Ndërlidhjet

ZOBEL: ZVARRITJA E ÇËSHTJES SË KOSOVËS, E HAP ÇËSHTJEN E VOJVODINËS DHE SANXHAKUT


Vullnet POSHKA

Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Andreas Zobel ka deklaruar se çështja e Kosovës duhet zgjidhur sa më parë "në kuptimin e pavarësisë së mbikëqyrur" pasi, në të kundërtën, do të mund të hapeshin problemet në Vojvodinë dhe në Sanxhak.
"Insistimi në Kosovën si pjesë e Serbisë do ta destabilizonte Serbinë dhe atëherë do të mund të hapej çështja e Vojvodinës. Ky nuk është kërcënim, por analizë", tha ambasadori Zobel në një mbledhje të Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Lëvizjes Evropiane në Serbi.
Ambasadori i Gjermanisë në Beograd tha se "nuk është e vërtetë që Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë, sepse pjesë e saj është bërë në vitin 1912, ndërsa Vojvodina ishte bërë pjesë e Serbisë në vitin 1918". Sipas ambasadorit Zobel, "nëse Serbia destabilizohet, Hungaria do të mund të insistonte në Vojvodinën".
Ai gjithashtu tha se insistimi i kryeministrit të Serbisë Vojisllav Koshtunica se Kosova është pjesë e Serbisë, "çon në stagnim dhe në diçka ku askush nuk mund të fitojë".
Sipas tij, misioni i cili do të vlerësonte zbatimin e standardeve në Kosovë, vetëm do të konstatonte se dy popujt nuk duan të jetojnë bashkë, gjë që është e njohur, dhe se ky mision do ta shtynte për 2 muaj zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Zobel ka vlerësuar se plani i Ahtisaarit për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën, "nuk është i mirë, por është më i miri nga të gjitha zgjidhje e këqija".
"Gjatë 15 muajsh negociata dhe 8 vjet pas humbjes së kontrollit mbi Kosovën, Serbia nuk ofroi koncept për ri-integrimin e Kosovës. Shqiptarët duan pavarësi. Shumë njerëz në Serbi janë të kënaqur që shqiptarët jetojnë të ndarë, por duan që kufijnë e Kosovës të jenë pjesë e kufirit të Serbisë", ka thënë Zobel.
Ai ka theksuar se as Koshtunica, as presidenti Boris Tadiq dhe këshilltarët e tyre të mençur, nuk kanë mundur t'i shpjegojnë atij se çfarë vërtetë nënkupton formula "më shumë se autonomi, më pak se pavarësi"
"Shumica në Serbi do të dëshironin që në Kosovë të shohin trazira të nxitura nga shqiptarët, që pastaj të thonë se kanë patur të drejtë kur bashkësinë ndërkombëtare e kanë paralajmëruar për rrezikun nga terrorizmi", ka thënë ambasadori gjerman.
Zobel ka shtuar se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet me rezolutë të Këshillit të Sigurimit, sepse në të kundërtën, do të ndodhnin mospajtime midis BE-së dhe nuk do të kishte konsenzus për misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Komentet e ambasadorit gjerman Zobel nxitën reagime të shumta në Beograd. Qeveria e Serbisë i ka dërguar një notë proteste qeverisë së Gjermanisë, duke vlerësuar se ambasadori Zobel "në mënyrën më të vrazhdët ka ndërhyrë në çështjet e brendshme të Serbisë". Pas mbledhjes së sotme, qeveria serbe njoftoi se pret sqarime nga qeveria gjermane.
"Ambasadori Zobel në shumë mënyra e ka ngritur çështjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë, si dhe çështjen e mosndryshimit të kufijve të saj", thuhet në njoftim.
Zharko Koraç, kreu i Social Demokratëve Liberalë, tha se komentet e ambasadorit gjerman ishin të "pakujdesshme dhe jodiplomatike". "Rihapja e çështjes së kufijve të Serbisë vërtetë nuk është e këshillueshme për momentin", tha Koraç.
Vladeta Jankoviç, këshilltari i kryeministrit Vojisllav Koshtunica tha se shpreson që vërejtjet e ambasadorit "nuk e përfaqësojnë qëndrimin e qeverisë gjermane".
Zëvendës kryetari i Partisë Radikale Tomisllav Nikoliq kërkoi nga qeveria e Serbisë që menjëherë t'i ndërpresë mikpritjen ambasadorit gjerman.
Po sot, ambasada gjermane lëshoi një deklaratë, ku thuhet se vërejtjet e ambasadorit janë "keqkuptuar" dhe janë "nxjerrë nga konteksti".

XS
SM
MD
LG