Ndërlidhjet

RASHKOVIQ-IVIQ: AMBASADORI GJERMAN E KA TEPRUAR - DO T’I MËSOJMË HISTORI


Rrahman Paçarizi

Kryetarja e Qendrës Koordinuese të Serbisë për Kosovën, Sandra Rashkoviq-Iviq, tha sot se deklarata e ambasadorit gjerman në Serbi, Andreas Zobel, paraqet kërcënim dhe se ai me këtë deklaratë ka dalë paksa jashtë kornizave të tij. “Kjo vërtet është paksa e tepruar nga ana e tij, por kur t’i japim zotit Zobel disa udhëzime nga historia, ai do të pushojë së dhëni deklarata të tilla”, ka theksuar Rashkoviq-Iviq. Ambasadori gjerman në Beograd ka deklaruar, se problemi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më parë përmes pavarësisë së mbikëqyrur, pasi në të kundërtën mund të hapen problemet në Vojvodinë dhe në Sanxhak. Ai ka thënë po ashtu, se nuk është e vërtetë që Kosova ka qenë gjithmonë serbe, pasi ajo u bë pjesë e Serbisë më 1912, ndërsa Vojvodina hyri në përbërjen e Serbisë më 1918. Sidoqoftë, kundërshtimin e saj ndaj këtyre deklaratave, zonja Rashkoviq–Iviq e bëri sot në Mitrovicë, në një konferencë shtypi me anëtarët e Parlamentit Evropian, Floris De Gol dhe Gerd Hefer. Këta të fundit thanë sot, se zgjidhja e kompromisit që është në interes të shqiptarëve dhe të serbëve, mund të çojë kah stabiliteti i tërë rajonit. “Çfarëdo që do të ndodhë në të ardhmen, ne duam të ketë stabilitet në këtë rajon”, tha De Gol, duke theksuar se nuk kanë përgjigje të mirë, se cila do të ishte zgjidhja më e mirë për shqiptarët dhe për serbët. Ai tha se shqetësimi kryesor lidhet me çështjet e sigurisë, pasi askush nuk e di nëse serbët do të kenë siguri të garantuar, në rast se Kosova bëhet e pavarur, por nuk e dimë nëse serbët do të jenë të sigurt, në rast se Kosova do të fitojë vetëm autonomi. Ndërkaq, duke komentuar mundësinë e gjetjes së zgjidhjes së kompromisit, në situatën kur qëndrimet e Prishtinës dhe të Beogradit janë diametralisht të kundërta, Gerd Heffer tha: “Mendoj se do të ishte joserioze, sikur unë të sugjeroja ndonjërën prej zgjidhjeve”, duke shtuar se ata kanë ardhur në Kosovë për të dëgjuar qëndrimet e të dyjave palëve. Sidoqoftë, Parlamenti Evropian rreth dy javë më parë ka miratuar një rezolutë, me të cilën mbështetet propozimi i kryendërmjetësit Martti Ahtisaari, për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.
XS
SM
MD
LG