Ndërlidhjet

LIGJVËNËSIT: SIMBOLET E KOSOVËS NUK MUND TË INJOROJNË SHUMICËN


Zijadin Gashi

Kuvendi i Kosovës duhet të ushtrojë rolin dhe funksionin e vet në përcaktimin e simboleve, vlerësojnë deputetë nga partitë më të mëdha parlamentare. Alush Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se LDK-ja i mbështet nismat për simbolet, si dhe miratimin e ligjit përkatës, me të cilin do të definohej qartë përcaktimi i tyre. Gashi beson se çështja e përcaktimit të simboleve është në proces dhe do të përfundojë me kohë. “Çështja tani është në Kryesinë e Kuvendit dhe unë besoj që Kryesia e Kuvendit, në koordinim me presidentin e Kosovës dhe me opozitën, do ta kryejë këtë punë të rëndësishme në këtë fazë, në këtë proces. Sa u përket kritereve, unë besoj se ekziston përvoja e vendeve të tjera dhe ajo përvojë mund të përdoret edhe në vendin tonë”, tha Gashi. Në pakon e Ahtisaarit për statusin thuhet, se simbolet e Kosovës do të pasqyrojnë shumë-etnicitetin e saj. Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, thotë se kriteret për simbolet e Kosovës megjithatë nuk mund të injorojnë shumicën. Kriteri i shumicës, shton Hasani, duhet të jetë përcaktues për simbolet e Kosovës, përderisa pakicat do të mund t’i përdornin simbolet e tyre kombëtare lirshëm. “Kriteri për ndërtimin e simboleve është kriter parimor, që duhet ta respektojë shumicën absolute që është në Kosovë, sepse në Kosovë jetojnë mbi 95 për qind shqiptarë dhe ai duhet të jetë simboli që përfaqëson shumicën. E pakica duhet ta ndjejë vetën komode në këtë aspekt, pikërisht në këto simbole. Në asnjë vend, në asnjë shtet të botës, pakicat nuk marrin pjesë në ndërtimin e simboleve. Ato marrin pjesë në përdorimin e simboleve të veta kombëtare, të cilat nuk i ndalon askush”, theksoi Hasani. Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bajram Kosumi, thotë se do të ishte e pamundshme, që simbolet e Kosovës të përcaktohen duke u ikur ngjyrave dhe simboleve të shumicës. Sidoqoftë, Kosumi beson se këto simbole do të dallojnë nga simbolet kombëtare dhe do të pasqyrojnë simbolet shtetërore të Kosovës. “Nuk besoj që mund t’i iket 90 përqindëshit të shqiptarëve në Kosovë dhe as që është e arsyeshme t’u iket ngjyrave tradicionale, shenjave, simboleve tradicionale të 90 përqindëshit në Kosovë. Nuk po mendoj se duhet të bëhen simbole ekskluzivisht shqiptare, simbolet e Kosovës duhet të jenë të reja, duhet të simbolizojnë Kosovën e re”, vlerësoi Kosumi. Sipas tij, çështjet me prioritet si kushtetuta e simbolet, megjithatë po zvarriten pasi që është krijuar një paqartësi në hierarki dhe në kompetencat e Ekipit Negociues në njërën anë, dhe institucioneve në anën tjetër. “Pozicioni i Ekipit Negociator ka mbetur në mjegull. Në fakt, sot në Kosovë është errësuar dhe mjegulluar çështja e hierarkisë së pushtetit dhe nuk dihet saktë se kush e ka përgjegjësinë; me Kornizën Kushtetuese e ka Kuvendi i Kosovës. Por, meqenëse Ekipi Negociator po vazhdon të funksionojë edhe pas përfundimit të negociatave, do të thotë është mjegulluar dhe askush nuk e ka përgjegjësinë për këtë çështje”, tha Kosumi. Më 12 mars, Kryesia e Kuvendit pati marrë vendim që të shpallej konkursi për flamurin dhe stemën e Kosovës, ndërkaq ai për himnin ishte thënë se do të lihet për një fazë të mëvonshme. Ndërkohë, te qendrat politike kosovare ka disa paqartësi, lidhur me kriteret mbi të cilat do të shpallej konkursi për simbolet, çka ka ndikuar që ky konkurs të mos shpallet ende.
XS
SM
MD
LG