohim shumë mirë dhe Kosovën.
Si rezultat në këtë moment tepër kritik, kur do vendoset statusi i Kosovës, ne menduam se do ishte e dobishme për udhëheqësit kosovarë që të punonin së bashku me ekspertë ndërkombëtarë për të hartuar planin strategjik se si do kalohet nga statusi aktual në të riun, sipas propozimit të presidentit Ahtisaari.
Qëllimi i takimit është të ndihmojmë kosovarët të fokusohen në 120 ditët e para, një periudhë kritike kjo, që parashihet si kohë tranzicioni në planin e Ahtisarit.
Kosova duhet të përmbushë një numër detyrash shumë të rëndësishme dhe të vështira gjatë këtyre 120 ditëve. Qëllimi ynë është të ndihmojmë Ekipin e Unitetit dhe udhëheqësit e tjerë të Kosovës të hartojnë planin e veprimit dhe të mendojnë se si organizatat ndërkombëtare të jenë të dobishme për tranzicionin demokratik të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e përmendët do të përqëndroheni në 120 ditët e para pas statusit, derisa ende nuk e kemi vendimin për statusin. A duhet të lexojmë diçka më shumë rreth kohës së mbajtjes së konferencës?

STEPHAN HEINTZ
Ne kemi punuar shumë ngushtë me presidentin Ahtisaari dhe të dërguarin amerikan Frank Wisner. Plani tani edhe zyrtarisht është në Këshillin e Sigurimit dhe pritet që gjatë këtyre dy muajve të jetë koha e diskutimit të tij.
Menduam se derisa vendimi është i afërt, kjo është koha e përshtatshme të ndihmojmë udhëheqësit e Kosovës të përgatiten për ditët dhe muajt e parë pas vendimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët rëndësinë e 120 ditëve të para, por cilat janë sfidat dhe rreziqet e kësaj periudhe?

STEPHAN HEINTZ
Është një periudhë me shumë sfida, pasi do duhet të miratohet kushtetuta, korniza ligjore për zgjedhjet, do vendosen marrëdhënie të reja me praninë civile ndërkombëtare, që do jetë misioni i BE-së.
Do jetë një periudhë tranzicioni kur dihet se nga viti '99 kemi pasur Kombet e Bashkuara përgjegjëse kryesore për qeverisjen e Kosovës. Ndërkaq në 120 ditët e para pas statusit do jenë institucionet e Kosovës që do marrin përgjegjësitë kryesore për të qeverisur, derisa misioni ndërkombëtar do jetë ndihmës.
Nga ana tjetër do kemi fillimin e zbatimit të decentralizimit, si propozohet në planin Ahtisaari, që siguron të drejtat e të gjitha bashkësive etnike.
Do duhet që të përgatiten udhëheqësit vendorë dhe për zhvillimin ekonomik, kur dihet se aktualisht ekonomia kosovare është e dobët.
Rreziku kryesor është nëse nuk janë të suksesshëm në përmbushjen e detyrave të mësipërme, apo janë të suksesshëm vetëm pjesërisht. Për të mënjanuar një rrezik të tillë ne menduam se planifikimi paraprak është i nevojshëm. Rreziqet e tjera lidhen me dinamikën e brendshme të Kosovës. Të gjithë shpresojmë se tranzicioni do menaxhohet në mënyrë të tillë që do mënjanojë dhunën, ofrojë stabilitet dhe tolerancë. Këto janë rreziqet të cilat të gjithë shpresojmë që t'i menaxhojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë vendi do zërë në këtë konferencë zgjidhja e problemeve në veriun e Kosovës?

STEPHAN HEINTZ
Ne nuk do adresojmë në mënyrë specifike problemin e veriut të Kosovës, por do kemi të ftuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Qëllimi ynë është të planifikojmë zbatimin e kujdesshëm të planit të Ahtisaarit, që propozon ruajtjen e integritetit të kufijve të Kosovës dhe një shtet unik të pavarur, përkohësisht nën mbikqyrjen ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni të përfshirë në Kosovë që nga viti 2001. Sipas jush sa kanë menduar udhëheqësit kosovarë për ditët dhe muajt e parë të pas statusit?

STEPHAN HEINTZ
Ata i kanë kushtuar vëmendje të madhe kësaj çështje, kanë punuar e madje kanë pasur dhe disa suksese në këtë drejtim. Por këndvështrimi ynë dhe i udhëheqësve kosovarë është se ka ende shumë për të bërë. Kjo është arsyeja që ata dhe e kanë mirëpritur këtë konferencë.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti Klinton do t'i drejtohet konferencës. Çfarë kontributi prisni prej tij?

STEPHAN HEINTZ
Nga bisedat që kam pasur me presidentin Klinton e kam parë se ai është shumë i interesuar për të ardhmen e Kosovës. E dimë se në kohën kur ka qenë president morri vendimin e rëndësishëm të drejtonte bashkësinë ndërkombëtare për ndërhyrje ushtarake, që t'i jepte fund spastrimit etnik që po kryente Sllobodan Millosheviçi në Kosovë. Me këtë akt ai hapi rrugën për të ardhmen e Kosovës duke e vendosur atë fillimisht nën administrimin ndërkombëtar dhe duke hapur rrugën për përcaktimin e statusit.
Mendoj se mesazhi i tij për udhëheqësit kosovarë është se ky është moment përcaktues për të ardhmen e Kosovës, përgjegjësia për qeverisje është e juaja dhe kjo është një kohë të mbeteni të bashkuar, të drejtoni vendin drejt pavarësisë dhe të krijoni një demokraci të vërtetë duke i hapur rrugën përparimit. Dhe kjo duhet bërë në mënyrë të tillë që të jetë gjithpërfshirëse për qytetarët e Kosovës. Njëherësh do kërkojë që Kosova të hyjë dhe në procesin e pajtimit pas pavarësisë me fqinjët e saj në Ballkanin Perëndimor.
Mendoj se ky do jetë thelbi i mesazhit të tij.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është kostoja e kësaj konference dhe cilat janë projektet tuaja të ardhshme në Kosovë?

STEPHAN HEINTZ
Vlera e rrumbullaksuar e kësaj konference, përfshirë dhe fazën përgatitore të saj shkon në 150 mijë dollarë, ku pjesa dërrmuese vjen nga Rockfeller Brothers Fund.
Planet tona për të ardhmen do ndikohen dhe nga diskutimet që do kemi këto ditë. Do ketë aktivitete specifike që ne do duam të mbështesim derisa do fillojë zbatimi i planit për të ardhmen.
Ne duam të financojmë disa nga organizatat joqeveritare vendore në Kosovë që punojnë në projektet e zhvillimit, forcimit të demokracisë dhe marrëdhënieve ndëretnike. Mendoj se në vitet e ardhshme do jemi të përfshirë në projekte të tilla.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG